Menu Close

Me kundratabelë!

Rrathët më të errët të ferrit janë rezervuar për ata që nuk flasin kur ka krizë morale.
Dante

Shqiptari i sotëm është në thelb katundar. Jo për arsye që lidhen me sektorin e bujqësisë. Kjo do ishte fisnikëri. Katundar se vazhdon të jetë i pazoti të ketë një ideal të zgjedhur lirisht. Katundar se nuk e ka sensin e masës dhe të vetëpërmbajtjes. Katundar sepse i pëlqen vetja dhe hiqet ai që nuk është. Katundar se gjithmonë justifikohet për zullumin që kryen, asnjëherë nuk e pranon atë. Katundar se gënjen pa shkak, ditën për diell. Katundar se do më shumë qelepirin se punën. Por mbi të gjitha Katundar sepse bën hile dhe gjithmonë ha në kandar. Ha në kandarin e së tashmes dhe më keq akoma në atë të së ardhmes. I ha në kandar vëllait të vet dhe fëmijës që do lërë pas. I ha në kandar ligjit, e përthyen, e kapërcen, e shtrëngon e liron e shkel pa remors. Sipas Gallupit katundari shqiptar do fort të bëhet qytetar Europian. Por me mënyrën e vet të zbatimit të ligjit. Duke ecur kundravajtje. Me kundratabelë. Që të legjitimojë kundravajtjen. Kundratabela në çdo akt dhe xhest të katundarisë shqiptare është treguesi kryesor i krizës shoqërore dhe morale që mban mbërthyer vëndin e Shqiponjave në këtë tranzicion vlerash të tejzgjatur, me ç’duket për arsye endemike.
Në këto 23 vjet Shqipëria ka kryer 7 palë zgjedhje të përgjithshme politike. Gjatë kësaj kohe Shqipëria ka bërë një çorap të madh me pronën, ka ulur varfërinë dhe ka rritur urbanizimin, ka hapur rrugë te reja, ka rritur të ardhurat për frymë por dhe analfabetizmin; shqiptarët kanë demonstruar, kanë hyrë në greva urie, kanë zaptuar pronën e tjetrit, kanë humbur lekët tek Sudja në kërkim të fitimit qelepir, kanë sulmuar disa herë Kryeministrinë, kanë një proçes legalizimi ndërtimesh ilegale që nuk mbaron ndërkohe që ndërtimet ilegale vazhdojnë, mund të blejnë diploma universitare pa shkuar në shkollë dhe media e shtyp të lirë, të lirë nuk ka më që prej fundit të dekadës së parë. Ka një progres të dukshëm në përmirësimin e infrastrukturës dhe internetizimin familjar e institucional. Por ka probleme të mëdha të maturimit dhe kohezionit shoqëror, vlerave morale dhe raportit të shoqërisë me politikën, fuqinë dhe pushtetin. Kështu po pregatitet të hyjë në zgjedhjet e 8-ta të përgjithshme politike që pas rrëzimit të diktaturës komuniste.
Sot, pas dy dekadash e përtej që ka fituar lirinë shqiptari vazhdon të përjetojë një krizë besimi. Mosbesues shekullor, ai vazhdon ta mbajë kokën pas tek mentaliteti kolektivist dhe sistemi i vlerave të sistemit komunist. Tek ato mite dhe të vërteta që ai sistem krijoi dhe i mbajti në këmbë përmes institucionit të frikës në gjithshka. Në bashkëjetesën, idetë e lejuara, personalitetin e individit, karrierën e tij, punën, këngën dhe shpirtin. Shqiptari atëhere nuk mendonte në mënyrë të përgjegjshme dhe të pavarur. Ai u mësua t’i besonte si të vërteta, gjithë ç’ka i thuheshin. Kështu pranoi modelin social tek i cili besonte. Totalitarist! Kush më shumë e kush më pak. E gjithë kjo ngrehinë ra në vitin 1990. Ajo ç’ka shqiptarët besonin si të vërtetë, nuk është më prej dy dekadash. Megjithatë, për shqiptarin e pas 90-s, tashmë të lirë, mbetet e vështirë të krijojë një model të ri ku ai të mbështetet, vlera të reja që ai t’i besojë. Të besosh në vlera të reja, në të vërteta të reja, sidomos kur gjithshka që ke besuar më parë, gjithshka që ishte e vërtetë pak më parë, tani nuk është më e tillë, qënka një proçes që shqiptarëve do t’i marrë edhe më shumë kohë. Njerëzit e kanë fituar lirinë. E kanë në dorë atë. Por u djeg dora. Vlerat e shoqërisë së lirë ende nuk arrihen të kuptohen nga shqiptarët. Ndoshta që nga Dhjetori 90 ata kanë fituar vetëm lirinë e fjalës, por ende jo lirinë e mëndjes. Sepse ata e kanë më kollaj të kuptojnë strukturat konkrete të sistemit të mëparshëm, të cilat edhe pse janë zëvendësuar me institucione të reja, të ngjashme me Europën, banohen nga një mentalitet, pothuaj i njëjtë me atë të së shkuarës.
Ksenofobia, nacionalizmi, mendësia e turmës e trashëguar nga periudha komuniste, mbeten ende fort të rrënjosura në shoqërinë shqiptare edhe pas dy dekadash në liri. Njësoj si atëhere kur këto elemente sociale i shërbenin nënës parti për të ruajtur sundimin e saj mbi katundarinë e ndrydhur, ashtu edhe sot ato ushqehen fort nga lidershipi politik shqiptar për të njëjtat arsye; për të sunduar katundarinë e lirë shqiptare. Themeli i diskurit politik të sotëm është ngritur mbi konfliktet e shoqërisë shqiptare të viteve 1912 – 1945 – 1990 dhe nuk ka ndërmend të shkulet që andej. Duket sikur Lufta e Dytë Botërorë në Shqipëri nuk mbaruar ende. E gjithë klasa politike ushqehet atje, dhe sot në 2013 ajo ka arritur t’i ndajë dhe përçajë shqiptarët më fort se kurrë ndonjëherë. Shqipëria dhe shqiptarët e kanë humbur sensin e një destini të përbashkët. Atyre u duket, sikundër dhe janë ndarë politikisht, se fati i Shqiptarëve të PD-së do të jetë i ndryshëm nga fati i Shqiptarëve të PS-së. Dritëshkurtër! Shqiptarët sot janë aq të përçarë dhe varfëruar në shpirt sa njëra palë që gëzon favoret e pushtetit e shtyn, e largon, e shkel, e përbuz, thua se ia do vdekjen në vend palës tjetër. Shqiptarë janë dhe ata. Vëllezërit e tyre. Pala tjetër betohet se do të bëjë të njëjtën gjë sapo të marrë pushtetin. Kjo situatë ka krijuar armiqësi, urrejtje. Një komb i ndarë përgjysëm. Njëra gjysëm do ta shohë gjysmën tjetër të tharë, të mbaruar duke harruar që është e njëjta pemë. Ndoshta njëra gjysëm do të hajë gjysmën tjetër. S’ka asnjë çudi që Parlamenti shqiptar nuk gjen forcën, qoftë dhe formalisht, të qajë hallin e çamëve, viktima të genocidit grek mbi ta.
Mungesa e një tradite demokratike, por dhe mos dëshira për t’i kuptuar dhe zbatuar konceptet e demokracisë njësoj me botën perëndimore, ky acarim shoqëror i përhershëm, dhe nevoja njerëzore për rend dhe stabilitet i shtyn katundarët shqiptarë drejt modelit që ata njohin më mirë, që e kanë besuar për një kohë të gjatë, atë të sigurimit të jetës së tyre duke u strehuar nën formulën e pushtetit absolut të politikës mbi ta. Një miks besnikërie animalesk dhe dallkaukllëku vazhdon të mbetet në bazë të promovimit social dhe politik. Shqiptari i sotëm është po njësoj konformist dhe pasiv ndaj pushtetit. Si të ishim duke përjetuar ndonjë eksperiment të Pavllovit, konformimi me këto kërkesa të forta të pushtetit të perceptuar mbi ta, është e vërteta e vetme që besojnë shqiptaret sot e kësaj dite, edhe pas 20 vjetësh në liri.
Boshllëku i krijuar pas 90-s në sistemin e vlerave të shoqërisë dhe individit shqiptar me ç’duket do kohë të mbushet. Të gjitha proçeset e pambaruara psiko-krahinore, fetare dhe tradicionaliste brënda vëndit vazhdojnë ta mbajnë hapur vakuumin e sistemit të vlerave me të cilat shqiptari të mund të identifikonte veten. Ai është në një krizë të vazhdueshme identiteti; sistemi i vlerave i bazuar kryesisht mbi detyrimin dhe 10 cilësitë e komunistit tani nuk ekziston. Shqiptari tani ka fituar lirinë por ka humbur të vërtetën. E vërteta më parë rridhte nga goja e liderit, ishte monopol i liderit dhe abstraktit të partisë. Ata përcaktonin kush ishte e mira, e keqja, e bukura e shëmtuara, e drejta e gabuara. Shqiptari ishte mësuar të identifikonte veten mes këtyre të “vërtetave”.
Askush nuk ka monopolin e së vërtetës në shoqërinë e lirë, prandaj shqiptarit në këto dy dekada i është dashur të ndërtojë një sistem vlerash me të cilin të identifikohet. Nuk ka qosur gjë. Më shumë ka bërë rrëmujëra të tipit të ‘97-s, dhe ka nxjerrë në skenën e përditshme së paku nga dy versione për të gjitha, absolutisht të gjitha ngjarjet në historinë e Shqipërisë, me përjashtim të ditës së shpalljes së pavarësisë në 28 nëntor 1912 në Vlorë. Edhe për gjuhën shqipe diskutohet nëse është kjo që flasim e shkruajmë apo ndonjë variant tjetër. Gjithshka është vënë në diskutim. Me 2.8 milionë e pak rezidentë kemi mbi 50 parti politike, mbi 50 universitete emrat e jashtëm të cilëve të lënë pa frymë. Planetarë?! E të tjera e të tjera. Të gjitha këto tregojnë sa larg janë shqiptarët nga krijimi i një identiteti të tyre dhe një sistemi vlerash europiane. Ai është i ndërtuar mbi familjen, ndershmërinë, dashurinë, besimin, punën, respektin, tolerancën dhe bashkëjetesën. Ky është nje sistem vlerash që ka më të rëndësishme marrëdhëniet në komunitet sesa autonominë individuale, diversitetin kundrejt unitarizmit, cilësinë e jetës kundrejt bërjes së pasurisë mullar, zhvillimin e qëndrueshem dhe jo arnat e përkohshme.
Shqiptari i lirë deri tani ka zgjedhur të preferojë në mënyrë më dominante forcën, zaptimin, urrejtjen, fitimin e lehtë dhe intolerancën. Modeli i tij i suksesit është një i pushtetshëm i fortë dhe i pasur, që vjedh dhe nuk i hyn ferrë në këmbë, dhe që i zgjidh punët me telefon duke shkelur sa më shumë rregulla, dhe pse jo, ka edhe nja dy diploma universitare në xhep. Burimi i së vërtetës dhe identitetit sipas modelit të vjeter, pra lidershipi i sotëm politik, është vetëmëvete i dyzuar mes deklaratave të tij për përqafimin e vlerave Europiane dhe veprimeve që i duhet të kryejë për të mbajtur pushtetin. Kriza e identitetit ndër shqiptarë është më e fortë tek këta njerëz që zotërojnë pushtet. Këtu katundarizmi është shumë i madh. Tjetër thuhet dhe tjetër bëhet. Në fakt, përdorimi i modelit të vjetër të vlerave dhe skemave të vjetra ende garanton më tepër ndikim tek shqiptarët sesa përqafimi i sistemit europian të vlerave, të cilin formalisht themi se duam ta adoptojmë.
Shoqëria shqiptare është ende nën ndikimin e një force historike-psikologjike shumë të fuqishme që sfidon hapur vlerat europiane. Paternalizmi, ose tribalizmi siç kanë filluar t’i thonë së fundmi. Këtu janë brënda të gjithë. Kjo formë katundare të menduari dhe të vepruari dje dhe sot, është kategorikisht më institucionale se Kushtetuta dhe gjithë ligjet e tjera. Klani, fisi dhe lideri i vetëm, janë ende dallueshëm dominues në të tashmen tonë. Shqiptari akoma ndjehet më mirë kur dikush tjetër mendon për të, pavarësisht se e ka formalisht lirinë individuale. Ai ende nuk ka fituar e zhvilluar kapacitetin t’i gjejë arsyet e ekzistencës së tij si individ. Nuk e pyet veten: Cili jam une? Çfarë bëj unë? Ai varet ende nga çfarë xhevahirësh do nxjerrë nga goja lideri i tij në lidhje me të tashmen dhe të ardhmen e tij si person, dhe të familjes së tij gjithashtu. Ai ekzaltohet në shprehjen e besnikërisë – jo nga dashuria, porse bazuar në një ndjenjë më instiktive utilitarizmi – ndaj liderit të vet; edhe në raste ekstreme nga çatia e shtëpisë me dy kate të përmbytura nën ujë siç kemi parë të ndodhë sa herë përmbytet nën-Shkodra.
Edhe pas dy dekadash ekspozim të individit dhe shoqërisë tonë ndaj dritës që vjen nga Europa – ne nga pozicioni ynë nuk kemi të drejtë ta përflasim sipas zakonit tonë këtë dritë; ajo sidoqoftë ndriçon më shumë se qiriri ynë – modeli paternalist mbetet i ngulitur në ndërgjegjen e shoqërisë shqiptare. Mbizotërimi i instikteve dhe jo moralit, ekstremizmit dhe jo dashurisë, urrjetjes dhe jo paqes, armiqve dhe jo vëllazërisë në të përditshmen shoqërore, mediatike, politike duket se është modeli i vetëm që njohin të kalërojnë liderat e sotëm shqiptarë. Me ç’duket ky është kodi social dhe moral që kuptojnë më mirë shqiptaret. Me ç’duket është ai që jep më shumë rezultat. Pa humbur kohë. Tani. Kjo “tani” dy dekadash po tejzgjatet. Por është pikërisht ky model që nuk e lë shoqërinë shqiptare të bëhet pjesë e perandorisë së perëndimit. E mban atë të mbërthyer fort tek ajo e lindjes.
Shqipëria e sotme vazhdon të mbetet e pafuqishme moralisht. Zakonet, rregullat, besimi tek Zoti dhe fisnikëria e stër-stërgjyshërve tanë Europianë janë shumë larg për t’i dhënë asaj forcë. I gjithë sistemi i vlerave të shoqërisë shqiptare, dhe mentaliteti i njerëzve duket sikur ka frikë të shkëputet nga një e shkuar më e afërt. Ajo mbetet më konkrete. E ardhmja është ideale, spirituale. Shqiptari, duket e ka shumë të vështirë të shkëputet nga siguria që i jep e shkuara që mendon se e njeh dhe t’i dorëzohet të ardhmes, për të cilën nuk arrin të ketë një perceptim.
Pasiguria për të ardhmen shtohet nga mungesa e ideve. Idetë e kanë vështirë të formohen për sa kohë trashëgimia historike, shoqërore dhe politike e Shqipërisë në mendjen e shqiptarëve modernë është së paku me dy versione. Nuk ka paqe në atë që gjyshërit i tregojnë nipërve, e as në atë që ca etër ia pështyjnë në surrat ca etërve të tjerë dhe anasjelltas. Shqipëria duket sikur është në luftë civile apo luftë klasash të përhershme. Shqiptarët sokëllijnë që në pikë të mëngjesit tek Bashkimi, dhe ashtu njësoj deri në mes të natës në rrjetet sociale më të fundit. Me duf të pashtershëm e me gabime ortografike afër analfabetizmit. Boll që të hedhësh një sy tek komentet poshtë shkrimeve të ndryshme të publikuara në internet. Lufta mes palëve është totale. Kudo. Shumica e tyre as e ka idenë se për çfarë flitet, e ka me të dëgjuar ose me të urdhëruar. Por istikamin nuk e lëshon. Dhe nuk lë asgjë që të zërë vënd. Shqiptarit që i vjen rradha të rritet sa për të votuar mbetet ende pa një identitet, por mbi të gjitha konfuz.
Konfuzioni për çdo gjë në mëndjen e shqiptarit është frut i rënë nga qielli për të mbijetuar në politikën vendase me mentalitetin e së shkuarës. Sot në Shqipëri ka shtresa që akoma nuk kanë arritur të mendojnë për lirinë e tyre si individë, le më ta kenë bërë atë pjesë të ekzistencës së tyre. Shoqëria e sotme vazhdon të mbetet e ideologjizuar. Më parë kishim vetem ideologjinë puniste të nënës parti, tani kemi ideologjinë e dy nënave parti. Njëra palë betohet se është mbartëse e së vërtetës, pagabueshmërisë, të drejtës, të mirës, pasurisë, asfaltit. Pala tjetër betohet se do sjellë të vërtetën, të drejtën, të mirën, pasurinë e se do t’i ketë në zemër Shqiptarët më shumë akoma, sapo të marrë pushtetin. Duke filluar gjithshka nga e para. Metoda kryesore e ushtrimit të politikës mbi shqiptarin, në mungesë të nenit 55 të kushtetutës së vjetër, është përndjekja administrative, përjashtimi nga partia, dhe diskriminimi personal, me fis, me farë e biznes. Pamje e njohur, apo jo?
Nën këtë presion Shqiptari ende ndjen nevojën të fshihet në mendësinë e turmës që të mbijetojë. Në turmë, mund t’i kapi dora ndonjë gjë pa rënë në sy. Në turmë është ngrohtë, duket sikur janë të gjithë njësoj fitues apo bashkëfajtore. Në turmë nuk të pyet njeri kush je, nga vjen, çfarë bën e ç’do të bësh, se e kanë mëndjen tek lideri dhe tek llokmat që ai shpërndan. Kujdes! Ky shqiptar nga larg nuk dallohet nga europiani. Ndoshta vishet më mirë se ai. Shpeshhere ka shtëpi dhe makinë me të shtrenjtë se mijëra europianë. Lexon rrjedhshëm Financial Times apo The Economist. Ndonjë syresh ka blerë dhe faqe e shkrime në këtë shtyp europian kur e ka dashur “nevoja kombëtare”. Megjithatë, të gjitha këto posedime nuk e afrojnë atë me një europian. Ai nuk është në gjëndje të ndërtojë tempullin e vet të vlerave. Individi shqiptar do të mbetet shkatërrues dhe jo ndërtues, për aq kohë sa idealet e tij janë hileja, pozita, pushteti e fitimi dhe jo bashkëjetesa, besimi tek Zoti, tek e drejta dhe tek rregulli.
Qytetari europian kur bën diçka e bën me vullnet të lirë, krejt i çliruar shpirtërisht, i pavarur dhe me ndershmëri, pa hile, duke e quajtur veten të barabartë me të tjerët, duke i dhënë rëndësi racionalitetit, dashurisë për tjetrin, besimit tek zoti dhe mëshirës për nevojtarin. Shqiptari, shumicën e gjërave e bën ende me një përtesë orientale sepse është i detyruar t’i bëjë nga rrethanat apo se ia kërkon lideri; për të ka më shume rëndësi të duket se të jetë, ndërsa besimin tek Zoti e ka shitur shumë shekuj të shkuar vetëm për krijuar ndonjë avantazh ndaj të tjerëve. Që prej Iskander-Beut një shumicë shqiptarësh e ka parë besimin tek zoti si mundësi materiale, si një monedhë për të blerë një të nesërme më të mirë. Jo si një trashëgimi, qëndrueshmëri, përkatësi apo vlerë themelore që e lartësonte si qënie, por si si punë part-time. Rezultatet? Vëllai urren vëllain. Mëshira dhe dashuria për njëri tjetrin nuk jeton në Shqipëri.
Pasja e vlerave morale është çështje e lidhur direkt me aftësinë dhe dëshirën për bashkëjetesë, për rregulla të njëjta për të gjithë. Vlerat morale, mos vidh, mos merr gjënë e tjetrit etj., e kanë humbur kuptimin në Shqipëri sepse rrallë ndodh që të dënohesh për to. Shqiptari nuk percepton asnjë rrezik nga thyerja e rregullave minimale të bashkëjetesës dhe respektimit të tjetrit. Ai do të fusi ç’i ha syri brënda gardhit të shtëpisë së vet. Lëndina, pyje, pallate, pushtet, fitim. As i bëhet vonë që janë të të gjithëve. Apo të dikujt tjetër. Për këtë arsye, të qënurit me pushtet, politikan pra, është bërë pozicioni më i lakmuar mes katundarisë sepse ky kuptohet si zanat ku mund të bësh të gjitha zullumet e kodit civil dhe penal dhe pastaj t’i japësh mend miletit pa të hyrë gjemb në këmbë, përkundrazi të të shërbejnë të gjithë.
Është shumë e rëndësishme që individi shqiptar që voton në vitin 2013 t’i bëjë ca pyetje vetes. Gjithmonë brënda dëshirës dhe mundësisë. Për të kuptuar ç’ka bërë. Me shpresë që të kuptojë se ç’duhet bërë më tej. Çfarë zhvillimi ka marrë demokracia shqiptare? A është e mundur që përmes zbatimit të saj shoqëria shqiptare të dalë njëherë e mirë nga dilemat që e mundojnë? A do arrijë dot shoqëria shqiptare të gjejë të vërtetën? A do arrijnë shqiptarët të krijojnë një qendër, një tempull të vlerave morale të tyre që i duan njësoj të gjithë e me të cilat të identifikohen, apo do mbeten të shpërndarë sekush për hesap të vet? A do mund ndarja mes shqiptarëve të kthehet në dashuri vëllazërore? A do të udhëtojë shoqëria shqiptare drejt Europës, apo thjesht do gjallojë pranë saj?
Sistemi shqiptar i vlerave është ende larg një ndërgjegjeje kolektive që e sheh ligjin dhe rregullin si të vërtetat brenda të cilave shqiptari të identifikojë veten. Shpirti luftarak që përcjellin në fjalën dhe vepren e tyre liderat e djeshëm dhe të sotëm fanatik nuk është dhe nuk mund të jetë zëvendësues i ligjit. Pra, mund të flasësh me forcë, t’i bësh mushkëritë copë, duke tundur gishtin, duke u ekzaltuar deri në infinit, por asnjëherë kjo nuk do të të bëjë më të besueshëm, aq më shumë të zëvendësojë ligjin, rregullin dhe institucionet. Në fakt shumicën e ligjeve i kemi në rregull ne. Problemi fillon me vendimet e Këshillit të ministrave e poshtë. Pra me zbatimin e tyre. Me vullnetin për ta bërë këtë gjë. Duket sikur një dorë e padukshme, një marrëveshje e fshehtë, nuk e lë shoqërinë shqiptare të lëvize. E mban tek tendenca për qelepir. Respekti për ligjin në vend të forcohet, dobësohet, ndërsa ka një mosbesim total ndaj çdo ideje apo qëllimi të përbashkët, që del jashtë sinoreve ku janë ngujuar fanatikët e njërës apo tjetrës palë. Këto dy dekada të Shqipërisë mund të përmblidhen si dy dekada konfuzioni dhe korrupsioni, një miks kapitalizmi përtac dhe kaosi.
Në rast se Shqipëria është kjo që është sot, me këto probleme, kjo është vepër e njeriut dhe jo e Zotit. Janë njerëzit shqiptarë që zgjedhin urrejtjen dhe jo dashurinë, dhunën dhe jo paqen, zaptimin dhe jo bashkëjetesën, përgojosjen kundrejt lavdërimit, krenarinë në vend të përunjësisë.
Shqipëria ka një koncept statik të zhvillimit të saj. Atë të një pellgu me ujë të ndenjur. Pas shembjes së miteve dhe idhujve të komunizmit, nga ku sapo ka kanë kaluar dy dekada, Shqipëria ka krijuar rishtaz dy idhuj që mbizotërojnë jetën e shqiptarëve; ka edhe ca të vecërr që trashin zërin, por përveçse kanë formatuar rreptë klanet e tyre të vogla agresive, nuk shtojnë as ujë as oriz. Por prapëseprapë këta idhuj janë individë dhe jo ide apo sisteme vlerash të qëndrueshme. Shqipëria e sotme është ndarë në dy grupime Berishë-centrike dhe Ramë-centrike. Pjesëmarrja në këto grupime është gjëja më e rëndësishme për shqiptarin sot. Asgjë nuk ka më tepër rëndësi. Ngulja ne politike e vetem disa individëve eliminon proçesin dhe progresin, prandaj në këto dy dekada nuk është se kemi bërë shumë përpara. Me presupozimin se jane politikanët ata që duhet të mbjellin progresin në shoqëri, janë ata të parët që duhet ta përqafojnë atë. Rrjedhja e ujit të freskët duhet të ndodhë brënda partive politike në mënyre automatike. Pa mundim. Bëre dy mandate në krye të partisë që udhëheq, ik largohu, hape krahun. Dy mandate gjithësej. Jo dy të njëpasnjëshme, një vit pushim, dhe pastaj dy të tjera. Por jo, liderat politikë janë vetëpërmbushur me idenë se Zoti u ka dhënë atyre patentën e pagabueshmërisë. Se ata kanë sferën e kristaltë dhe mbajnë të ardhmen në mëndjen tyre dhe ajo derdhet drejt shqiptarëve përmes buzëve të tyre si pluhur magjik në përallat me princër e princesha. Ndoshta mendojnë se janë princër. Apo princesha? Apo ndoshta mendojnë se janë vetë Zoti?
Politika e sotme në Shqipëri e nxit fort fanatizmin me çdo gjë të sajën, me shpërndarjen dhe rishpërndarjen e favoreve dhe emërimeve, dhe sidomos me retorikën e saj. Thua se e di që kur urrejtja fanatike e turmave përkatëse do të fillojë të zbehet, po ashtu do të zbehet edhe mbështetja primitive për të. Do t’i bjerë vlera dhe nuk do të jetë më në gjëndje të mbajë në kurth të përhershëm shoqërinë shqiptare, të tashmen dhe të ardhmen e saj. Megjithate, shoqëria shqiptare vazhdon me këmbëngulje të identifikojë si problemin e saj, apo zgjidhjen e këtij problemi tek një lider apo dy lidera, këtej e andej rreshtimeve që shfaqen formalisht si parti politike. Sepse ajo nuk ka asnjë trashëgimi demokracie. Përkundrazi ka tendenca autokratike. Sistemi i sotëm elektoral e amplifikon këtë fenomen. Ai nuk e nxit lirinë individuale, por e shtrëngon individin të bëhet thjesht një numër në falangat politike, dhe më shumë akoma i heq atij lirinë për të zgjedhur, duke i imponuar zgjedhjet personale të liderit përkatës. Ky sistem nuk prodhon qëndrueshmëri dhe as e afron shqiptarin me Europën. Ky është një sistem që nuk e zhvillon Shqipërine, nuk e civilizon në asnjë mënyrë katundarinë shqiptare. Që të mendojë dhe veprojë individualisht dhe të mbajë përgjegjësi për atë çka kryen po individualisht. Të lartësohet në ekzistencën e saj tokësore. Të shkëputet përfundimisht nga mendësia e turmës dhe frika e pafundme nga lideri.
Nga kjo pikëpamje, sot zjedhjet janë gjoja të lira. Të dyja palët e kanë futur në kurth dhe mbërthyer për fyti, apo në ndonjë vend tjetër ku dhemb më shumë, të gjithë shoqërinë shqiptare. Të dy palët, në ushtrim të skemës paternaliste, kanë përgatitur lista me besnikët e vet si të jenë kafshëza shtëpiake dekorative-shoqëruese deri tek mesi i listës, ku egziston garancia se ata do të zgjidhen se s’bën. Individi shqiptar është krejt i pafuqishëm. I vetmi moment kur individët kryejnë një veprim së bashku për të ndikuar jetën e vet, pozicionin dhe mirëqënien e vet personale dhe shoqërore është votimi. Ky është i vetmi moment kur shqiptari mund të arrijë të ketë një kohezion shoqëror për shkak se po voton. Në mënyre të pavarur. Me mëndjen e vet. Por jo. Kush të tha ty të mendosh? Pozicionin tënd në shoqëri dhe mirëqënien tënde e vendos lideri, kryetari. Lista, emrat në listë, arroganca me të cilën ato i janë përplasur në fytyrë shqiptarit në 2013-n është si një grusht në stomak që të lë pa frymë. Të heq çdo argument që mund të kishe në favor të njërit grupim politik apo tjetrit. Fuqia e qytetarit në demokraci ka ngecur në kurthin e sistemit elektoral. Demokracia është pushteti i qytetarëve por për shkak të këtij sistemi evolucioni i demokracisë shqiptare në këto dy dekada ka kaluar nga pushteti – që e rrëzuam – i vetëm një “qytetari”, tek pushteti de facto i vetëm dy qytetarëve. Po 2.8 milionë e kusur të tjerët? Ata janë të detyruar të “shijojnë” këtë zgërdhirje kushtetuese. Të miratuar me konsensus në Parlament. Me bekimin dhe dritëshkurtësinë edhe të ndërkombëtarëve. Nga ata që duan të vazhdojnë të jenë padronë të mëndjes dhe shpirtit të shqiptarëve. Voto këtë që të kam vendosur unë! Me detyrim me përcaktim. Si për zgjedhjet e Frontit Popullor përpara 90-s.
Sistemi elektoral që kemi sot i bën politikanët totalisht të demotivuar për të qënë agjentë të ndryshimit, zhvillimit dhe lartësimit shoqëror dhe shpirtëror të shqiptarëve. Siç duhet të ishin dhe janë kudo në botën e zhvilluar. Përkundrazi, atyre u intereson pozita e forcës e arritur pa mundim. Presioni i politikës e kë bërë katundarin shqiptar ta trajtojë votën e tij njësoj siç trajtoi fenë e tij pesë shekuj më parë. Ta tregtojë atë. Si një prostitutë e cila nuk kuptohet mirë e bën nga halli apo nga qejfi. Ky presion kaq i madh i politikës dhe mbarë shoqërisë në bashkëfajësi i ka përthyer, përkulur dhe rrafshuar me tokën edhe ata pak intelektualë që mund të ketë ky vend. Ata janë si një torbë e zbrazët që nuk rri dot në këmbë; janë një zëth i pafuqishëm ta ndryshojnë këtë mentalitet. Kjo tregon rrënjët e holla, të cekëta e anemike të demokracisë shqiptare dhe helmin që mbart instrumenti kryesor i ushtrimit të saj, vota e shqiptarit. Ajo është një votë e helmuar. E telekomanduar. Ajo është një votë që nuk e çon shqiptarin drejt Europës, por e mban në krizën e tij të besimit, dhe të identitetit. Është si një batanije e hedhur mbi kokën e shqiptarit për ta fshehur atë tek skema paternaliste. Atje ku një individ mendon për të tjerët, e ku për fat të keq, shqiptari vazhdon të ndjehet më i sigurtë.
Ka shqiptarë që përgjërohen dhe hakërrehen që të ketë rrotullim politik. Siç ka që bëjnë të njëjtën gjë që të mos ketë. Nga ky rrotullim, që mund të jetë 180 gradë apo 360 gradë për Shqipërine nuk ndryshon dhe nuk do të ndryshojë asgjë. Forcat politike janë formatuar mbi të njëjtin koncept dhe përdorin apo duan të përdorin të njëjtat instrumenta të pushtetit. PD-ja është një parti e re e krijuar në vitin 1990, ajo mbart brenda saj të gjitha problemet e shoqërisë shqiptarë që përmendëm në fillim. Porse këto difekte janë dhe mundësite e saj më të mira për t’u përmirësuar. PS-ja është një parti e krijuar në vitin 1941. E vjetër, e konsumuar, e ri-cikluar disa herë, pa forcën për t’i trajtuar këto difekte të shoqërisë ndonjëherë gjatë jetës së saj të gjatë. Përkundrazi, ruajtëse e tyre për 45 vjet rresht. Ajo sot është opozitë, mbetet të shihet a do të jetë edhe alternativë. Në këtë Shqipërinë e sotme, në çdo rast, ku problemet që folëm më lart janë ato që duhen zgjidhur më së pari, ky rrotullimi politik aq i përfolur dhe i amëshuar, është si ai rrotullimi i pedaleve të një biçiklete, të cilës i ka dalë zinxhiri. Rrotulloji sa të duash!
Parlamenti shqiptar që do të dalë pas zgjedhjeve të 23 qershorit do të ketë njerëz që shprehin vullnetin e dy liderave politikë në Shqipëri. Mund të ketë njerëz të shkolluar, si dhe njerëz që kanë blerë diplomën, mund të ketë njerëz të përkorë që e duan punën, e respektojnë pronën dhe besojnë tek Zoti, por mund të ketë njerëz për të cilët flitet apo dihet se janë ende të droguar, të falimentuar, që nuk paguajnë taksat dhe që shkelin ligjet. Dikur këta të fundit fshiheshin në ndonjë shpellë, nesër do të strehohen në Parlament, në “tempullin e demokracisë”. Këta i kane zgjedhur liderat. Këta janë shëmbëlltyra e liderave. Këta do bëjnë ligjet. Këta nuk i kanë zgjedhur njerëzit. Por ata janë bashkëpunëtore, janë bashkëfajtorë. Të detyruar, të zënë në kurth, të telekomanduar por janë ama. Kjo dijeni shoqërore asnjëherë nuk do të çojë tek zbatimi i ligjit dhe rregullit. Përkundrazi, në këto kushte, duket sikur moszbatimi i ligjit është pikërisht ajo marrëveshja e fshehtë që nuk e lë shoqërinë shqiptare të lëvizë, duket se është kontrata sociale që nënshkruajnë shqiptarët sa herë dorëzojnë votën me këtë sistem elektoral.
Unë besoj se shqiptari e njeh ndershmërinë, dashurinë vëllazërore, punën, respektin, tolerancën dhe bashkëjetesën. Por asnjëherë nuk ka qënë aq i fuqishëm si individ dhe shoqëri që t’i vendosi këto përfundimisht në themelet e tempullit të vet. Sepse gjithmonë lidershipi i tij është kujdesur që ai të mbetet një rrëmbythje. Pa tempull. Mendoj se shqiptari është në gjendje të ketë një besim të pastër tek Zoti, por varfëria e madhe shpirtërore ku ai është kumbisur për një kohë të gjatë nuk e ka ndihmuar ta lartësojë shpirtin dhe mendjen. Besoj se shqiptari e do ligjin dhe rregullin që e zbatojnë të gjithë, por thjesht shpejton ta interpretojë sipas interesit kur sheh që edhe ndokush tjetër e bën këtë gjë. Trashëgimia e varfër në demokraci bën që dhe forca e institucioneve e vullneti për zbatimin e ligjit të përthyhen përpara vështirësive e boshllëqeve në formimin e shoqërisë shqiptare. Ky është problemi kryesor që pengon progresin e Shqipërise.
Proçesi i integrimit europian kuptohet ende mjegullt. Ai ende nuk ka forcen e duhur që të bëhet një pol i fuqishëm për ta tërhequr shoqërinë shqiptare drejt sistemit të vlerave të Europës. Ndoshta Europa na pranon edhe kështu siç jemi?! Ndoshta e bën për të na shlyer ndonjë borxh shekullor, apo pse gjeopolitikisht është zgjidhja e vetme për të mos na lënë prapë në dorë të perandorisë otomane. Shqipëria në Europë?! Amin! Atje ku ligji dhe rregulli janë e Vërteta! Sidoqoftë më shumë se në Shqipëri. Edhe pse kjo mund të ndodhë, përvetësimi i sistemit të vlerave të një Europiani është rrugë e gjatë. Nuk është një akt formal anëtarësimi. Ky udhëtim, që në fakt ështe më i rëndësishmi, do të marrë kohën e vet. Por shqiptari nuk mund të rrijë përjetë pranë dritës me sytë e mbyllur fort nga frika se mos drita ia verbon ato. Si fillim shoqëria shqiptare duhet çliruar nga kurthi.
Mund të ketë pikëpamje të ndryshme se si shoqëria shqiptare çlirohet, përmirësohet, lartësohet. Bëhet më e dashur, më liberale, më europiane. Nga diku duhet filluar. Personalisht, mendoj se mund të fillohet nga sistemi elektoral shqiptar. Ai, i vendosur mbi shtratin e paternalizmit, është kurthi. Duhet ndërruar ky sistem elektoral që prodhon autokraci. Ky sistem që çimenton liderin me gjithë delirin e tij, çimenton edhe paternalizmin në një shoqëri që ka një trashëgimi të fortë të kësaj forme atavike organizmi shoqëror dhe që ka kriza të besimit dhe identitetit siç është shoqëria shqiptare, fresko fare në demokraci.
Sistemi elektoral që i duhet Shqipërisë për të dalë nga kurthi është një sistem mazhoritar i pastër me një raund. Ky sistem e dobëson pushtetin absolut të liderit e politikanit dhe i jep fuqi qytetarit. Ky i fundit bëhet përgjegjës për zgjedhjet që bën. Nuk mund të fshihet në bashkëfajësinë e turmës. Nuk ka kujt t’i ankohet për zgjedhjet e veta. Ato mund të jenë të gabuara, por që mund të korrigjohen në krye të katër vjetëve. Qytetari merr fuqinë të të rrotullojë, dhe jo politikani. Ky sistem i detyron politikanët të dialogojnë me qytetarin, por dhe mes tyre, të arrijnë marrëveshje të bazuara mbi idetë e individit, dhe jo mbi dobinë që ka kafshëza shtëpiake për liderin. Ky sistem prodhon një parti politike më të fortë dhe shumë herë më të vëmendshme ndaj qytetarit nga ky që kemi sot, që e shkel atë me këmbë. Deputeti i zgjedhur nga ky sistem ia detyron privilegjin qytetarit dhe jo liderit. Shpirti i tij i përket shoqërisë dhe jo delirit të një personi. Sa më gjatë të ketë një sistem mazhoritar të pastër me një raund, aq më shpejt do të emancipohet shoqëria shqiptare. Aq më shpejt do të bëhet pjesë e sistemit të vlerave Europiane. Deri atëherë, shqiptari, me fis e me farë do të jetë në kurth! Natyrshëm, do mundohet ta lehtësojë veten. Me kundratabelë!

Ju lutemi shperndajeni