Menu Close

Dera e Europës nuk hapet me çelësat tanë kopil

Për shkak të mentalitetit tonë, ne i nënshtrohemi “atij që ka shpatën më të gjatë” siç thoshte Mehdi Frashëri duke ju referuar atij momentit kur ne ndryshuam sistemin tonë të vlerave dhe atë kulturor. Prandaj, edhe në demokraci riprodhojmë diktaturën. Prandaj, kemi njerëz të përhershëm në majë të politikës, me thuajse aq vjet sa “mbretëroi” Enveri. Po unë nuk i shoh si njerëz, si komshinj, si prindër apo profesionistë, nuk i gjykoj, dhe për shkak të parimeve të mija nuk mund t’i gjykoj si njerëz, ata nuk më shqetësojnë asfare si njerëz, si individë, por si modele. Si modelet e suksesit të këtyre 30 vjetëve. Modelet nuk janë një njeri i vetëm, ato kanë ndryshimin apo kalçifikimin kulturor që përcjellin, dhe ato kanë brenda gjithë mbështetësit e tyre që u garantojnë jetëgjatësinë, suksesin. Dhe çfarë suksesi. Jemi të fundit në Europë, të fundit në rajon në çdo aspekt të zhvillimit politik, ekonomik dhe shoqëror.

Modeli i politikanëve shqiptarë të këtyre 30 vjetëve është çelësi kopil. Çelësa kopil të çdo kohe, edhe në diktaturë dhe në demokraci. Në çdo sistem, mazhoritar a proporcional. Çelësa kopil të përhershëm, të pashtershëm. Ata premtojnë se hapin çdo derë, dhe zgjidhin kështu çdo problem. Por, sot jemi më larg Europës, ajo na priste krahëhapur në vitet 90, ndërsa sot nuk na do, na përçmon. Është e qartë se këta çelësa kopil kanë arritur të hapin natën dyert e çdo shqiptari dhe t’i plaçkisin atij shtëpinë dhe të ardhmen. Dhe ne sa herë kemi hall, apo na duhet të vendosim për diçka fusim dorën në xhep dhe vazhdojmë kapim çelësin kopil.

Por, këta çelësa nuk e hapin dot derën e Europës, nuk hyjnë dot në atë bravë. Çdo debil, edhe pse nuk e thotë, e di se krijuesit e problemit nuk mund të jenë zgjidhja e problemit. Kjo pavarësisht se ku i vendosin rrethanat politike secilin prej këtyre njerëzve, apo sa bukur arrijnë të maskohen mes njerëzve dhe problemeve që kanë krijuar dhe nga të cilat janë pasuruar. Nuk e di pse, ne vazhdojme t’i shohim si zgjidhja e problemeve tona, në mos të krijuara prej tyre, të pazgjidhura prej tyre edhe pse të mandatuar për këtë. Një i mençur thotë se të bësh të njëjtin veprim dhe të presësh rezultate të ndryshme është çmenduri. Ndoshta ne shqiptarët kemi vendosur ta hedhim poshtë me çdo çmim këtë. E ndoshta ky është destini ynë këtu në Shqipëri. Sipas festes kokën!

Por ne duam të shkojmë në Europë apo jo? Këtu ndryshon puna. Kemi vetëm pak mundësira. Veç e veç ne mund të jemi më të zotë, më të bukur, më të lëçitur se plot europianë, por Europa nuk na gjykon ne veç e veç, por për nga çfarë modelesh ngjisim lart dhe vendosim sipër kokave tona për të na udhëhequr, kë bëjmë drejtor, Ministër, deputet, Kryeministër apo edhe kryetar partie. Modelet e suksesit, pra çelësat tanë kopil, që kemi ndërtuar, mbështetur, adhuruar, duartrokitur dhe brohoritur, këto 30 vjet janë përçudnuar dhe pasuruar pafundësisht në kurriz të shqiptarëve – kanë mbjellë përçarje, frikë dhe mosbesim në vend të krijonin bashkim, dashuri dhe besim tek njëri tjetri; kanë eliminuar idetë dhe prodhuar vetëm skllevër besnikë të pushtetit.

Na duhet të heqim dorë nga modeli i suksesit të privatizimit familjar të firmës dhe vulës, modelin e shefit të policisë kriminelit, oligarkut që bëhet deputet, ministër; modelit të suksesit që sheh si sukses vetëm politikën, eliminimin e konkurrencës dhe jo tregun e lirë, apo kërkimin shkencor, apo performancën artistike. Këto modele e kanë kryer rrugën e tyre, ato duhen hedhur në fund të dollapit, në favor të njerëzve të zot, me autoritet dhe integritet, njerëzor e profesional, që synojnë të çojnë gjërat përpara, dhe jo të vënë gjërat në vend. Shkurt, Shqipërisë sot i duhen njerëz që guxojnë drejt të ardhmes së panjohur, dhe jo mjeshtrat e të tashmes, e sidomos të së shkuarës.

Ky është një proçes mendor dhe shpirtëror i vështirë, dhe ne po na rezulton edhe më i gjatë se ç’duhet. Por çdo rrugë e shkurtër apo e gjatë fillon me një hap të parë. Vrit frikën që ke në bark, nuk ke për të vdekur dhe nuk do të të rrjedhë gjak nga kjo. Vepro nga dashuria për të nesërmen, jo nga frika për të sotmen. Mos gjej padron, lider apo kryetar, por gjej zotësinë tënde dhe shërbeji asaj. Nuk po të them ta hedhësh çelësin kopil që ke përdorur (që të ka përdorur) deri tani në lumë, por thjesht ta lësh diku, në një rrugë nga e cila nuk do kalosh më në jetën tënde.

Ndërkaq, kërko të gjesh çelësin tënd, që hap derën tënde, dhe jo një çelës tjetër kopil që hap edhe derën e komshiut. Dhe nëse nuk do përgjegjësinë të gjesh çelësin tënd, se të është bërë zakon t’ja lesh në dorë dikujt tjetër, besojini njerëzve që kanë një projekt për të ardhmen, jo më atyre që ju premtojnë se do korrigjojnë të tashmen. Të jesh i sigurtë së çfarë të mbjellësh do korrësh.

 

2019

Ju lutemi shperndajeni