Menu Close

Protestë apo Pritë?

Ka disa ditë që Pedagogët e universiteteve publike, të paktën një pjesë e tyre, po protestojnë se duan rritje rroge. Janë në të drejtën e tyre. Pra, pedagogët duan të fusin në xhep një copëz më të madhe nga buxheti i shtetit, nga sa marrin aktualisht. Sepse duan përmes një rrogë më të lartë të kenë më shumë mundësi, e të ndjehen edhe me më shumë dinjitet.

Përveç partive politike që përpiqen të përfitojnë nga çdo lëvizje, sadopak më e freskët se gjirizet e tyre, dhe sherrit mes pedagogeve dhe Rektorëve – këta të fundit të kthyer në rolin e Qehajait të Qeverisë, njerëzit në përgjithësi po e përcjellin me një lloj indiference, në kufijtë e mosmbështetjes, këtë kërkesë dhe protestë të pedagogëve për rritje rroge, për rritje të peshës apo kostos së tyre në buxhetin e shtetit.

Pse kjo indiferencë? Ndoshta sepse njerëzit e perceptojnë peshën e pedagogëve të univesiteteve në xhepat tanë më të lartë sesa vlerën reale të tyre. Ndoshta njerëzit mund të mendojnë se pedagogët kanë më shumë një vlerë teorike sesa praktike për të ardhmen – dhe të gjithë e dimë se çfarë ka parasysh shqiptari kur të gjykon si teorik. Ndoshta ata mendojnë se pedagogët po duan të rëndojnë më shumë sesa kanë vlerë. Ndoshta kanë arritur njerëzit të mendojnë edhe për dobinë marxhinale të pedagogëve – sa më shumë pedagogë aq më pak vlejnë.

Pra, mund të jetë që njerëzit i shohin pedagogët më shumë si një e keqe e domosdoshme në një fazë të jetës së tyre, sesa një dobi personale apo publike ndaj të cilës duhet treguar kujdes e mbështetje. Prandaj dhe indiferenca …

Po pse kështu? Ndoshta njerëzit i shohin pedagogët e universiteteve, thjesht, vetëm ashtu si pedagogë …. por jo si Mësues. Një pedagog duhet të jetë edhe mësues. A janë të gjithë pedagogët edhe mësues? Ku është dallimi, pra vlera e shtuar ose e munguar?

Mësuesi inspiron! Sipas meje Dinjiteti i një Mësuesi është pikërisht tek aftësia e tij për të inspiruar nxënësit e tij. Një Mësues nuk të mëson thjesht të shkruash, por të inspiron të shkruash …

Mendoj se Pedagogu-Mësues merr mbështetje nga njerëzit, ndërsa Pedagogu-Pedagog indiferencën e tyre.

Nga ky këndvështrim, ndoshta do ishte gjëja e duhur të mendohej se dinjiteti i pegagogëve është në proporcion të drejtë me sa i vlefshëm, sa dinjitoz, sa i inspiruar ndjehet çdo student kur del nga klasa e secilit prej tyre. E këtu ndoshta, në mënyrë të pavullnetshme jam duke menduar për forcën me të cilën arsimi është i lidhur me tregun e punës.

Për të gjitha këto, pedagogët fillimisht do duhet ta gjejnë përgjigjen vetëm tek vetja, përpara se ta kërkojnë tek njerëzit apo edhe tek qeveria. Në mënyrë që Protesta e tyre të shihet si një premtim për të ardhmen, si një inspirim për njerëzit, e mos ndjehet, e shihet e aq më shumë të anatemohet si Pritë ndaj karrocës së Buxhetit të Shtetit!

Ju lutemi shperndajeni