Menu Close

Pa tjetër zgjidhje!

“Edukimi është i shtrenjtë, por injoranca akoma edhe më shumë!”

Një fjalë e urtë kineze thotë: Nëse planifikon për 1 vit, mbill oriz, nëse planifikon për 10 vjet mbill pemë, nëse planifikon për 100 vjet, arsimo njerëzit. Ne, në këto tre dekadat e fundit fillimisht siguruam ushqimin (orizin), këto vitet e fundit kemi mbjellë palma dhe pemë, e megjithatë shqiptarët ikin po njësoj si atëherë kur nuk kishin as ushqim, as palma dhe as pemë, prandaj tani mendoj se ka ardhur koha të përqendrohemi fort tek arsimimi i njerëzve.

Çfarë po ndodh sot në botë? Bota e sotme dominohet nga gjigandë si Google, Amazon, Microsoft, Apple, Facebook. Ata sot mbledhin, përpunojnë, analizojnë dhe përdorin të dhënat tona, mendimet, shijet, preferencat tona, produktin më strategjik të shekullit, “naftën” e shekullit 21, produktin e mendjes së njerëzve. Ne të gjithë, edhe nga Shqipëria, sot “punojmë” të kënaqur për këto kompani, me çdo klikim që kryejmë, me çdo search që bëjmë, dhe as nuk paguhemi për këtë. Ndërkohë parashikimet që dëgjojmë çdo vit në Davos, në Forumin Ekonomik Botëror na thonë se pas 10 vjetësh, në vitin 2030, ndoshta 80 % e profesioneve që njohim nuk do ekzistojnë. Ups! Po ne ku jemi përballë kësaj të ardhmeje që ndërkohë është duke ndodhur me një shpejtësi marramendëse?

Në fakt, ne nuk kemi ujë të pijshëm brenda në banesë, pra jemi të detyruar ta blemë me shishe, dhe kemi karburantin nga më të shtrenjtët në Europë, dhe më të keqin në Europë. Lindjet kanë rënë nga 82.000 në 1991, në 28,934 në 2018. Papunësia është e lartë sidomos tek të rinjtë, ndërsa inflacioni mbetet i ulët – nuk ka kush ta ngrejë, as shpenzime as investime. Vendimmarrja ekonomike e shqiptarëve është më së shumti thurja e planeve si të largohen nga vendi. Kemi renditjen më të dobët në çdo indeks zhvillimi, konkurrueshmërie, mjedisi biznesi, varfërie, aksesi në infrastrukturë, në ICT, në produktivitetin e ekonomisë. Investimi në Edukim nuk i kalon 2.9% te GDP ndërsa shpenzimi për kërkim dhe zhvillim shkencor është sa 0.001% e GDP – përsëri të fundit në rajon. Pra, kemi një ekonomi të dobët, të pazonjën të krijojë perspektivë, të krijojë zhvillim. Si mund ta ndryshojmë këtë?

Që të arrijmë të kemi zhvillim ekonomik na duhet të rrisim produktivitetin.

Ka dy mënyra për ta bërë këtë. Rritja e produktivitetit të kapitalit fizik dhe teknologjik ose rritja e produktivitetit të kapitalit human.

Kapitalin fizik dhe teknologjik do ta blejmë gjithnjë. Sa frëngu pulën. Ne, nuk mund ta mbushim hendekun e zhvillimit që kemi, sidomos atë fizik çfarëdo të bëjmë. Sa për të marrë një shembull të këtij hendeku: ndërsa ne mezi mbarojmë së shtruari me zift disa kilometra rrugë në vit, Franca ka filluar t’i shtrojë rrugët me panele diellore. Tendencat për mbushje të hendekut fizik kanë karakter më shumë elektoral sesa zhvillimor, sidomos për shkak të fragmentimit politik të shpenzimeve, nje rrugë atje, një rrugicë këtu, ca pllaka tek ky sheshi, një pemë, apo një palmë atje tej, etj. E përsëris, ne, si vend nuk mund ta mbushin hendekun e zhvillimit për të kaluar nga krahu tjetër. Siç thuhet në një raport të BERZH për konvergjencën e Ballkanit Perëndimor me mesataren e standardit të jetesës në BE, nga sot Shqipërisë do t’i duhen 60 deri në 220 vjet që të arrijë mesataren e BE.

E vetmja mundësi që na mbetet është rritja e produktivitetit të kapitalit human. Nuk mund te injorojmë, përkundrazi, duhet të bëhemi të ndërgjegjshëm se ç’po ndodh sot në botë. Mjafton një ide që të prodhosh pasuri, punësim dhe zhvillim. Pasuria më e rëndësishme sot është mendja. Të dhënat. Përdorimi sa më efikas dhe strategjik i tyre në sektorët e prodhimit është ku duhet të përqendrojmë vëmendjen tonë. Ky është rasti ynë. Kemi vetëm një mundësi për ta kaluar hendekun e zhvillimit. Nuk mund ta mbushim, por ta kapërcejmë atë! Kjo mundësi është investimi në Edukim, në një edukim të erës dixhitale, duke filluar në parashkollor. Mbi të gjitha na duhet të mësojmë dhe trajnohemi vazhdimisht, në çdo moshë, që të mund ta përdorim teknologjinë e informacionit dhe komunikimit në mënyrën e duhur, që ajo të kthehet në mjetin e duhur për zhvillimin ekonomik dhe njerëzor në vendin tonë.

Studime të kryera në Shqipëri tregojnë se investimi në sektorin tonë të edukimit, sidomos në parashkollor, kështu siç është – pa e reformuar atë, ka një normë kthimi prej 12.8%[1]; studime në nivel ndërkombëtar tregojnë se këto norma kthimi në edukim mund të arrijnë edhe në nivele prej 36%, ose të ndikojnë me 1 pikë përqindje në rritjen e GDP[2].

Në fund të Janarit 2019 u zhvillua në Davos, Forumi Ekonomik Botëror. Organizatori i këtij forumi, Klaus Schwab në hapjen e tij tha: “Revolucioni i 4-t industrial po e transformon botën, sistemet ekonomike në shumë mënyra. Bota fizike po zvogëlohet nga nja botë e re dixhitale, e ndërlidhur, e integruar dhe virtuale, me një ekonomi të përbashkët. Manifaktura po revolucionarizohet nga automatizimi, lokalizimi dhe individualizmi – çka dobëson zinxhirët tradicionalë të ofertës. Konkurrenca, gjithnjë e më shumë, nuk bazohet më tek kostot e prodhimit por tek funksionaliteti dhe inovacioni. Shumë shpejt ekonomitë e shkallës nuk do japin më ato avantazhe që japin sot. Burimi më i shtrenjtë (i zhvillimit) do jetë talenti dhe jo kapitali tradicional.”

Ky talent nuk rritet në pyll. Ky talent ushqehet në shtëpi dhe stërvitet në shkollë. Prandaj prioriteti strategjik kombëtar i zhvillimit duhet të jetë Edukimi – shembujt konkretë të Izraelit, Singaporit, etj., nuk ka pse të injorohen nga politikanët tanë, të cilët e kanë më kollaj të dergjen në diskutime boshe, tip telenovele. Askush nuk mund të fshihet mbas justifikimit se nuk mund të rrisim shpenzimet për arsimin, se kemi halle. Të gjitha duhen, por më shumë se çdo gjë tjetër, ne na duhen njerëz të zot, të shekullit 21, jo thjesht njerëz me një çikë më pak halle.

Këtyre zërave i duhet kujtuar pa vonesë një thënie që i atribuohet shumëkujt, por që është një e vërtetë e provuar në shekuj: “Edukimi kushton shtrenjtë, por injoranca kushton akoma edhe më shtrenjtë”. Çmimi i injorancës që ne paguajmë është zbrazja e Shqipërisë, çdo ditë. Çdo sakrificë buxhetore që prioritizon shpenzimet nga sektorë të tjerë drejt Edukimin, më shumë se sakrificë, është mençuri, vizion kombëtar – që përmbush saktësisht profecinë e himnit tonë: rreth flamurit të përbashkuar, me një dëshirë e një qëllim!

Kjo do të thotë një reformim thelbësor të sistemit tonë Edukimit të shekullit të 19, që nga mënyra e mësim-dhënies, trajnimi dhe rinovimi rrënjësor i trupës së mësuesve, certifikimi i tyre çdo vit, kurrikulat, teknologjia që përdoret etj. Ky sistem Edukimi që kemi na e largon te ardhmen, edhe më shumë se do të donin ta bënin këtë gjë armiqtë që mund të kemi.

Në sektorin e nesërm të Edukimit duhet të mësohen aftësitë e shekullit 21, si të menduarit kritik, njohuritë dixhitale, kodimi, programimi, nxënësi nuk ka nevojë të mbajë mend përmendësh dhe as të shkëlqejë fallco në teste, në sistemin e ri të edukimit duhet të mësohet se si të mësohet, si komunikohet dhe bashkëpunohet, dhe të rriten kapacitetet individuale dhe shoqërore për t’u përshtatur adaptuar me shpejtësinë eksponenciale të ndryshimit që po ndodh në mënyrë të pamëshirshme përreth nesh. Duke e shndërruar sektorin e Edukimit në motorin e produktivitetit të të gjithë sektorëve të tjerë – të bujqësisë, turizmit, manifakturës, industrisë.

Shumëkush mund të gjejë 1001 justifikime për të mos ta bërë këtë gjë, për t’i vënë të gjitha vezët në shportën e edukimit të shqiptarëve. Sidomos, politikanët e deritanishëm. Këtyre u them, lërini pallavrat. Nëse nuk e bëjmë këtë shumë shpejt, do jemi në të gjallët tonë, si mumje, si Njerëzit e Kromanjonit[3] të shekullit 21.

29.12.2019

 

[1] “Kostoja e mos-investimit në Arsim në Shqiperi” UNICEF, George Psacharopoulos

[2] OECD, education papers

[3] Njerëzit e Kromanjonit janë quajtur fosilet e gjetura në Abri de Cromagnon, Francë të identifikuar si rraca njerëzore prehistorike e Europës

 

Ju lutemi shperndajeni