Menu Close

Statuti është kushtetuta republikane e anëtarësisë, jo dekreti i kurorëzimit mbret të Kryetarit!

Kryetarët e përhershëm janë nyja gordiane e prapambetjes ekonomike, politike dhe sidomos kulturore të Shqipërisë. Ata kanë eliminuar konkurrencën politike dhe ekonomike. Kryetari i Partisë në Shqipëri në vitin 2021, ka më shumë të drejta se ç’kishte Mbreti John në vitin 1214, përpara se baronët ta detyronin të firmoste Magna Carta në Qershor të vitit 1215.

Kapitalizmi prodhon mirëqenie për shkak të vendimeve të deçentralizuara të individëve dhe operatorëve ekonomikë. Ky është avantazhi i tij ndaj socializmit, ku vendimmarrja është e çentralizuar. Një parti politike mund të ketë vetëm të mira dhe të jetë konkurruese kur ajo organizohet ngjashëm më sistemin kapitalist. Nëse ndokush mund të hezitojë për këtë duke treguar Ramën si model fitues, më lejoni të them se ai fiton sepse përballë nuk ka një alternativë konkurruese asimetrike. Shqiptarët, në mënyrë të përsëritur, për herë të tretë, treguan se nuk duan të pranojnë kopjen në vend të origjinalit. PD duhet të jetë e ndryshme, dhe të ketë edhe rregulla statutore që e rregullojnë dhe u japin garanci shqiptarëve për këtë.

Më poshtë janë disa mendime se ku, sipas meje, duhet ndërhyrë në Statutin e Partisë Demokratike në mënyrë që PD t’i ngjajë një force politike ku trupëzohen pa përthyerje interesat e deçentralizuara të anëtarëve, ashtu siç ato krijohen dhe transmetohen nga realiteti lokal, dhe jo një shpk. personale të Kryetarit, i cili i interpreton këto interesa sipas qejfit dhe dëshirës të tij të çentralizuar nga zyra e vet në qendër të Tiranës.

Nga pikëpamja funksionale mendoj se, sot për sot, Kryetarët e Degëve janë thjesht organizatorë eventesh për Kryetarin e Partisë, së bashku me kompaninë që ka kryetari për këtë punë. Maksimumi, menaxhojnë ndonjë sherr lokal, por nuk kanë udhëheqësi politike dhe nuk arrijnë të transmetojnë interesin dhe vullnetin e degës në vendimarrjen qëndrore. Roli i degës në krijimin e përfaqësimit politik (kandidatë për deputet, kandidatë për kryetar bashkie) është inekzistent dhe çdo gjë mbivendoset natën e fundit nga Kryetari i Partisë.

Kryetari i Partisë është një personazh i plotfuqishëm të cilit nuk i hyn gjemb në këmbë, çfarëdo gafash dhe idiotësish të bëjë. Zgjedhja e tij me një anëtar një votë është thjesht një fasadë dhe një situatë që shmang dhe zeron urtësinë dhe sidomos vetëdijen politike që akumulohet në memorien e institucioneve të partisë. Kryetari i Partisë, sot është i fortë prej statutit, prej burokracisë në një kohë që duhet të ishte krejt e kundërta. Ai duhet të ishte përgjegjës para anëtarit, para strukturave. Kryetari i PD duhet të jetë i fortë për shkak të vendimeve të duhura, zgjedhjeve të duhura dhe asgjëje tjetër. Kuvendi i Partisë me 7000+ anëtare, Këshilli Kombëtar i zgjedhur nga Kuvendi dhe me emërime nga Kryetari i Partisë jane organizma flu, lehtësisht të manipulueshme, veprimtaria e të cilëve është e paverifikueshme për shkak të numrave të mëdhenj dhe për këtë arsye produkti i tyre “politik” është identik me dëshirën e Kryetarit të Partisë. Këto dy organizma nuk arrijnë të imponojnë vendimmarrje politike, as ta ruajnë apo korrigjojnë atë për ta bërë PD një forcë politike, alternativë konkurruese.

Mendoj se Kuvendi i Partisë Demokratik duhet të kthehet në urtësinë e Partisë, dhe Këshilli Kombëtar në vetëdijen politike të Partisë. Siç janë sot, ato nuk i ngjajnë ndonjë organizmi politik që vendos Kryetarin dhe Kryesinë para përgjegjësisë, por një dasme të madhe ku është humbur filli dhe nuk dihet më kush është ftuar, pasi ftesa kishte synimin për t’i bërë qejfin të gjithëve. Në një dasëm të tillë, të gjithë nuk do mbajnë mend se kush martohet, por secili do kujtoje se kush ishte spikeri i dasmës.

Mendoj se Këshilli Kombëtar duhet të ngarkohet me përgjegjësinë e zgjedhjes dhe shkarkimit të kryetarit. Kompozimi i këtij organizmi duhet të jetë sa më automatik, dhe krejtësisht jashtë influencës së Kryetarit, në reflektim të plotë të kompozimit të fuqisë politike, kulturore, komunitare së degës së partisë. Kryetari duhet të jetë produkt i Këshillit Kombëtar dhe jo e kundërta. PD ka nevojë për një kryetar që lind si kompromis politik, i qartë, i dukshëm dhe prej një organizmi thelbësisht politik si Këshilli Kombëtar. Për këtë mendoj se Statuti i Partisë duhet të reflektojë si më poshte: 

  1. Kryetarët e Degëve

Kryetarët e Degëve të Partisë Demokratike, Kryetarët e grupseksioneve dhe Kryetarët e seksioneve zgjidhen me një anëtar një votë, repektivisht nga anëtarësia e degës, e grupseksionit dhe e seksionit Këta përbëjnë Kryesinë e Degës së Partisë Demokratike në secilën bashki të vendit. Proçedura e garës është e ngjashme me atë të garës për zgjedhjen e Kryetarit të Partisë. 

  1. Këshilli Kombëtar dhe kompozimi i tij

Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike formohet si vijon:

Numri i përfaqësuesve në Këshill Kombëtar të jetë numri i deputetëve që ka nxjerrë secila bashki shumëzim për 2.

Çdo bashki përfaqësohet në Këshillin Kombëtar me deputetët që ka arritur të nxjerrë në zgjedhjet e përgjithshme, dhe një numër të njëjtë përfaqësuesish të zgjedhur nga anëtarësia e partisë në atë bashki sipas parimit një anëtar një votë, njëri prej të cilëve, i përjashtuar nga ky proçes është Kryetari i Degës që është anëtar automatikisht i Këshillit Kombëtar.

Çdo bashki që merr më shumë se gjysmën e deputetëve të parashikuar nga Kodi Zgjedhor shton edhe 2 përfaqësues të përzgjedhur nga Kryetari i degës përkatëse.

Këshilli Kombëtar zgjedh Kryetarin e Partisë dhe Kryesinë e Partisë me votim të Fshehtë.

(Në rastin maksimal – pra kur në zgjedhjet e përgjithshme janë fituar të gjitha vendet në parlament – Këshilli Kombëtar do kishte 542 anëtarë. Këtij numri i shtohen ish President, ish Kryeministër, dhe ish Kryetarë të Partisë. Sot, Këshilli Kombëtar mendohet se ka 468 anëtarë, ndërkohë sipas propozimit të mësipërm Këshilli Kombëtar do kishte rreth 120 vetë)

  1. Propozimi për Kryetar të Partisë

Kandidati për Kryetar i propozohet Këshillit Kombëtar nga një grup prej jo më pak se 30 anëtarësh të tij. Një anëtar nuk lejohet të propozojë në të njëjtën kohë më shumë se një kandidat.

Koha për propozimin e e kandidaturave për Kryetar të Partisë nuk mund të jetë më shumë se 30 ditë nga data e shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve të përgjithshme, nga data e mbarimit të mandatit të Kryetarit, nga data e dorëheqjes së Kryetarit, nga data e shkarkimit të Kryetarit, ose nga data e largimit nga jeta e Kryetarit në detyre.

  1. Gara për Kryetar të Partisë

Gara për Kryetar nuk mund të zgjasë më shumë se 70 ditë nga dita e fundit e propozimit të kandidaturave për Kryetar të Partisë.

Kryesitë e Degëve janë përgjegjëse për organizimin e të paktën 1 debati të hapur mes të gjithë kandidatëve pjesëmarrës në garë. Debati moderohet me kohë të barabarta të kronometruara.

Secili kandidat për Kryetar është i detyruar të paraqitet në të paktën 1 debat të përbashkët të organizuar nga secila degë e Partisë. Kandidati i cili nuk paraqitet në secilin debat skualifikohet nga gara.

  1. Zgjedhja e Kryetarit të Partisë

Kryetari i Partisë zgjidhet me votim të fshehtë. Për zgjedhjen e Kryetarit, Këshilli Kombëtar zhvillon deri në pesë votime. Në votimin e dytë, të tretë dhe të katërt mund të paraqiten kandidatë të rinj, sipas kushtit të shprehur më lart. Kryetari i Partisë zgjidhet në votimin e parë, të dytë ose të tretë kur një kandidat merr jo më pak se tri të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Këshillit Kombëtar. Në votimin katërt dhe të pestë zgjidhet Kryetar kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Këshillit Kombëtar. Votimi i pestë zhvillohet kur në votimin e katërt asnjë kandidat nuk ka siguruar shumicën e kërkuar të votave. Votimi i pestë zhvillohet vetëm midis dy kandidatëve që kanë marrë më shumë vota në votimin e katërt. Në rast se ka më shumë se dy kandidatë me të njëjtin numër votash, kandidati që merr pjesë në votim caktohet me short. Në rast se pas votimit të katërt nuk ka mbetur asnjë kandidat në konkurrim, për këtë votim mund të paraqiten kandidatë të rinj, sipas kushteve të paragrafit të parë si më sipër. Kur paraqiten më shumë se dy kandidatë, votimi zhvillohet midis dy kandidatëve që kanë siguruar numrin më të lartë të deputetëve propozues.

  1. Mandati i Kryetarit

Kryetari i Partisë që humb zgjedhjet e përgjithshme, automatikisht pushon së qeni kryetar të nesërmen e shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Në rast fitore të zgjedhjeve të përgjithshme Kryetari i Partisë qëndron në detyrë, por jo më shumë se dy mandate.

Pas çdo proces të zgjedhjeve vendore Kryetari i Partisë votëbesohet, përmes një mocioni besimi i cili kërkohet prej tij automatikisht, jo më shumë se 2 javë pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve vendore.

  1. Shkarkimi i Kryetarit të Partisë

Përveçse kur i mbaron mandati, Kryetari i Partisë shkarkohet minimalisht kur:

  1. a) ushtrimi i kompetencave qe ky statut i parashikon te jene te organeve të tjera te Partisë;
  2. b) tërësia e veprimtarisë së tij demton interesat elektorale dhe politike te partisë;
  3. c) militon ose mbështet në mënyrë të drejte ose të tërthorte një subjekt tjetër politik;
  4. d) verifikohen arsye shëndetësore.

Për çdonjërën nga këto arsye, ndaj Kryetarit mund te iniciohet një mocion mosbesimi nga 50%+1 e anëtarëve të Këshillit Kombëtar. Mocioni për shkarkimin e kryetarit fiton vetëm kur merr 3 të 5 e votave të anëtarëve të Këshillit Kombëtar.

Kryetari i Partisë jo më shumë se 2 javë pas përfundimit të zgjedhjeve vendore i paraqet Këshillit Kombëtar një mocion besimi. Këshilli Kombëtar mblidhet të votojë për këtë mocion besimi jo më vonë se 7 ditë nga data e paraqitjes së tij. Në rast se ky mocion besimi merr më pak se gjysmën e votave të Këshillit Kombëtar, Kryetari i Partisë quhet i shkarkuar, dhe fillon procedura e zgjedhjes se Kryetarit te ri siç eshte shpjeguar me lart.

***

Me kaq e quaj detyrën time të përfunduar. Nuk kam asnjë dëshirë apo pretendim politik, por kjo dihet, për cilindo që ka patur mundësi të këmbejë dy fjalë me mua qysh prej vitit 2017, ose që lexon a dëgjon komentet e mia politike. Me siguri ka njerëz më kompetent se unë për këto punë që unë kam shkruar. Njerëz që nuk kanë folur deri tani, dhe aq më pak të kenë kontribuar në Statutin e deritanishëm të kryetarit mbret. Këta do i dëgjoj me vemendje.

Nuk kam hyrë në detaje të mëtejshme. Por edhe ato do ishin të udhëhequra nga common sense. Mbetem i dyzuar nëse Kryetari fitues duhet të jetë edhe Kryeministër ose jo. Natyrisht që duhet të ketë pëparësi.

Nuk jam shprehur as për zgjedhjen e kandidatëve për deputetë apo kryetarë bashkie. Mendoj se kandidatët për deputetë dhe për kryetar bashkie duhen zgjedhur nga degët e partisë me votën e anëtarëve të degës sipas një liste të hapur. Nuk gjej arsye pse duhet të jetë ndryshe.

A e zgjidhin këto hallin që ka PD qysh nesër? Jo! Por këto zgjidhin përgjegjësinë. E kur njeriu fillon mban përgjegjësi për aktet që kryen, për fjalët që thotë mendohet dy herë. Mendoj se nga këtu duhet filluar.

Ju lutemi shperndajeni