Menu Close

Vdekja fiton kundër jetës me rezultatin: 285 me 0

Rreshtat e mëposhtme i kam shkruar me alarm të madh në Qershor 2018, pasi pashë shifrat demografike të tremujorit të parë të 2018. Që atëhere deri tani norma e fertilitetit vazhdon të bjerë. Ndërsa shqiptarët vijojnë të ikin pa ndalur, pavarësisht raportimeve për suksese të njëpasnjëshme të Qeverisë

Kur gishti tregon hënën, budallai shikon gishtin. Kjo është ëndrra e çdo qeverie. Që populli të shohë gishtin. Dhe kjo qeveri, ky stabiliment politik që na ka pllakosur ja ka arritur kësaj me shumë se kurrë më parë. Ne, shqiptarët e sotëm rrojmë nën dhunën e propagandës totale. Nuk ka si shpjegohet ndryshe pse nuk ka asnjë alarm, asnjë diskutim serioz mbi një fakt të rëndësisë vitale për Shqipërinë, të verifikuar në trimestrin e parë të vitit 2018. Për herë të parë që prej vitit 1990, INSTAT raporton se shtesa jonë natyrore është negative.

Shtesa natyrore e Shqiptarëve, një tregues sintetik i vitalitetit dhe besimit tek e ardhmja, ka filluar të tkurret që në vitin 1991. Për shkak të emigracionit, për shkak të ekonomisë më të varfër të Europës, për shkak të mungesës së stabilitetit politik, për shkak të politikave dhe prioriteteve qeveritare…. Ajo që është bërë mirë në këto tri dekada nuk ka mjaftuar; ç’është bërë mirë mbetet më pak përkundër ç’është bërë keq, së bashku edhe me çfarë nuk është bërë fare.

Sepse, ndërsa është e qartë se rrojmë më mirë se në vitin 1938, është po aq e qartë se duhet të gjejmë të tjera prioritete të zhvillimit, të tilla që e rrisin Shqipërinë, jo që për shkak të dritëshkurtësisë ja mbledhin lëkurët asaj. Kjo rënie e shtesës natyrore u përmbajt sadopak në vitet 2008 – 2014, ndërsa si kurrë më parë në këto 3 dekada, në tre muajt e parë të vitit 2018, vdekja ka gjunjëzuar jetën në Shqiperi. Ata që vdesin janë 285 frymë më shumë se ata që lindin. Shqipëria po shuhet!

4 apo 5 vitet e fundit, pothuajse 13% e popullsisë ka ikur nga Shqipëria në një formë apo në një tjetër; numri i lindjeve nga 82,000 në vitin 1990 ka rënë me 62% në fund të vitit 2017, sikur vendi të ishte mbuluar nga Murtaja e Zezë, e cila përgjysmoi Evropën në shekullin e 14-të; INSTAT raporton në vitin 2016 se ushqimi përfaqëson rreth 48% të buxhetit familjar në Shqipëri, krahasuar me 36% në Egjipt, ose 8.7% në Mbretërinë e Bashkuar – një nivel shumë tregues i zhvillimit aktual dhe standardit të jetesës; ndërsa, pothuajse 60% e popullsisë shqiptare kanë shprehur qëllimin e tyre të drejtpërdrejtë për t’u larguar menjëherë nga Shqipëria drejt Perëndimit, duke marrë me vete gjithashtu edhe kafshët e tyre shtëpiake.

Të dhënat ekonomike dhe sociale të mësipërme tregojnë dështim, jo sukses. Këto shifra janë fakte të verifikueshme. Ato nuk mund të ndryshohen në kënaqësinë e besimeve dhe preferencave të një personi. Ato tregojnë se pushteti ekonomik dhe politik që po i shuan Shqiptarët, është fuqizuar në vitet e fundit si kurrë më parë. Propaganda e rritjes ekonomike dhe zhvillimit dhe përparimi i dëshiruar drejt integrimit në BE, nuk e ndryshon do këtë realitet; sado intensive ajo mbetet një fasadë, një maskim për oligarkët që sundojnë në Shqipëri dhe politikanët e korruptuar në shërbim të tyre.

Është e qartë se politikat e fasadave dhe palmave, konçesioneve, të narkotrafikut qeveritar si degë më vete e ekonomisë, përveçse pasurojnë vetëm pak njerëz nuk mund të sjellin pasuri, shëndet dhe besim tek gjithë shqiptarët e tjerë. Përkundrazi, ato kanë favorizuar vdekjen mbi jetën. Ky është fakt. Për shkak të këtyre politikave shqiptarët sot nuk lindin më, dhe ata që janë duan të largohen prej këndej sikur t’i ikin djallit. Nëse zgjidhja për të jetuar më mirë dhe më tepër besim tek e ardhmja është ikja, atëhere është më lehtë, politikisht dhe ekonomikisht, që prej këtej ta ikim qeverinë, sesa të shuhen gjithë Shqiptarët.

 

Ju lutemi shperndajeni