Ekonomia shqiptare është mumifikuar. Asaj i është tharë lëkura dhe i ka ndaluar zemra. Ajo nuk lëviz nga vendi njësoj si një mumie egjiptiane. Përgjigjen ndaj çdo demagogjie që pretendon të kundërtën, e japin shqiptarët që në vitin 2015 po largohen në masë nga vendi. Njësoj si me eksodin masiv që tronditi Europën, atëherë kur vdiq ekonomia socialiste në vitin 1992.
* * *
Çfarë ka ekonomia shqiptare që nuk ecën? Qysh nga fillimit e viteve ‘90 Shqipëria ka ndërmarrë reforma liberalizuese, që synonin rialokimin e burimeve nga sektori publik drejt sektorit privat. Është fakt që ekonomia shqiptare iu përgjigj këtyre reformave liberalizuese.
Por, me ç’duket, kjo rritje ekonomike nuk ka krijuar një bazament të qëndrueshëm zhvillimi. Nuk ka se si ta ketë krijuar. Ngjarjet dhe politikat ekonomike në këto 2 dekada janë zhvilluar më së shumti në elemente të kërkesës agregate si faktor i zhvillimit. Pra, kanë qenë të lidhura me shpenzimet qeveritare dhe ato të konsumatorëve, me ecurinë e eksporteve dhe importeve, investimet, normat e interesit etj. Efektet e këtyre elementeve, sado pozitive, mbeten afatshkurtra. Paqëndrueshmëria e këtyre zhvillimeve shtohet kur tatimi mbi të ardhurat, në vend që të ulet, rritet, duke frenuar kështu akumulimin e kapitalit.
Zgjerimi i sektorit privat nga 0 në 75 për qind të PBB-së ndodhi përgjatë periudhës 1991-1997. Që atëherë e deri tani, pesha e këtij sektori nuk është rritur më shumë se deri në 80 për qind të PBB-së. Çfarë kemi krijuar deri më sot është një ekonomi me strukturë tejet të fragmentuar, ku mbi 97 për qind e ndërmarrjeve punësojnë më pak se 9 punëtorë. Kjo ekonomi nuk ndjell investime, modernizim, inovacion. Nuk është konkurruese, është anemike, e pafuqishme për t’u zhvilluar.
Kapitalizmi shqiptar mbetet rural, ndërkohë që amortizatori i politikave ekonomike që në këta 20 vjet kanë synuar rritjen e konsumit më shumë se rritjen e produktivitetit, janë të ardhurat nga emigracioni, të cilat gjatë periudhës 1993–2013 llogariten të jenë rreth 15.4 miliardë dollarë. Më shumë se çdo e ardhur nga privatizimi, apo se çdo investim publik e privat direkt në ekonomi – stoku i këtyre të fundit nuk i kalon 3 miliardë euro. Kjo tregon që motori ekonomik nuk është vendosur në ndonjë bazament të qëndrueshëm, të kalimit nga rritje tashmë thjesht natyrale në një rritje cilësore.
Provat i kemi përpara syve. Shqipëria e sotme ka ende nevojë për politika të stabilizimit makroekonomik, ndërkohë që ekonomia ka disa vjet që ka frenuar dukshëm. Në vitin 2009, rritja ekonomike u ngadalësua në 3.4 për qind. Në 2010 ajo ishte 3.7 për qind, për të frenuar edhe më fort në 4 vitet në vijim, në nivele stanjacioni, në rreth 1.5 për qind mesatarisht.
Për ta bërë sa më të kuptueshme, ekonomia shqiptare e këtyre viteve të fundit rritet me 140–150 milionë euro në vit, ndërkohë që vetëm të ardhurat nga emigracioni në vitin më të keq kanë qenë mbi 300 milionë euro.
* * *
Politikat ekonomike, sa nga nevoja fillestare, por më shumë pse marrja me elementet e kërkesës agregate i jep në vazhdimësi një rol shumë të rëndësishëm qeverisë në ecurinë dhe vendimmarrjen ekonomike përkundrejt sektorit privat, në këta 20 vjet rrallëherë janë zhvilluar në territore të ofertës agregate si faktor afatgjatë i zhvillimit ekonomik.
Kjo do të thotë se orientimi i politikave drejt rritjes së kapaciteteve produktive në Shqipëri, që do fuqizonin sektorin privat dhe do të zvogëlonin rolin e shtetit dhe të politikanëve me vendimmarrjen ekonomike në favor të institucioneve të ekonomisë së tregut, në këto dy dekada, kryesisht ka munguar, për shkak se përfitimi politik prej tyre nuk është i menjëhershëm dhe me gjasë pesha politike zvogëlohet me kalimin e kohës.
Shumë e thjeshtë, asnjë politikan nuk do me vetëdije që t’i bjerë fuqia që ka mbi ekonominë, mbi qytetarin. Edhe kur kjo ka ndodhur, siç është rasti i investimit publik në infrastrukturën rrugore, ka qenë e pamjaftueshme, ose mbetet edhe sot mjaft e segmentuar që të krijojë një garanci zhvillimi. Mbështetja buxhetore për të zhvilluar edukimin profesional dhe nxitur konkurrencën në tregun e punës, në vend që të rritet, është ulur, çka dëshmon se nevoja për të rritur produktivitetin e punës, më shumë se prioritet, është një shtrëngim për qeverinë.
Nga ana tjetër, edhe pse zëri “makineri e pajisje” vazhdon të përbëjë rreth 20 për qind të importeve në 2014, nuk duket sikur zhvillmi teknologjik dhe inovacioni po shpërthen në Shqipëri; nuk kemi fabrika të reja që hapen apo dhe ndonjë përmirësim të madh teknologjik tek papunësia vazhdon të jetë e lartë dhe ekonomia mënon të rritet.
* * *
Sidoqoftë, përgjigjja më e saktë në lidhje me pyetjen se çfarë ka ekonomia shqiptare që nuk ecën, është se shteti dhe shoqëria shqiptare ka dështuar me zhurmë të madhe te krijimi i institucioneve të ekonomisë së tregut. Këto institucione janë rregullat e lojës në shoqëri, që formojnë dhe përkufizojnë marrëdhënien, ndërveprimin njerëzor. Mungesa e tyre, si element i ofertës agregate nuk lejon strukturimin e incentivave në shkëmbimet njerëzore në rrafshin politik, ekonomik apo shoqëror.
Të dorëzuar te përfitimi politik i ditës, te populizmi, te nevojat për pëlqim afatshkurtër, ne shqiptarët duket sikur nuk duam të sigurojmë kushte të qëndrueshme dhe të besueshme, në të cilat individët dhe sipërmarrësit organizohen, konkurrojnë, bashkëpunojnë dhe shkëmbejnë mes tyre.
Përkundrazi, sa herë votojmë, duket sikur e bëjmë këtë për të qenë secili i pari që përfiton nga favoret politike, nga tenderat publikë e kështu me radhë deri te ndonjë post në administratën publike. Aq e fortë është kjo sjellje në shoqërinë shqiptare, saqë qysh prej vitit 2001 kemi formimin e partive të reja politike të bazuara kryesisht në gllabërimin e tenderave publikë dhe shpërndarjen e rishpërndarjen e posteve në administratën publike.
Krejt logjikshëm, kjo sjellje shoqërore favorizon ndryshimet e shpeshta të ligjeve, një administratë militante dhe një sistem gjyqësor problematik të paaftë dhe jo të besueshëm për të garantuar bashkëjetesën dhe ndërveprimin e lirë në ekonominë e tregut; Për të garantuar dhe çliruar nga pengmarrja politike zhvillimin ekonomik të Shqipërisë.
* * *
Në majë të listës së problemeve që ka Shqipëria në lidhje me zhvillimin e saj, që pengojnë çlirimin e potencialeve të saj të zhvillimit, është një nga elementet e rëndësishme të ofertës agregate: e drejta e pronës.
Prona private sot në Shqipëri është peng i një legjislacioni që më shumë se është zbatuar, është interpretuar; është peng i mbarimit të procesit të regjistrimit, të procesit të kthimit dhe kompensimit të pronës, të legalizimit të ndërtimeve pa leje, që në vend të pakësohen, vetëm shtohen sipas mbështetjes politike, i grabitjes dhe tjetërsimit të pronës dhe kontesteve gjyqësore e konflikteve të lidhura me të.
Rezultati i kësaj janë mijëra të vrarë, shumë kredi të këqija në sistemin bankar, mungesa e një tregu toke dhe natyrisht pamundësia e krijimit të një modeli zhvillimi. Ky nuk mund të ngrihet në ajër. Guri i tij i qoshes është prona private; Trajtimi i së cilës më shumë ka pasuruar burokracinë dhe gjykatat sesa vetë pronarët.
Derisa çdo pronar të ketë tapinë në dorë dhe garancinë politike që nuk do ketë një ligj apo një interpretim tjetër ligjor që mund t’ia marrë përsëri, Shqipëria, ky vend i bekuar, nuk do mund të zhvillohet. Do mbetet gjithnjë peng i politikes. Hopet e zhvillimit do vijnë vetëm kur politika shqiptare do perceptojë se ka më shumë përfitim politik nga zhvillimi ekonomik, sesa nga mbajtja peng e tij.
Pos kësaj, Shqipëria nuk ka për të njohur ndonjëherë zhvillim nëse nuk heq dorë nga politika nxitëse (taksa 7.5 për qind), që e mbajnë biznesin mikroskopik, duke përjetësuar mumifikimin e ekonomisë shqiptare.
Edhe pse çdo politikan ka prirjen instinktive për përfitime afatshkurtra, nuk besoj se do të marrë në dorë një vend ku të rrëshqet toka nën këmbë, pamjen e të cilit po merr sot Shqipëria. Privilegjimi i dukshëm i politikave të ndërtuara mbi faktorët e zhvillimit të kërkesës agregate në Shqipëri, ku më i përdoruri është instrumenti kejnesian i nxitjes së konsumit përmes rritjes së shpenzimeve qeveritare, përveç përfitimeve afatshkurtra, nuk ka krijuar një bazament të qëndrueshëm zhvillimi ekonomik afatgjatë.
Përkundrazi, ka sjellë një fuqizim të klasës politike dhe pushtetit të saj mbi sipërmarrjen dhe qytetarin, aq sa ne sot diskutojmë më shumë nevojën për dekriminalizim të Parlamentit dhe qeverisjes, sesa nevojën e një diskutimi të politikave të zhvillimit jashtë kontekstit të përfitimit politik të njërës apo tjetrës parti.
Politikat e sotme qeveritare i kanë zënë frymën ekonomisë me rritjen e taksave mbi kapitalin, mbi të ardhurat, mbi kursimet. Kanë tkurrur investimet e huaja. Kreditimi i ekonomisë mbetet më i ulëti në rajon. Ato politika kanë mjeruar shqiptarët brenda vendit dhe po varfërojnë edhe shqiptarët në emigracion, të cilët edhe një herë janë të detyruar t’i çojnë më shumë para familjarëve të tyre në Shqipëri.
Borxhi publik ka arritur mbi 7 miliardë euro; investimet publike janë në rendin e 500 milionë eurove më pak se të ardhurat nga emigracioni, ndërkohë që huamarrja e brendshme e qeverisë në vitet 2013 dhe 2014 është më e lartë se rritja e depozitave. Pra, qeveria merr nga xhepat e shqiptarëve më shumë nga sa ata vetë kursejnë për të financuar shpenzimet burokratike.
* * *
Rezultati i këtyre politikave shihet qartë teksa shqiptarët, të majtë e të djathtë, po i largohen vendit, po i largohen pasigurisë për të ardhmen, po u largohen premtimeve boshe, pasi e ndiejnë që zemra e ekonomisë shqiptare ka ndalur.
Është evidente që zhurma e madhe e politikave të progresivitetit rezultoi inferiore ndaj politikave të proporcionalitetit.
Përtej këtij observimi, mendoj se diskutimi për politikat e zhvillimit duhet të shkëputet nga gara dhe retorika politike e partive të veçanta dhe t’i drejtohet arritjes së një konsensusi të gjerë. Që shqiptaret të zhvillohen të gjithë njëherësh dhe jo të krijojnë pasuri të paqëndrueshme, me turne, sipas rotacionit politik. Ky lloj diskutimi garanton qëndrueshmëri të zhvillimit ekonomik dhe shton shanset që ekonomia shqiptare të dalë nga koma.
23 Prill 2015