Krishtlindja është dita që mban bashkuar të gjitha kohërat.
Alexander Smith
Gëzuar Krishtlindjen! Ua uroj këtë ngjarje të madhe gjithë vëllezërve dhe motrave të mija që e festojnë ardhjen mes nesh të Zotit tonë, Jezu Krisht! Por sidomos të gjithë besimtarëve shqiptarë të krishterë ortodoksë! Kudo që janë. Atyre burrave dhe grave, djemve dhe vajzave që punojnë dhe ndërtojnë, që edukojnë dhe mbjellin dashurinë, respektin, dhe lartësojnë dinjitetin e të gjithë shqiptarëve ortodoksë. Atyre njerëzve që trashëgojnë vlerat dhe kontributet më të drejtpërdrejta në formimin dhe krijimin e identitetit të të gjithë kombit shqiptar, atyre që vazhdojnë farën e patriotëve shqiptarë ortodoksë që shkrinë pasurinë dhe dhanë jetën për gjuhën dhe tokën shqiptare. Atyre që janë shembull i shkollimit, i organizmit, bashkëjetesës dhe guximit qytetar. Atyre që janë fara e dijes e që ndriçojnë fort në themelin e ekzistencës së shqiptarëve. Atyre qindra mijërave shqiptarëve ortodoksë që sot u bie të përballen me dhunimin e besimit të tyre fetar, siç e kemi të freskët në këtë vitin 2013 që po lëmë pas. Atyre që shpeshherë u bie të dëgjojnë dhe lexojnë që nuk janë patriotë sa duhet dhe nuk e kanë dashur apo nuk e duan Shqipërinë sa duhet.
Ajo që nuk kuptoj deri në fund është, pse shoqëria shqiptare post-komuniste e absorbon si një normalitet dhunimin e objekteve të kultit të krishterë ortodoks? Pse sheh me indiferentizëm të plotë kur censusi i popullsisë shqiptarë kryen de jure genocid ndër radhët e ortodoksëve shqiptarë? Pse kur një individ që uzurpon Kishën e Elbasanit dhe e quan veten prift ortodoks, duke u tallur me gjithë trashëgiminë ortodokse dhe shenjtërinë e të bërit prift për t’u shërbyer njerëzve, qeveritë shqiptare heshtin dhe shoqëria e duartroket? Pse nuk i kthehen pronat Kishës Ortodokse? Pse kur segmente të caktuara sulmojnë Kryepeshkopin e Kishës sonë ortodokse, shoqëria shqiptare miraton në heshtje? Pse ai është grek? Mos ndoshta besimi fetar, njësoj si në kohën e luftërave ballkanike, ende nuk është çliruar nga ngatërrimi i tij me kombësinë, dhe vlerësimi për të udhëhiqet ende nga “patriotizmi” nacionalist?
Se sa herë fqinji ynë jugor bie në zullume të induktuara nga Megali idea, patriotizmi i madh që karakterizon shqiptarët ndizet flakë. Deri këtu mirë, e ç’të keqe ka? Por një pjesë e shqiptarëve ndjehen papritmas e papandehur më patriotë sesa një pjesë tjetër e shqiptarëve; viktima e zakonshme në këtë flakëndezje të patriotizmit janë shqiptarët e krishterë ortodoksë.
Çfarë dinë këta patriotë të thekur ndonjë gjë që i bën ata më të lartësuar në ekzistencën e tyre kundrejt shqiptarëve ortodoksë? Çfarë kanë bërë këta patriotë ndonjë gjë më shumë dhe më patriotike se ajo që kanë bërë shqiptarët e krishterë ortodoksë në historinë e Shqipërisë?
Me ç’duket, klishetë e krijuara për shkak të formës së administrimit në shekujt e perandorisë otomane që qeveriste sipas parimit ‘një milet një fe’, bashkuar me kërcënimin e filozofisë greke të 1800-ës, sipas [po të njëjtit koncept] të cilës të gjithë myslimanët ishin turq dhe të gjithë ortodoksët ishin grekë, janë sot në vitin 2013 po njësoj të freskëta si atëherë kur rilindasit tanë, për të shpëtuar nga asimilimi i kombit donin të sheshonin dallimet fetare që po përdoreshin për t’i shkëputur copa Shqipërisë dhe dolën me sloganin ‘feja e shqiptarit është shqiptaria’.
A ishte kjo frazë ajo që ngriti nacionalizmin shqiptar andej nga fundit i viteve 1800 apo ndoshta ishte rreziku real, jo ai metaforik, i zhdukjes nga faqja e dheut të kombit shqiptar? A është e vlefshme kjo frazë sot, dhe si sillen shqiptarët e sotëm me shqiptarinë? A e dinë përdoruesit e atyre klisheve të ngjizura në Stamboll dhe Athinë [dhe të përdorura sot rëndom nëpër Shqipëri për të treguar patriotizëm] se i vetmi komunitet fetar i cili mund të zgjidhte opsionin t’i bashkohej një shteti tashmë të formuar prej 100 vjetësh siç ishte Greqia, ishte ai i krishterë ortodoks?
Ky opsion që do u garantonte rehatin atyre ekzistonte realisht. Nuk është ndonjë shpikje. Shqipëria siç e njohim ne sot, atëherë nuk ekzistonte; ishte thjesht Turqi. Këtë opsion nuk e kishin shqiptarët myslimanë – [Turqia ishte tashmë larg, perandoria turke ishte tërhequr si deti në zbaticë dhe nuk kishte asnjë pikë kontakti me territoret shqipfolëse] dhe ata katolikë [mes shqiptarëve katolike ekzistonte një brez sllavësh që pengonte kontaktin me realitete katolike jo-shqipfolëse më në veri – kështuqë, nolens volens shqiptaret katolikë ishin të “detyruar” të bashkëjetonin me shqiptarët muslimanë, nuk kishin ku të shkonin], por shqiptarë ortodoksë, po – kishin mundësi të zgjidhnin.
Dhe ata zgjodhën. Zgjodhën të ishin shqiptarë, dhe të përballeshin me fqinjin që e kishin tek dera e shtëpisë dhe jo larg, si ca shqiptarë të tjerë që vetëm llapin për këtë fakt. Me atë fqinj që i digjte fshatin, i vriste priftin dhe mësuesin dhe me bajonetë në grykë u kërkonte të thoshin që ishin grekë. Zgjodhën të ishin shqiptarë, edhe pse të gjithë asokohe ishin shkolluar në Greqi. Zgjodhën të mbeteshin shqiptarë të krishterë ortodoksë [në vullnetin e tyre personal, familjar, si fise, fshatra dhe qytete] në respekt të historisë dhe dinjitetit të të parëve të tyre, dhe jo pse ‘feja e tyre ishte shqiptaria’.
Në fakt, feja e shqiptarit nuk është shqiptaria. Shqiptaria është kombësia e shtetasit shqiptar. Edhe një budalla e kupton këtë. Për shkak të rolit të madh që kishte feja në vitet e luftërave ballkanike dhe përdorimit që iu bë asaj për qëllime nacionaliste, ky koncept ishte kollaj të ngatërrohej. Asokohe institucionet fetare nuk është se i rezistuan shumë tundimit që të merreshin me punë të shtetit më shumë se me punët e shpirtit.
Kultura administrative turke dhe interesat turke dhe ato greke e ngatërronin me dashje kombin me besimin fetar. Atyre u intereson të thone se çdo musliman është turk, dhe se çdo ortodoks – dhe ata shqiptarë – është grek. Po këtyre interesave u shërben çdo individ i sotëm modern i vitit 2013 [shqiptar në Shqipëri e kudo tjetër], tashmë falas – sepse dikur turqit dhe grekët e paguanin me flori në dorë dhe s’e kishin për gjë edhe të digjnin dhe vrisnin për ta arritur këtë gjë; çdokush që, në injorancën e vet, ndoshta edhe të qëllimshme, ndjen nevojën dhe lirinë intelektuale t’i asociojë apo shohë shqiptarët e krishterë ortodoksë si grekë, – në njërin prej kuptimeve që ka në shqip kjo fjalë; [ky individ] u bën thjesht një shërbim delireve turko-greke. [të shuara e të pashuara]
Besimi fetar është diçka krejt tjetër. Është një [vullnet, vendim dhe] nevojë shpirtërore personale, dhe jo një nevojë kombëtare, [apo patriotike]. Unë besoj në Zotin tim, Jezu Krisht, miq të tjerë të mi besojnë një Zot tjetër. Mos ndoshta unë jam grek dhe ata turq apo arabë?! Unë mbetem shqiptar, siç kanë qenë dhe vendosën të mbeten të parët e mi: shqiptar i krishterë ortodoks. Shqiptari [më saktë shqipfolësit] deri në vitin 1460 ka qenë tërësisht i krishterë, pastaj për nevoja personale shpirtërore u konvertua me shumicë në fenë myslimane, ai është sot në 2013 kryesisht mysliman suni dhe bektashi, por është edhe i krishterë ortodoks dhe i krishterë katolik.
Atëherë cili është problemi? Pse Kryepeshkopi i Kishës Autoqefale shqiptare është me kombësi greke? Dua të ndalem pak këtu. Fakti që ai është grek, duket sikur shqetëson më fort se ortodoksët shqiptarë disa segmente të caktuara të shoqërisë shqiptare, të cilët nuk e di pse, por kam bindjen që në fakt kënaqen shumë me këtë fakt. Kënaqen ose për axhenda haxhiqamiliste të tipit “dum Babën”, ose për shkak se nuk arrijnë të kenë një arsyetim të ndryshëm për botën që na rrethon nga ai i 101 vjetëve më parë. Ndoshta se kjo është vjersha e vetme që dine, apo mundësia e vetme që i njohin vetes të luftojnë për nacionalizëm dhe te bëhen interesant, të ndjehen ngrohtë e të sigurtë ne turmën që krijohet apostafat kur lindin diskutime primitive – sa më primitiv diskutimi aq më e madhe turma, apo thjesht t’i drejtohen kësaj turme që të kenë vëmendje qofshin këta njerëz pa shkollën e duhur apo dhe të titulluar profesorë. Personalisht, por besoj se çdo shqiptari ortodoks këto vrulle dhe litani nuk i shkaktojnë asnjë dëm mendor, dhe asgjë më shumë se një buzëqeshje të krishterë, pak të hidhur, por shqiptare ama.
Duhet të biem dakord që Lufta I dhe II botërore kanë mbaruar. Kufijtë janë vendosur, është e vërtetë që gjysma e Shqipërisë mbeti jashtë, por këta kufij nuk kanë ndërmend të lëvizin. [sot “vullnetet” për lëvizjen e kufijve materializohen në Këshillin e Sigurimit te OKB-së] Jemi anëtarë të OKB-së, dhe NATO-s, aty kemi edhe shtetet që na kanë pushtuar më parë apo që në delirin e ekzistencës së tyre vazhdojnë të pretendojnë territore shqiptare. Jemi rrugës drejt integrimit në Bashkimin Europian; këto shtete janë edhe aty. Në këto organizma dorëzohet sovraniteti dhe nacionalizma.
Sepse dihet që asnjë nacionalizmë nuk është më e mirë se ndonjë nacionalizmë tjetër[1]. Dhe ngatërrohen kollaj fare me patriotizmin. Duhet qartësi mendore t’i ndash nga njëra tjetra[2]]
Shikoni se çështjet e nacionalizmës në botën moderne dhe në formën e tyre moderne, i trajton Ministria e Jashtme, qeveria, dhe Parlamenti. Janë këto institucione që kujdesen për interesat kombëtare dhe që ngrenë zërin, mbajnë qëndrime dhe marrin masa kur këto interesa cënohen brenda dhe jashtë vëndit. Kush ka në shekullin e 21-të të tilla halle duhet t’u drejtohet këtyre institucioneve të vendit të vet. Edhe për të protestuar kur është nevoja.
Sepse, Kisha nuk nënshkruan marrëveshje ndërshtetërore. Kisha nuk ka ambasada. Kisha nuk merret as me kufirin në tokë e as në det. Dhe as me kush hyn e del nga kufiri, dhe a gërmon apo nuk gërmon ndokush në Shqipëri. As nuk jep urdhëra apo leje të hapen apo mbyllen varre, e aq më pak të identifikojë ajo se kujt po i prishet qetësia e përjetshme nga këto akte.
Me këto çështje merren institucionet laike dhe jofetare. Këto çështje mund të ngatërrohen ose me qëllim, ose nga injoranca. Dhe nëse ndonjë klerik ortodoks shkel ligjet e shtetit shqiptar, të ruajtura nga këto institucione, të paguajë sipas ligjit. Dhe ndonjërit që në primitivitetin e nacionalizmës së tij kërkon të numërojë grekët e shtuar në Shqipëri e të shpallë autonomi, t’i tregojmë vendin.
Në fakt, në këto 23 vjet, kur shumë liri, mes tyre ajo e besimit fetar, fjalës, lëvizjes së lirë janë rikthyer në tokën shqiptare, shumë bashkëkombës të mi, nga jugu dhe veriu, kanë marrë nënshtetësinë greke, amerikane, kanadeze, italiane, gjermane, franceze etj., etj. Pra janë njëherazi edhe shqiptarë, edhe ashtu si ua ka dashur mendja, interesi, lehtësisht, pa i kërkuar shumë llogari patriotike vetes, dhe ma do mendja duke dhe harxhuar goxha para ik e hajde për të bërë dokumentet dhe betimet e duhura të kombësisë së tyre të re. Por mua nuk më shkon ndërmend t’i shoh si njerëz që e shitën patriotizmën, dhe shqiptarizmën e tyre, apo fenë e tyre sikur të besoja se feja e shqiptarit të ishte shqiptaria. Ata mbeten vëllezërit e mi, pa paragjykim.
Persekutimi shqiptar i besimit fetar solli që kur na duhej një Kryepeshkop të merrte Kishën për dore dhe ta lartësonte atë, si e kërkon dinjiteti i çdo besimtari ne nuk kishim një shqiptar që të plotësonte këto kushte. Pra që të bëhej Kryepeshkop. Na duhej të gjenim një. Ai mund të ishte anglez, amerikan, kanadez, apo dhe kinez, por edhe bullgar, rumun, apo edhe grek. Perëndia solli në derën tonë Fortlumturinë e Tij, Anastasin. Fakti që Kryepeshkopi im është me kombësi greke nuk ka asnjë rëndësi në çështje të besimit fetar. Aq rëndësi sa ka për besimtarët e krishterë katolikë në Shkodër dhe gjithë Shqipërinë fakti që Hirësia e tij, Imzot Angelo Massafra është italian dhe jo shqiptar. Se çfarë pashaporte mban njeri apo tjetri është një çështje që i intereson policit në pikën e kalimit të kufirit, por kërrkujt në çështje të besimit fetar. Nuk dua të hyj në hollësira të tjera.
A po e merr tokën shqiptare Kryepeshkopi ta çojë në Greqi? Mos Kryepeshkopi po emëron Kryeministrat në këtë vend, ministrat, gjykatësit, policët, mësuesit, edukatoret e kopshtit? Mos po miraton buxhetet e shtetit dhe tenderat në favor të Greqisë? Mos po i thotë Shqiptarëve abonohuni tek AMC dhe Vodafone dhe jo tek Eagle? Apo mbani paratë tek bankat greke dhe jo tek ato italiane dhe austriake? Mos po na thotë që duajeni Greqinë, harrojeni Shqipërinë? Mos po rishkruan herë pas here Historinë e Shqipërisë? Mos po na vë emrat e rrugëve? Mos prej tij marrin shqiptarët nënshtetësi të tjera? Apo po i merr kishat në krahë dhe t’i nxjerrë matanë kufirit në Greqi?
Jo, përkundrazi, është i tëri në shërbimin tonë, të besimtarëve të krishterë ortodoksë. Ajo çka unë kërkoj është që Kryepeshkopi im të jetë i ndriçuar, të jetë i urtë, me përvojë dhe në gjendje të shtojë dhe prosperojë Kishën time Ortodokse Autoqefale Shqiptare, të dijë të drejtojë njeriun dhe t’i mësojë atij dashurinë, respektin, të drejtën, mëshirën dhe dhurimin për tjetrin. Fortlumturia e Tij është të gjitha këto, ai i ka bërë dhe vazhdon t’i bëjë të gjitha këto. Nuk besoj se i bën këto pse është grek, porse i shërben njerëzisë i dorëzuar në Krishtin.
A thua se po të mos ishte grek Kryepeshkopi [por kinez], Kisha Orthodokse Autoqefale Shqiptare do ishte më shqiptare se sa është? Kisha Orthodokse Autoqefale Shqiptare ka ekzistuar më parë dhe do të vazhdojë të ekzistojë edhe më pas. Kisha janë besimtarët shqiptarë ortodoksë. Kisha është e Zotit tim Jezu Krisht. Të gjithë të tjerët janë kalimtarë. Mua të krishterë ortodoks më bën vullneti im, vendimi im dhe më pas trashëgimia e të parëve të mi, dhe nuk më bën Kryepeshkopi, kushdoqoftë ai e ngadoqoftë ai; kombësia e Kryepeshkopit nuk më vulos as shqiptar dhe as të krishterë. A thua ata patriotët e flaktë nuk do i stigmatizonin po njësoj shqiptarët ortodoksë?
Fortlumturia e Tij, Anastasi e nxori Kishën Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë nga varri ku e kishin futur të copëtuar ca patriotë të mëdhenj shqiptarë që flakërinë nëpër Shqipëri nja 50 vjet. Kisha Orthodokse Autoqefale Shqiptare sot ka Universitetin e vet, ku mësojnë priftërinjtë ortodoksë që u shërbejnë besimtarëve shqiptarë të krishterë ortodoksë. Me dorën e vet ka drejtuar rindërtimin e Kishave Ortodokse të rrënuara dhe ndërtuar kisha të reja në shërbim të qindra mijëra besimtarëve ortodoksë shqiptarë në Shqipëri. Për të mos thënë angazhimin e vet direkt në vepra humanitare dhe në promovimin e ortodoksisë shqiptare në mbarë botën përmes forumeve ndërkombëtare ku merr pjesë dhe ku është President nderi.
Fortlumturia e Tij në këto 20 vjet na ka shërbyer, ai ka bërë shumë për qindra mijëra besimtarë ortodoksë anembanë Shqipërisë, u ka dhënë atyre dinjitet në besimin e tyre fetar dhe u ka mësuar të jenë qytetarë shqiptarë më të mirë, më të dashur. Për këtë kontribut të jashtëzakonshëm të shtrirë në 20 vjet, në shërbim të qindra mijëra shqiptarëve, jo vetëm të krishterë ortodoksë, i propozoj Presidentit të Republikës së Shqipërisë, zotit Bujar Nishani, të na nderonte duke i dhënë nënshtetësinë shqiptare Fortlumturisë së Tij, Anastasit.
Gjithë sa thashë, a më bën mua grek? Agjent të grekut? Të Asfalisë? Të ‘Agimit të Artë’? Askush mos ta ëndërrojë këtë në varfërinë e shpirtit, të mendjes dhe idesë së vet dhe stampave të arsyetimit ofruar një shekull më parë. Unë, njësoj si qindra mijëra të tjerë besimtarë ortodoksë mbetemi shqiptarë. Kryelartë!
Sepse në trashëgiminë tonë kemi shqiptarë ortodokse që i kanë dhënë Shqipërisë identitetin që ajo ka sot, që nga gjuha e shkruar e deri tek himni i flamurit. Që ndriçojnë shumë, po shumë fort në historinë e Shqipërisë. Si Thimi Mitko, Kristoforidhi apo Asdreni.
Kemi njerëz veprimtarë të zjarrtë në proçesin e ruajtjes së kulturës dhe themelimit të shtetit shqiptar nga Korça, Përmeti, Erseka, Myzeqeja, Berati e Gjirokastra etj, po edhe nga Bukureshti, Sofia, Kostandinopoja, Egjipti e Amerika. Si Qiriazët, Çajupi, Papa Kristo Negovani, Petro Nini Luarasi, Pandeli Sotiri, Urani Rumbo, e shumë të tjerë që shkrinë pasurinë dhe jetën që shqiptari të quhej shqiptar.
Askush nuk guxoi t’u thoshte atyre jeni grekë, edhe pse ishin shumica të shkolluar në Greqi, edhe pse shumica e priftërinjve të tyre ishin grekë, dhe në kishat e tyre lutja ishte greqisht. Pse ky guxim lodron në mendjen dhe gjuhën se ca shqiptarëve të sotëm? Nuk e di! Tashmë, as nuk dua t’ia di!
Mendoj se asnjë shqiptar tjetër nuk mund të japë mend dhe të shitet më patriot e më nacionalist se tjetri. I bashkohem At Zef Pllumit në pyetjen e tij: “Si mund e duem Shqipninë kur secili shqiptar mendon se vetëm ai ka të drejtë mbi Shqipninë dhe intrigojmë e tiranizojmë njani-tjetrin?” I bashkohem dhe shpresës së tij se: “Shqiptarët kanë për të ba ma shumë për atdheun, në qoftë se kanë për t’u dashtë ma tepër ndërmjet vedit”.
Që të kthehem atje ku e fillova dhe ku më çoi dashuria për të gjithë ata që festojnë Krishtlindjen, fëmijë gra, vajza, burra e djem, familjarë, të fejuar e të dashuruar, nxënës e studentë, klerikë orthodokse dhe jo vetëm, që na shërbejnë për të qenë më të mirë dhe më të dashur me njëri- tjetrin, kudo qofshin, edhe njëherë: Gëzuar festën e paqes dhe dashurisë – Krishtlindjen!
[1] “Nacionalizmi është një sëmundje infantile. Është fruthi i njerëzimit” Albert Einstein
[2] “Nacionalizmi nuk duhet ngatërruar me patriotizmin. Te dyja fjalet normalisht përdoren në një mënyre aq te papërcaktuar sa çdo definicion i tyre mund të jetë i kontestueshëm, por mes tyre duhet bërë një dallim, sepse ato komportojnë dy ide të ndryshme, shpeshhere të kundërta me njëra tjetrën. Me ‘Patriotizëm’ kuptoj devocionin ndaj një vendi te caktuar dhe një mënyre të caktuar jetese, për te cilën individi mendon se është më e mira në bote, por nuk dëshiron t’ja imponojë njerëzve të tjerë. Patriotizmi është nga natyra në mbrojtje, si nga pikëpamja ushtarake ashtu dhe nga ajo kulturore. Nacionalizmi, në anën tjetër, është i pandarë nga dëshira për pushtet. Qëllimi të cilit i bindet çdo nacionalist është të sigurojë më shumë pushtet dhe më shumë prestigj, jo për veten e tij por për kombin apo njësinë tjetër ku ai ka vendosur të zhysë individualitetin e tij” (George Orwell)
2013