Menu Close

Trashëgimi, doke dhe zakone të qytetit shqiptar në shekullin 21

Për të kuptuar gjendjen mendore dhe nivelin e urbanizimit, të zhvillimit tonë kulturor, ndërsjelljes sociale, ekonomike, politike, mjafton të hedhësh sytë përtokë.

Kudo ku të hedhësh sytë gjen mbeturina ushqimore, kocka shpendësh dhe bagëtish të imëta dhe të trasha. Këto lloj mbeturinash shtohen gjatë festave religjioze apo laike. Mund edhe të kuptosh nëse i ka pëlqyer silla ose jo; psh duke observuar gradën në të cilën janë të lëpira ose jo kockat e depozituara përtokë.

Mund të thuhet se mungon vetëm derdhja nga katet e lartme të ndërtesave të qytetit tonë të eskrementeve të lëngëta apo të ngurta – akt i cili, në mesjetë, thuhet se tregonte mbajtjen e higjienës në shtëpi duke e derdhur poçen e shurrës e të mutit jashtë në rrugë, aty ku kalonin njerëzit e tjerë dhe ku do kaloje edhe vetë, pak më vonë.

Shpeshtësia e gjetjes së këtyre mbeturinave, edhe në këtë fundviti 2021, tregon me preçizion antropologjik, social, ekonomik dhe politik dy gjëra: nivelin tonë të jetesës dhe atë të bashkëjetesës.

Kjo të bën të kuptosh rëndësinë që kanë për rracën tonë elementët e jetesës dhe bashkëjetesës si: ligji, kushtetuta, qeverisja, drejtësia, , higjiena, shëndeti, privatja, publikja, individualja, komuniteti …. dhe natyrisht hipokrizinë e “diskutimeve dhe veprimeve” që kryejmë mbi këto çështje.

Është kurioze të mësojmë se si mbahet gjallë trashëgimia krenare e hedhjes së mbeturinave ushqimore, kockave të shpendëve dhe bagëtive të imëta dhe të trasha në rrugë, trotuare, cepa pallati?

Cilët janë agjentët socialë që garantojnë këtë trashëgimi me sjelljen dhe shembullin e tyre: gjyshërit, prindërit, apo fëmijët e rracës tonë shqiptare?

A mësohet kjo në familje, fis apo shkollë? Apo në punë, ose parti politike?

Sa ndikon kjo gjë në rezultatet e PISA? Po ashtu, sa ndikon në këtë sjellje qytetase posedimi i smartphone dhe bërja e botoksit nga femrat dhe meshkujt? Si do ndikohet kjo sjellje me lëshimin e satelitëve nga qeveria në Mars 2022? …

Ju lutemi shperndajeni