Zhvillimi ekonomik kalon në disa stacione. Nga bujqësia për mbijetesë drejt industrisë së lehtë derisa, pasi ka mbërritur te shërbimet e teknologjisë së lartë, po troket sot në derën e revolucionit të katërt industrial, atij dixhital ku prodhimi vjen nga fuzioni në një i fizikes, dixhitales dhe biologjisë.
Çfarë ka ndodhur këtu te ne? Vizioni i politikave ekonomike të ndjekura deri tani kur jemi në dekadën e tretë të tranzicionit nga feudo-komunizimi drejt ekonomisë së tregut, ka qenë i dominuar nga modeli i zhvillimit që sheh rritjen e konsumit të brendshëm si bazë për rritje ekonomike – konsumi sot përbën 90% të PBB-së. Ekonomia shqiptare iu përgjigj reformave strukturore të dekadës së parë, që synonin kryesisht rritjen e konsumit.
U krye rishpërndarja e burimeve nga bujqësia për mbijetesë ku gjallonte 70 për qind e popullsisë, drejt sektorëve të tregtisë dhe shërbimeve. Ky ishte kufiri i ri, struktura e re e ekonomisë shqiptare, që siguroi rritje pasi kishte fitim të menjëhershëm dhe produktivitet më të lartë; pasi nuk kishte nevojë as për shumë krah pune, as për punë të kualifikuar dhe as për shumë kapital financiar dhe investim teknologjik të avancuar. Këtu kemi ngecur. Midis stacionit të parë dhe atij të dytë.
* * *
E thënë ndryshe, për t’u ushqyer ne kemi marrë nga pema të gjitha frutat që mund t’i kapnim me dorë pa mundim, pa e vrarë shumë mendjen. Nga sot na duhet të zgjatemi në majë të gishtave, të sforcohemi të mundohemi për të arritur të kapim frutat që janë më lart, dhe pse jo do na duhet të gjejmë edhe shkallë për t’i arritur.
Në këta 25 vjet, devijimet nga ky model, që e kanë çuar vëmendjen dhe investimin te përmirësimi i kapitalit human dhe fizik e atij teknologjik, pra, dhe te rritja e produktivitetit të kapitalit dhe të punës, siç dhe po e shohim në 5 vitet e fundit, nuk janë finalizuar dhe kanë qenë të pamjaftueshme për të garantuar rritje të qëndrueshme.
Ajo së fundmi qëndron kokëforte në statuskuonë e një rritjeje pa punësim, një rritje prej 1-2%. Kjo rritje nuk mjafton që të transformojmë ekonominë. Në fakt, kjo nuk është rritje ekonomike, por një zvarritje arithmetike. Mbijetesë!
PENGESAT. “RROTAT QË NA KANË ZËNË BISHTIN”
Pse ngecim? Çfarë e pengon këtë rritje ekonomike që kemi, të kthehet në zhvillim ekonomik? Çfarë e pengon atë të jetë rritje cilësore dhe jo vetëm statistikore? Pengesa për rritjen e ekonomisë sonë janë institucionet e saj të dobëta, jo përfshirëse, pa cilësi, të vonuara apo të pambaruara dhe zbatimi problematik i ligjit; pengesë thelbësore është paqartësia dhe pasiguria e pronës private që nuk lejon konvertibilitetin e saj në kapital të përdorshëm lirisht; pengesa janë ndryshimet e shpeshta ligjore, dobësia kronike e administratës publike dhe gjykatave; pengesë mbetet korrupsioni endemik dhe informaliteti i lartë; pengesë është mungesa e mbikëqyrjes dhe rregullimit që garanton konkurrencën e lirë dhe të ndershme.
Pengesë për rritjen ekonomike është mungesa e investimit dhe përkeqësimi i cilësisë së arsimit; moskonsolidimi i infrastrukturës së transportit, të energjisë, të IT; pengesë për rritjen është dhe kaosi i ngurtësuar i zhvillimit tonë urban të këtyre 25 vjetëve ku mungon koncepti i zhvillimit hapësinor. Këto pengesa institucionale dhe fizike janë kufizime të lirisë ekonomike për individin dhe sipërmarrjen.
Te këto pengesa çimentohet fuqia irracionale e politikës mbi individin dhe zhvillimin ekonomik. Këto çojnë tek ulja e besimit te ky mjedis i paqëndrueshëm dhe i pasigurt ekonomik, ku jo rrallë dominojnë të favorizuarit e qeverisë dhe qylaxhinjtë (free-riders), fenomen që është në vetvete një pengesë për rritjen ekonomike.
* * *
Një pengesë gjithkaq serioze për rritjen ekonomike është madhësia e firmës. Struktura e sotme e sipërmarrjes shqiptare pasqyron rezultatet e reformave të dekadës së parë dhe politikat e ndjekura në këta 25 vjet, ku jo rrallë është inkurajuar me lehtësira fiskale të qenët mikro-biznes.
Vetëm 4% e ndërmarrjeve kanë mbi 50 të punësuar. A mjaftojnë ato për të udhëhequr rritjen ekonomike, punësimin, mirëqenien? Shumica e tyre biznesin kryesor kanë tenderat e qeverisë me fonde publike. Ndërkaq, prej shumë vitesh numri i ndërmarrjeve me 1-4 të punësuar përbën gati 89% të numrit total të ndërmarrjeve, shumica dërrmuese e të cilave operojnë në sektorin e shërbimeve, por kanë vetëm 8% të shitjeve. Këto vetëm mbijetojnë.
Kjo strukturë ekstremisht e fragmentuar e ekonomisë shqiptare tregon më së miri se mundësitë praktike për investime të qenësishme në teknologji të reja që rrisin produktivitetin e punës dhe kapitalit, për rritje të punësimit, për modernizim, inovacion, për njohje të tregut, rritje të konkurrueshmërisë me rajonin mbeten të kufizuara.
* * *
Është fakt se në këto vite janë bërë shumë përpjekje dhe harxhuar shumë energji, por duket se ekonominë që kemi sot, e kemi ndërtuar drejt mbi tokë, pa hapur themelet më parë. Pengesat e mësipërme kanë qenë bashkëshoqëruese të këtyre 25 vjetëve. Ato kanë krijuar një zinxhir të përhershëm efektesh negative mbi aktivitetin dhe vendimmarrjen ekonomike të qytetarëve dhe sipërmarrjes.
Këto ndikime i sfumojnë përpjekjet dhe reformat strukturore dhe rregullatore të ndërmarra deri tani, nuk lejojnë çlirimin e potencialit ekonomik të Shqipërisë dhe eliminuar incentivat që qytetarët dhe sipërmarrja të investojë në teknologji dhe inovacion, të zgjerojë aktivitetin për më shumë punësim dhe prosperitet.
Mbi të gjitha e tashmja dhe e ardhmja ekonomike e qytetarit dhe sipërmarrjes shqiptare mbetet vazhdimisht e varur nga prezenca ose jo e investimeve publike, menaxhimit të financave publike dhe ndryshueshmërisë së politikave qeveritare, sidomos atyre fiskale.
* * *
Tri vitet e fundit 2013–2016, janë shumë ilustruese për ta kuptuar këtë statuskuo, këtë varësi, jo të re, të ekonomisë shqiptare ndaj vullnetit politik dhe nivelit profesional të ekipeve qeverisëse. Modeli i zhvillimit i maxhorancës socialiste që do sillte mirëqenien dhe punësimin për gjithë shqiptarët u bazua te rritja e eksporteve dhe investimeve.
Në fakt, eksportet dhe investimet u ulën. Pikërisht çfarë ishte në themel të modelit të zhvillimit të kësaj qeverie. Kjo qeveri nuk bëri asgjë për të fuqizuar individin dhe sipërmarrjen. Përkundrazi shtoi peshën represive dhe grabitqare të shtetit, jo aq sipas modelit të deklaruar të zhvillimit, por në përputhje të plotë me ideologjinë e vet politike autoritariste.
Vazhdojnë të rriten taksat dhe kostot e transaksioneve të biznesit, duke kufizuar kështu lirinë ekonomike. Performanca e të ardhurave buxhetore dhe investimeve publike demonstroi paaftësinë e qëllimtë ose jo të qeverisë për të nxitur konsumin dhe rritjen ekonomike.
Politika monetare e ka ezauruar thuajse krejtësisht hapësirën e vet për të nxitur ekonominë. Rezultati, rritja ekonomike nuk prodhon mirëqenie për shqiptarët që u larguan me qindra-mijëra nga vendi në 2014–2015; konkurrueshmëria e ekonomisë, dhe mjedisit të biznesit u përkeqësuan ndjeshëm; ekonomia mbetet në stanjacion, ndërsa është rikthyer shumë fort nevoja e stabilizimit makroekonomik.
Dëshmi dhe përgjegjësi e këtij dështimi është dhe mungesa e debatit mes atyre që thonë se kuptojnë nga ekonomia.
TË ÇLIROJMË BISHTIN
Është e qartë se duhet ndërtuar një themel i ri për prosperitetin e shqiptarëve. Shqipërisë sot i duhet një vizion tjetër zhvillimi që të dilet nga statuskuoja aktuale. Një model zhvillimi i thjeshtë, i qartë, i sinqertë, i realizueshëm, që i shërben ekonomisë dhe nxit zhvillimin, që krijon punësim dhe mirëqenie.
Një model zhvillimi që çliron gjithë potencialin ekonomik, të punës dhe burimeve natyrore dhe garanton rritje ekonomike të qëndrueshme, cilësore të bazuar gjithnjë e më pak te konsumi e gjithnjë e më shume te rritja e produktivitetit të kapitalit njerëzor dhe fizik.
Një model zhvillimi që e çon ekonominë në kufirin tjetër të rritjes, atë të rialokimit të burimeve nga sektorë me përfitime afatshkurtra në ato të industrisë, agrobiznesit, manifakturës dhe integrimit të tyre në clusterat ekonomike si bazament më i qëndrueshëm i rritjes ekonomike.
* * *
Modeli i zhvillimit që garanton këtë transformim ekonomik është ai që bazohet tek eliminimi i pengesave të rritjes. Ky model zhvillimi ka në qendër të vet pikërisht realizimin e plotë të lirisë ekonomike të individit dhe sipërmarrjes. Bazohet te çlirimi i ekonomisë nga pengesat që ka krijuar, apo ato që nuk ka arritur të kapërcejë qeverisja e këtyre 25 viteve. Ka si objektiv të vetin kthimin te ritmet e rritjes mbi 5% në vit, që garantojnë zhvillimin dhe konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare, që garantojnë punësim dhe mirëqenie.
Ndërsa axhenda e integrimit europian shërben si shtrati ku mbështetet aksioni qeverisës, ky model zhvillimi synon reforma strukturore dhe institucionale për të eliminuar pengesat në katër shtylla kryesore të zhvillimit: i) Mirëqeverisje dhe sundim të ligjit, pra, institucione të forta të ekonomisë së tregut për të gjithë që mbrojnë pronën private përpara çdo gjëje tjetër, ii) konsolidimin dhe finalizimin e infrastrukturës përmes investimeve publike, iii) fuqizimi i kapitalit njerëzor përmes mbështetjes së arsimit, dhe rritjes së fleksibilitetit të tregut dhe shtimit të vendeve të punës, iv) rritja e konkurrueshmërisë së sektorit privat përmes mbështetjes direkte dhe një sistemi fiskal nxitës.
* * *
Eliminimi i pengesave në këto katër shtylla kryesore do të mundësojë avancimin në zinxhirin ekonomik të rajonit dhe atë global të sipërmarrjeve shqiptare, që është çelësi i rritjes ekonomike të Shqipërisë. Synimi është që të rrisim vlerën dhe konkurrueshmërinë e çdo produkti dhe shërbimi që krijohet në Shqipëri. Reformat në të katër fushat e zhvillimit janë të lidhura me njëra-tjetrën dhe nuk mund të zbatohen veçmas.
Ligje dhe rregulla të thjeshta e transparente, së bashku me infrastrukturë moderne dhe burime njerëzore të kualifikuara janë parakushte të investimit privat. Rritja e investimeve, qofshin këto private, të brendshme dhe të huaja, apo dhe investime publike, krijojnë punësim. Rritja e mundësive të punësimit është mënyra më e mirë e eliminimit të varfërisë.
Zhvillimi i sektorit privat dhe rritja e pjesëmarrjes në një treg më të zhvilluar pune sjell më shumë të ardhura në buxhetin e shtetit, të ardhura që shkojnë për investime publike dhe uljen e borxhit publik.
* * *
Pengesat janë rruga jonë – thoshte perandori i Romës Marcus Aurelius mbi 2 mijë vjet më parë. Njësoj edhe për ne tani në dekadën e dytë të shekullit 21. Pa kapërcyer ato nuk do mund të bëjmë përpara, dhe ekonomia shqiptare nuk do udhëtojë dot me një shpejtësi dhe një cilësi tjetër. Na duhet t’i kapërcejmë këto pengesa, që ekonomia shqiptare të mos pluskojë në varfëri. Që shqiptarët të punojnë dhe të pasurohen në Shqipëri dhe të mos kërkojnë lirinë e munguar ekonomike rrugëve të botes, tek shndërrohen në breza emigrantësh profesionistë. Na duhet ta zbatojmë këtë model zhvillimi jo vetëm për të garantuar rritjen ekonomike, por edhe si përballje, paksa e vonuar, me trashëgiminë paternaliste dhe imoralitetin që politikat populiste dhe “pragmatiste”, në vend që t’i pranojë si paaftësi, i shet për “urtësi” në qeverisje.