Duket sikur në këto muaj mbi ekonominë shqiptare ka kaluar një tsunami. Në fakt nuk është kështu, tsunami i vërtetë mbi ekonominë, mbi bizneset e shqiptarëve ka filluar që prej shtatorit 2013, me ardhjen në qeveri të Rilindjes.
Po pse biznesi është në gjunjë sot? Pse ekonomia nuk arrin të përballojë asnjë goditje si tërmeti e pandemia? Pse ekonomia nuk prodhon dot punësim dhe mirëqënie për Shqiptarët? Pse largohen shqiptarët? Ekonomia shqiptare post-pandemike do arrijë të ngrihet në këmbë apo do mbetet edhe 2 xhiro mbrapa vendeve të rajonit?
Rrënimi ku gjendemi ka arsye strukturore patjetër, por mendoj se është veprimtaria e Rilindjes që ditën e parë të ardhjes në pushtet, e cila në vend që ta ndihmonte, e ka dobësuar në mënyrë sistematike fuqinë e shumicës së bizneseve dhe qytetarëve shqiptarë në favor të gjithnjë e më pak bizneseve dhe individëve ‘të përzgjedhurit’ e saj . Prioritetet e Rilindjes kanë qenë gjithë kohën të ndryshme nga prioritetet e shqiptarëve. Secilit nga ne i duhet tani të kuptojë se sa të ndryshme kanë qenë ato realisht – të mbërthyera në metaforën e timonit dhe të tepsisë, aq të dashur për Kryeministrin Rama.
Mendoj se tërmeti dhe pandemia thjesht kanë shpërndarë mjegullën e propagandës me të cilën kjo qeveri ka mbuluar keq-qeverisjen e paramenduar, e cila ka patur si synim të ofronte fitim dhe përfitim për të ‘përzgjedhurit’ e saj dhe eliminuar çdo mundësi për të fituar e për t’u zhvilluar për këdo tjetër. Veprimet e saj gjakftohta për përmbushjen e këtij synimi, janë përsëritur papushim çdo ditë, si steriotipe të pushtetit gjatë këtyre 7 vjetëve, në tri fronte:
Qendra e Tiranës. Këtu po luftohet egërsisht. Viktima më e fundit është Ora News. Në fakt nuk është luftë, por dhunë e qeverisë mbi këdo që u qëndron përpara, qoftë ky pronar, qytetarët apo gazetarë. Rilindja në këto 7 vjet ka bërë ç’është e mundur që të akaparojë me çdo formë e mënyrë çdo centimetër katror në qendër të Tiranës, qoftë kjo private a publike me synimin e kalimit në pronësi të ‘pak njerëzve të duhur’. Centimetrat katror katror në qendër të Tiranës janë pushtet dhe pasuri reale, e cila i vendos në avantazh absolut poseduesit e tyre kundrejt gjithe shqiptarëve të tjerë për 100 vjeçarin tjetër. Jo rallë këto centimetra katror shërbejnë për të blerë heshtjen e aktorëve të rëndësishëm kundra. Këto centimetra katror për të cilat ‘luftohet’ janë tek parku i lojrave, tek Sahati, tek 15 katëshi, tek Pallati i Kulturës, tek ish-Internacionali. Ky progresion kulmoi me shembjen e Teatrit Kombëtar nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës gjatë kohës që në vend ishte shpallur gjendja e jashtëzakonshme për shkak të pandemisë – miliona centimetra katror tokë publike do i vihen në dispozicion në pjatë të argjendtë privatit të preferuar.
Bregdeti i Jugut. Investim i sigurtë, para e sigurtë. Garanci për suksesin është bukuria natyrore dhe qeveria. Golemizimi dhe Lalzimi i djeshëm është modeli pas të cilit po gllabërohet në këto vite bregu i Jugut të Shqipërisë. Ky gllabërim po bëhet me vjedhje dhe tjetërsim të pronës, konflikte me individë, fise e fshatra të tëra. Nga Vlora deri në Ksamil. Këtë gllabërim po e kryejnë të njëjtët që kryen Golemizimin dhe Lalzimin. Për këtë, kjo qeveri deri tani u ka vënë shtetin në dispozicion – 8 drejtorë të hipotekës janë këputur në detyrë në këto vjet, Ligji për investitorët strategjikë po ashtu ka shërbyer për të justifikuar dhe mbrojtur avancimin e gllabërimit pa zgjidhur më parë konfliktet me pronarët legjitim duke i vënë ata para faktit të kryer dhe shpërblyer me një kothere. Gjithçka në Jug duhet të jetë mbyllur brenda këtij mandati, se më tej nuk i dihet.
Tepsija publike. Që nga 2013 e këtej Rilindja ju vërsul biznesit duke i rritur taksat me 50% fillimisht në nivel qëndror dhe pastaj deri edhe në 300% në nivel lokal. Kjo e shtoi gjellën në tepsi, por nuk e zmadhoi këtë të fundit. Sulmi ndaj bizneseve ka qenë i vazhdueshëm, me aksione, me inspektime, duke e kërcënuar burg, burg, burg, gjobitur me fushata dhe pse jo kur ishte i madh dhe me thyerje kockash. 2.1 miliard Euro shtesë u janë marrë bizneseve në këto 7 vjet nga rritja e taksave dhe çmimeve të karburantit, energjisë, ujit. Rreth 4 miliard Euro të tjera ka marrë borxh kjo qeveri në këto 7 vjet. Në teori, këto para do duhej të ishin investuar në ekonomi që biznesi ta kishte më të lehtë të punonte, të krijonte të ardhura, punësim e mirëqënie, që të kishte shërbime më të mira, më efiçente. Të kishte një klimë më të mirë për të bërë biznes. Por jo! Bizneset ishin në depresion dhe kishin filluar të mbylleshin edhe para tërmetit e pandemise. Këto të dyja vetëm sa i dhanë të shtyrën e fundit. Sepse në këto 7 vjet Rilindja nuk u ka shërbyer biznesit të gjithë shqiptarëve por vetëm një grupi të strukturuar oligarkësh, shumë prej të cilëve përfitojnë edhe në Qendrën e Tiranës dhe në Bregun e Jugut. Taksat e mbledhura nga 160 mijë bizneseve të tregut shkojnë çdo vit në mënyrë të përsëritur, në pak duar të biznesmenëve të shtetit. Në formën e PPP-ve, prokurimeve të drejpërdrejta, tenderave me fatura të fryra 3 fish, etj. Fakt është që biznesmenët e shtetit nuk e ndjejnë krizën dhe recesionin ekonomik. Për ta kanë punuar e punojnë 160.000 biznese të tjera, dhe gjithë qytetarët shqiptarë, të skllavëruar prej qeverisë për këtë qëllim – të paktën dhe për 20 vjetët që vijnë përmes borxhit publik që së shpejti pritet të arrijë në 100% të PBB. Ja, për këtë i duhet Rilindjes biznesi i shqiptarëve.
Zbatimi verbërisht i kësaj strategjie nga Rilindja në këto 7 vjet i ka rrënuar bizneset dhe përzënë shqiptarët nga vendi. Shqiptarët nuk kanë rrugë tjetër, ose të largohen të gjithë, ose t’i kthehen dhe t’i heqin Rilindjes pushtetin nga dora. Propaganda se të gjithë njësoj janë, në mos synon, ja dhuron de facto pushtetin në tavolinë Rilindjes.
Shqiptarët kanë nevojë për të kundërtën e veprimtarisë së Rilindjes në këto 7 vjet. Kanë nevojë për institucione të forta të tregut që mbrojnë pronën, garantojnë konkurrencën, djersën, meritën e kujtdo; për një infrastrukturë ekonomike – transport, energji, informacion – në shërbim të biznesit; për fuqizimin e kapitalit njerëzor përmes arsimit dhe kualifikimit; dhe eliminimin e monopoleve e rritjen e konkurrueshmërisë të sektorit privat me mbështetje direkte e taksa të ulëta.
Shqiptarët e kanë një alternativë përballë Rilindjes. Opozitës i duhet që përveç programit të saj më të mirë ekonomik, politik e social, të zgjedhë edhe njerëzit më të mirë për t’ja vënë në dispozicion Shqiptarëve, që ata mos marrin rrugët e botës, por të kenë qeverisjen që meritojnë këtu në shpi t’vet!
16/08/2020