Menu Close

Thelbi i problemit shqiptar

Thelbi i problemit shqiptar – mungesës së demokracisë, ekonomisë së tregut, konkurrencës, meritës, dinjitetit, perspektivës individuale dhe kombëtare – është ekzistenca e pushtetit të pakufishëm, të pandëshkueshëm, “hyjnor” në duart e pak njerëzve; konsiderimi i këtij pushteti si normal. Ne mund të duam mos ta njohim këtë problem, t’i ikim këtij problemi si me lezet apo krejt brutalisht, por pa zgjidhur atë nuk do shohim “hajër”.

Kështu është dhe ky mashtrimi me reformimin e sistemit zgjedhor. Por, lum miku, kur fut në furrë brumë me miell misri, nuk nxjerr dot që andej bukë gruri!

Asnjë ndryshim i sistemit zgjedhor, i 2008 apo i 2028 nuk e zgjidh problemin e përfaqësimit me “konkubina” në Shqipëri, pa kufizuar më parë Mandatin e Kryetarëve në Ligjin për Partitë Politike dhe në Statutet e Partive.

Kryetarët e Partive politike në Shqipëri, sot kanë një pushtet të pakufizuar, të paprekshëm nga performanca politike dhe qeverisëse. Ata nuk i djeg dielli, dhe nuk i lag shiu. Çfarëdo zgjedhje apo strategjie të vendosin, fituese ose humbëse atyre nuk u hyn gjemb në këmbë.
 
Kjo ka ka bërë që Kryetarëve të sotëm të mos i interesojë si votojnë shqiptarët, por thjesht dhe vetëm për kë votojnë shqiptarët. Kush e vendos se për kë votojnë shqiptarët? Ata, pra! Kryetarët! Të përhershmit.
Vini re, prandaj ata janë të gatshëm e të hapur për të diskutuar çdo javë nga një sistem të ri zgjedhor – proporcional, rajonal, kombëtar, me lista të hapura, të mbyllura – si ta doni ju. Por nuk të lenë të prekësh të “drejtën” për të vendosur për kë votojnë shqiptarët. Sa më i paprekshëm mandati i kryetarit, aq më hyjnore kjo e drejtë.
 
Kjo ka bërë që në përgjithësi përfaqësimi politik i sotëm realizohet në shkelje të Ligjit për Partitë Politike-nenit 7; ndërsa Statutet, kur akoma nuk e kanë kthyer kryetarin në Enver, janë letra për të fshirë bythën. Këto regullime ligjore dhe statutore, partnerëve ndërkombëtarë nuk u interesojnë, përkundrazi; por duhet të na interesojë ne, shqiptarëve të mbetur këtu.
 
Çdo debat për ndryshimin e sistemit zgjedhor, të kushtetutës, bëhet për të tërhequr vëmendjen nga ruajta e paprekur e këtij pushteti mafioz në duart e pak njerëzve të përhershëm.

Çdo ndryshim i sistemit zgjedhor pa kryer këto ndryshime thelbësore – ligjore dhe statutore – që kufizojnë mandatin, që kufizojnë pushtetin e Enverëve të sotëm, është thjesht …. si një prezervativ i shpuar. Kurrë nuk do prodhojë demokraci, ekonomi tregu, shtet të së drejtës por vetëm kriminelë me pushtet.

Ju lutemi shperndajeni