Menu Close

Çfarë do të gjejë Evropa ndër ne …

I. DY DËSHIRA

Shqipëria po bëhet gati të njihet me verdiktin më të rëndësishëm të historisë së saj moderne. Jo të ndonjë gjykate. Të një mekanizmi. Anëtarësimit në BE. Kam që në Dhjetor 1990 që dua që vendi im të hyjë në Evropë. Por dua edhe më shumë që të avancojë brënda saj – që mirëqenia të rritet, që firmat shqiptare të eksportojnë produkte e jo lëndë të parë, që fëmijet të mësojnë të lexojnë, që shteti të funksionojë përnjimend. Këto dy dëshira nuk janë e njëjta gjë. Dhe dallimi midis tyre duhet të shihet tani, jo pas ceremonisë së hyrjes. Në fakt, anëtarësimi në BE nuk e gjykon një vend. Ai amplifikon, zmadhon atë që gjen. Kështuqë, për mua pyetja thelbësore – ajo që duhet bërë tani dhe jo të mbetet pas zhurmës së festimeve – është se çfarë do të gjejë në Shqipëri.

II. ÇFARË TREGON HISTORIA

Çfarë ndodhi me 5 vendet që iu bashkuan Bashkimit Evropian në valët pas vitit 1990? Sllovenia hyri me një bazë industriale solide; pranimi e shpërbleu atë. Estonia hyri me pothuajse asgjë tjetër përveç ndërtimit të institucioneve dixhitale mjaftueshëm shpejt për të mbushur boshllëkun; pranimi e përshpejtoi këtë bast. Kroacia hyri me turizëm dhe një kulturë fasade; pranimi i ngriu të dyja. Bullgaria hyri me një shtet të zbrazët; paratë e BE-së ndërtuan rrugë pa zhvillim. Rumania hyri me kaos, por një sektor industrial në shkallë të gjerë – industria automobile – mbërriti pak para afatit dhe e detyroi shtetin të funksiononte. Secila prej këtyre mbështet të njëjtin argument: hyrja në BE nuk i korrigjon dobësitë strukturore. Historikisht ka prirjen kryesisht t’i zmadhojë ato.

Sigurisht, secili prej këtyre rasteve është shumë më kompleks sesa kjo përmbledhje e shkurtër. Historia ekonomike e çdo vendi është rezultat i shumë faktorëve njëkohësisht. Por modeli i përgjithshëm mbetet i dukshëm: vendet që hynë me një bazë prodhuese më solide ose me institucione funksionale arritën të përfitonin më shumë nga integrimi; vendet që hynë me dobësi strukturore i panë ato të vazhdonin, shpesh të financuara më mirë, por jo domosdoshmërisht të transformuara.

III. PUNA E BËRË

Kujdes! Procesi i negociatave, përveçse është conditio sine qua non, ka prodhuar gjëra të vërteta, dhe e them këtë sepse do të ishte e pandershme dhe mosmirënjohëse të pretendohej e kundërta. Komisionerja Marta Kos ka qenë e zëshme, dhe jo pa arsye: Mali i Zi dhe Shqipëria kanë bërë përparim të matshëm. Qindra zyrtarë në Tiranë dhe Bruksel kanë bërë shumë përpjekje vit pas viti duke siguruar që, të paktën në letër, gjithçka të jetë në rregull. Shtetet anëtare në mënyrë të përsëritur e konfirmojnë këtë. Programi i Reformës dhe Rritjes ka investuar para serioze pas rezultateve të matshme. Axhenda e reformës është reale. Përpjekja është reale. Shqipëria ka bërë çfarë i kërkohet. Për këtë nuk mund të ketë asnjë diskutim. Por a ka bërë Shqipëria edhe atë që duhet?

Do të ishte po aq e gabuar të mohohej edhe progresi real që është bërë në shumë fusha që na duhen. Administrata publike është më funksionale se një dekadë më parë. Dixhitalizimi ka ulur një pjesë të arbitraritetit të përditshëm. Stabiliteti makroekonomik është ruajtur. Eksportet në disa sektorë janë rritur. Procesi i integrimit ka krijuar një disiplinë institucionale që Shqipëria vështirë se do ta kishte ndërtuar vetë me këtë ritëm. Por pyetja që mbetet është tjetërkund: a janë këto ndryshime të mjaftueshme për të transformuar strukturën prodhuese të vendit, apo vetëm për ta administruar më mirë dobësinë ekzistuese?

Për këtë dua të jem i ndershëm me veten deri në fund. Procesi i pranimit në BE është, në vetë dizajnin e tij, një proces burokratik i mbështetur politikisht. Ai mat atë që mund të matet: kapitujt e hapur, acquis e transpozuar, strategjitë apo standardet e miratuara. Ai nuk ka instrument matës për çështjen që ka më shumë rëndësi – nëse një strategji është bërë politikë, nëse një dokument është bërë realitet, nëse gjithë ky proçes ka ndryshuar diçka në ekonominë reale. Përshtatja dhe ambicia nuk janë e njëjta gjë.

IV. STRATEGJI PA VENDIME

Vendi im sot ka pozicionin më të dobët strukturor përkundër secilit prej vendeve që përmendëm. Një nga nivelet më të ulëta të manifakturës në rajon dhe Evropë. Varësinë më të lartë nga turizmi dhe remitancat. Produktiviteti i punës është afërsisht një e katërta e mesatares së BE-së – dhe dixhitalizimi, sado i vërtetë, nuk e ka lëvizur këtë tregues. Qeveria është online; por nuk është e padukshme siç është ajo e Estonisë – e ngulitur në vendim-marrjet produktive të firmave dhe qytetarëve. Emigrimi kumulativ ka larguar afërsisht dyzet përqind të popullsisë aktive. Firmat me më shumë se pesëdhjetë punëtorë mbeten relativisht të rralla në strukturën ekonomike shqiptare. Kur të arrijë anëtarësimi, Brukseli nuk do na vijë në ndihmë për t’i zgjidhur këto probleme. Përkundrazi, ekziston rreziku që rregullat, subvencionet dhe struktura e incentivave pas anëtarësimit t’i çimentojnë ato.

Dritarja e para-anëtarësimit është periudha e fundit ku kemi vendimarrje sovrane për ta ndryshuar dukshëm këtë gjendje. Pas hyrjes, acquis do të rregullojë njëkohësisht politikën industriale, lejet mjedisore, kompensimin e tokës, rregullimin e rrjetit dhe ndihmën shtetërore … Atë që Shqipëria vendos ta ndërtojë para këtij momenti – të shënuar e të shumëpritur –  e fiton nga përdorimi i pakufizuar i instrumentit të sovranitetit. Çfarë lë pa bërë, do duhet paskëtaj të rindërtohet sipas rregullave të hartuara për ekonomitë që tashmë i kanë këto gjëra – jo vetëm në letër, por edhe në praktikë.

Por kjo dritare që kemi nuk duhet pare vetëm si për të shmangur ndonjë rrezik. Ajo është në fakt edhe mundësia më e madhe. Një vend që hyn me tokë të konsoliduar përfiton shumëfish më tepër nga Politika e Përbashkët Bujqësore. Një vend që hyn me kapacitet përpunimi mineralesh bëhet furnizues i zinxhirit evropian, jo eksportues lënde të parë. Një vend që hyn me infrastrukturë magazinimi energjie kthehet nga importues neto i energjisë në eksportues vlere. Një vend që hyn me brezat e parë të që dinë të lexojnë me themel ka kapital njerëzor që fondet strukturore mund ta shumëzojnë. Mekanizmat e BE-së janë të njëjtë për të gjithë. Ajo që ndryshon është çfarë arrin çdo vend kur i zbaton. Dhe ajo formohet tani.

Shqipëria ka strategji për pothuajse të gjitha çfarë përmendëm më lart. Çfarë s’ka ende janë politikat. Një strategji emërton një dëshirë ose një drejtim. Një politikë angazhon burime, përcakton afate dhe emëron se kush është përgjegjës kur afati kalon. Dallimi mes të dyjave nuk është semantik. Strategjitë mund të bashkëjetojnë për vite me mungesën e veprimit. Politikat jo. Politika është momenti kur një shtet pranon koston, konfliktin dhe përgjegjësinë e zgjedhjes. Është ndryshimi midis një dokumenti që përshkruan një të ardhme dhe një vendimi që krijon një të ardhme.

Pra,politikat janë zgjedhje. Çdo vit që Shqipëria nuk ka konsoliduar tokën bujqësore, ka qenë një vit që zgjodhi të përqëndronte vëmendjen politike dhe burimet publike diku tjetër. Çdo vit që nuk hapte tender për rritjen e kapacitetit të depozitimit të energjisë, ishte një vit që rrjeti mbetej siç ishte. Çdo vit që nuk zbatonte një kontroll të rreptë për aftësitë në shkrim-lexim, ishte një vit ku nxënësit e kalonin klasën automatikisht duke e marrë pa-aftësinë me vete gjatë gjithë jetës. Qeveritë me shumicë parlamentare të padiskutueshme e kanë patur lirinë për t’i marrë këto vendime. Ato gjithashtu kanë patur lirinë që mos ta bënin. Hapësira gjithnjë e më e vogël në dispozicion para anëtarësimit nuk na heq lirinë. Na heq kohën.

V. NËNTOKA QË HUMBET DY HERË

Nëntoka e Shqipërisë është një nga më të pasurat me minerale në Evropë: krom, bakër, nikel, kobalt. Pothuajse asnjë prej tyre nuk lëviz në ndonjë formë tjetër përveçse si koncentrat i papërpunuar. Në këtë moment që Akti i Lëndëve të Para Kritike i BE-së ka krijuar preferencë rregullatore për materialet me origjinë dhe të përpunuara brenda vendit, Shqipëria eksporton xehe dhe importon çmime shumë më të larta.

Një prodhues kromi që dërgon koncentrat për shkrirje në Turqi dhe blen ferrokrom për tregun e vet të ndërtimit nuk ka marrë ndonjë vendim të mençur biznesi. Ky ka bërë një lëshim strukturor – duke hequr dorë nga hapi i vlerës së shtuar, nga sinkronizimi me zinxhirin e furnizimit që sot është pikërisht ajo për të cilën Evropa është e gatshme të paguajë dhe ta mbështesë.

Por problemi më pak i dukshëm është ajo që ndodh me mbetjet. Operacionet e nxjerrjes së bakrit, kromit dhe nikelit në Shqipëri gjenerojnë mbetje të konsiderueshme – materiali që mbetet pasi ndahet xeherori. Në vende me kapacitet përpunimi, mbetjet nuk janë mbeturina. Ato janë një burim dytësor: kobalt, nikel dhe elementë gjurmë të rikuperueshëm përmes proceseve hidrometalurgjike që janë gjithnjë e më ekonomike me çmimet aktuale të mineraleve kritike të BE-së. Në Shqipëri, mbetjet bëhen kapicë. Hidhen dy herë: një herë kur transportohet koncentrat i papërpunuar dhe përsëri kur lihet vlera e rikuperueshme në shesh. Ky nuk është problem i menaxhimit të burimeve. Është një boshllëk politikash i paketuar si problem teknik.

VI. TOKA E NGRIRË

Shqipëria ka afërsisht 350,000 ferma bujqësore me një sipërfaqe mesatare prej 1.2 hektarësh. Shumica janë nën gjysmë hektari: shumë të vogla për t’u mekanizuar, shumë të shpërndara për të furnizuar një përpunues komercial, shumë të fragmentuara për të hyrë në ndonjë zinxhir vlerash që një blerës evropian do ta shihte si të besueshëm. Në momentin që Politika e Përbashkët Bujqësore e BE-së fillon të paguajë subvencione të drejtpërdrejta për pronarët ekzistues të “fermave shqiptare”, vlerës së titullit të pronësisë të secilës prej këtyre copëzave tokë i shtohet edhe shuma e parasë që vjen si mbështetje nga BE. Konsolidimi i tokës pas këtij momenti bëhet shumë i shtrenjtë, pasi kërkon që në çmimin hipotetik të blerjes së tokës të futen edhe të ardhurat e ardhshme nga subvencionet.

Bullgaria hyri në Politikën e Përbashkët Bujqësore me miliona parcela të fragmentuara. Subvencionet i çimentuan ato. Shqipëria ka një mundësi për t’u konsoliduar përpara se të vijë struktura e subvencioneve dhe të kalcifikojë atë që gjen. Strategjia për konsolidimin e tokës ekziston. Programi i reformës kadastrale ka qenë në zbatim, me mbështetjen e BE-së, për vite me radhë. Ajo që ende nuk ekziston është një politikë që detyron konsolidimin në kohën e mbetur.

Turizmi, i preferuari i padiskutueshëm i politikës ekonomike shqiptare, nuk e zgjidh dot këtë problem. Është një sektor që mbështetet më shumë nga importet sesa nga vlera e shtuar vendase – hoteli është shqiptar, zinxhiri i furnizimit shpesh nuk është. Toka bujqësore që mund ta ushqente, ta furnizonte dhe të ankoronte një zinxhir agro-industrial vendas qëndron e fragmentuar, duke pritur një strukturë subvencionesh që do ta shpërblejë atë për qëndrimin pikërisht ashtu siç është. E vogël, e dobët dhe primitive. Nuk kam ndonjë paragjykim kundër turizmit. Thjesht e shoh këtë çështje siç është – është aritmetikë: sektorët me kompleksitet të lartë prodhues rrisin produktivitetin, përhapin dije teknike dhe krijojnë presion që institucionet të funksionojnë. Sektorët me kompleksitet të ulët mund të gjenerojnë të ardhura – por rrallë prodhojnë konvergjencë.

VII. RRUGA E TJETËRKUJT

Korridori VIII – rruga nga Durrësi përmes Tiranës dhe Elbasanit deri në kufirin me Maqedoninë e Veriut dhe më tej në Bullgari dhe Detin e Zi – është ndërtuar kryesisht me asfalt. Nuk është ndërtuar si një instrument ekonomik.

Pa hekurudhë për mallra, pa qendra logjistike në port dhe në pikën kufitare, pa para-zhdoganim dixhital që eliminon vonesat diskrecionare që aktualisht funksionojnë si një taksë për çdo ton, pa zona industriale përgjatë shtyllës kurrizore të mbështetura nga furnizimi i pandërprerë me energji, Korridori VIII lëviz turistët dhe importet e mallrave të konsumit. Ai nuk lëviz mallra “made in Albania”, mineralet e përpunuara apo ndonjë prodhim agro-industrial. Një rrugë që transporton vetëm atë që vjen nga jashtë nuk mund të quhet Korridor. Është thjesht një rrugë shpërndarjeje për ekonominë e dikujt tjetër.

Strategjia e korridorit admirohet në çdo raport progresi. Politika e korridorit – ajo që e shndërron asfaltin në infrastrukturë ekonomike – shpresoj është ende duke u hartuar.

VIII. DIELLI QË SHITET LIRË

Shqipëria gjeneron energji elektrike të rinovueshme të konsiderueshme dhe shpërdoron pjesën më të madhe të saj. Kapaciteti i instaluar diellor kaloi 600 megavat që në vitin 2024 dhe po zgjerohet. Në një ditë të kthjellët vere, ky kapacitet shtyn katër deri në pesëqind megavat në rrjet midis orës dhjetë të mëngjesit dhe orës tre të pasdites. Kërkesa e Shqipërisë në mesditë gjatë verës është afërsisht 1,200 deri në 1,400 megavat: energjia hidroelektrike mbulon pjesën më të madhe të saj, energjia diellore shton tepricën. Pa magazinim, kjo tepricë – me vlerë tridhjetë deri në pesëdhjetë euro për megavat-orë në një treg rajonal të mbipopulluar – eksportohet në momentin më të keq të ciklit të çmimeve. Në mbrëmjet e dimrit, kur energjia hidroelektrike bie dhe ajo diellore nuk kontribuon aspak, Shqipëria importon me njëqind deri në njëqind e pesëdhjetë euro për megavat-orë.

Ky nuk është problem i rrjetit, apo i motit, apo i teknologjisë. Është më i thjeshtë dhe krejtësisht i shmangshëm. Shqipëria prodhon energji elektrike kur ajo vlen vetëm tridhjetë deri në pesëdhjetë euro për MWh dhe e shet. Blen energji elektrike mbrapsht kur ajo vlen njëqind e pesëdhjetë euro për MWh ose më shumë. Diferenca largohet nga vendi çdo ditë të kthjellët, çdo vit, sepse nuk është adoptuar kurrë një politikë serioze depozitimi të kësaj energjie dhe nuk është hapur ndonjë tender për të ndërtuar kapacitet kombëtar depozitimi – nuk po marr parasysh projekte individuale që tashmë kanë filluar. Sot ende Shqipëria shet diellin dhe blen mbrapsht errësirën.

Kapacitete magazinimi të energjisë prej 400 deri në 600 megavat me kohëzgjatje katër deri në gjashtë orë do kapnin pjesën më të madhe të tepricës ditore dhe do ta zhvendosnin atë në kulmet e mbrëmjes. Energjia hidroelektrike e pompuar prej 300 deri në 500 megavat do të adresonte mospërputhjen sezonale – duke ruajtur tepricat e pranverës dhe verës për shpërndarje dimërore. Të dyja këto zgjidhje janë të lejueshme sipas ligjit aktual shqiptar, mund të kryhen brenda tetëmbëdhjetë deri në njëzet e katër muajve. Sipas acquis të plotë të BE-së pas anëtarësimit, shqyrtimi i Natura 2000, vlerësimet strategjike mjedisore dhe procedurat e përputhshmërisë së rrjetit e zgjasin këtë afat kohor me vite. Strategjia është aty. Vendimi për të hapur tendera dhe për të nënshkruar kontrata nuk është marrë ende.

IX. TË MËSOSH TË LEXOSH, PARA SE TË LEXOSH PËR TË MËSUAR

Asnjë transformim ekonomik nuk mund të mbështetet gjatë mbi një bazë të dobët të kapitalit njerëzor. Një ekonomi që aspiron të lëvizë drejt sektorëve me produktivitet më të lartë nuk mund ta bëjë këtë me breza nxënësish që dalin nga sistemi arsimor pa aftësi bazë leximi, matematike dhe arsyetimi. Kapaciteti prodhues i një vendi fillon shumë përpara fabrikës – fillon në klasën fillore.

Rezultati i matematikës në testin PISA 2022 të Shqipërisë e vendos atë pothuajse me një devijim standard të plotë nën mesataren e OECD-së. Arsyetimi standard për këtë gjendje është financimi i ulët i arsimit. Por a është kështu?

Misisipi, shteti më i varfër në Shtetet e Bashkuara, përmbysi dekada të tëra dështimi në lexim jo duke rritur pagat ose duke ndërtuar shkolla, por duke detyruar mësimdhënie të strukturuar fonetike dhe duke adoptuar një pikë kontrolli të vërtetë, të rreptë të aftësisë për lexim në klasën e tretë. Askush nuk mund të kalonte në klasën e katërt nëse nuk merrte provimin e leximit. Sobral, në një nga shtetet më të varfra të Brazilit, vuri një objektiv të panegociueshëm – lexim universal deri në fund të klasës së dytë – dhe brenda tre vitesh u rendit i pari në indeksin kombëtar të arsimit të Brazilit nga 5,570 komuna, duke tejkaluar edhe shkollat private në São Paulo-n e pasur, ndërsa shpenzonte nën mesataren kombëtare për nxënës. Anglia u zhvendos nga e pesëmbëdhjeta në vendin e katërt në renditjen ndërkombëtare të leximit fillor gjatë pesëmbëdhjetë viteve duke bërë të njëjtën gjë në shkallë kombëtare. Mekanizmi nuk është amerikan, as brazilian, as evropian. Është pedagogjik: fëmijëve duhet t’u mësohet të deshifrojnë para se të mund të kuptojnë, mësimdhënia duhet të jetë e strukturuar dhe sistematike, dhe pika e kontrollit duhet të jetë reale.

Shqipëria ka një program leximi për klasat fillore, të mbështetur nga UNICEF-i dhe partnerë të tjerë. Ka prova. Ka ndërhyrje pilot. Ka edhe strategji. Ajo që nuk ka është një vendim politik kombëtar që e bën mësimdhënien e strukturuar të leximit të panegociueshme në çdo klasë fillore në vend, me një rezultat të matshëm dhe një person përgjegjës për të. Kjo është e gjitha.

X. VENDIMI ËSHTË SHQIPTAR

Asnjë nga këto nuk është kritikë ndaj integrimit në BE. Procesi po funksionon siç është projektuar. Programi për Reformë dhe Rritje është leva më e fortë e jashtme që ky vend ka pasur ndonjëherë në dispozicion. Dritarja që krijon është reale. Çështja ime nuk është nëse Shqipëria po reformohet. Por nëse reformat do të prodhojnë ndryshime të mjaftueshme strukturore përpara se të vijë lupa zmadhuese. Fondet do të jenë të disponueshme – acquis e garanton këtë. Por fondet që mbërrijnë në një ekonomi të orientuar drejt sektorëve me kompleksitet të ulët nuk e ndryshojnë strukturën e saj. Ato e financojnë atë. E mbajnë gjallë. E përjetësojnë. Nuk e zhvendosin prodhimin drejt industrive me kthime në rritje. As nuk e mbyllin hendekun e të ardhurave me BE-në. Një vend që hyn në Evropë me strategji të dokumentuara mirë dhe pa politika për t’i ekzekutuar do të marrë pikërisht atë që anëtarësimi u jep çdo vendi tjetër në atë pozitë. Jo shpëtim. Përforcim të asaj që tashmë ka në inventar.

Rreziku real nuk është që Shqipëria të hyjë në Evropë e varfër. Shumë vende kanë hyrë më të varfra sesa Shqipëria e sotme. Rreziku është që ajo të hyjë me një ekuilibër ekonomik të ngrirë: administrativisht më moderne, por prodhueshmërisht e dobët; më e integruar financiarisht, por me kompleksitet të ulët ekonomik; më e mbështetur nga fondet, por ende e varur nga remitancat, ndërtimi dhe sektorët me produktivitet të kufizuar. Një ekonomi e tillë mund të stabilizohet. Ama stabiliteti nuk është e njëjta gjë me konvergjencën.

Dritarja është strukturore, jo politike. Ajo nuk pret që të arrihet konsensus, që prit sa të kalojnë zgjedhjet, apo që urgjenca të bëhet e rehatshme për klasën politike. Çdo vit që kalon pa këto vendime nuk është thjesht kohë e humbur. Është një pjesë tjetër e strukturës ekonomike që ngurtësohet përpara se të hyjmë në një sistem ku ndryshimi bëhet shumë më i kushtueshëm, më i ngadaltë dhe më i kufizuar, e ndoshta edhe politikisht i pamundur.

Vendet që e përdorën mirë këtë periudhë nuk pritën që Evropa t’i transformonte. Ato përdorën periudhën para anëtarësimit për të transformuar veten. Ndërtuan kapacitete para se rregullat të mbyllnin hapësirën e manovrës. Morën vendime para se kostot të bëheshin prohibitive.

Shqipëria ka ende kohë. Por jo pafundësisht. Dhe Evropa, kur të vijë plotësisht, nuk do të sjellë një ekonomi tjetër me vete. Do të zmadhojë atë që gjen këtu.

Livadh, Himarë

28 Maj 2026

Ju lutemi shperndajeni