Menu Close

Po ç’nevojë kanë shqiptarët për figurina të tjera?

Me zë dhe me figure në emisionin Quo Vadis, para votimit për Kryetar të PD kam thënë: do kemi proçese blitz që do prodhojnë, një Kuvend Kombëtar fantastik, një Këshill Kombëtar fantastik, nje Kryesi fantastike, Grupin Parlamentar fantastik e kemi …. dhe lum si ne pastaj. Duket se kështu po ndodh!

 

Të nderuar anëtarë të Këshillit Kombëtar,

Ditën e hënë, datë 30 Gusht 2021, ora 18:00, do të zhvillohet mbledhja e Këshillit Kombëtar të PDSH, me këtë rend dite:

  1. Konstituimi i Këshillit të ri Kombëtar dhe zgjedhja e Kryetarit të Këshillit Kombëtar.
  2. Zgjedhja e Kryesisë dhe Sekretariatit të Partisë; e Kryetarit të Komisionit të Apelimit, Integritetit dhe Etikës; e Komisionit Zgjedhor; dhe të Bordit Financiar të Partisë.
  3. Njoftimi i përbërjes së Kryesisë së Grupit Parlamentar të PD.
  4. Caktimi i drejtuesve te Departamenteve të Këshillit Kombëtar.

Mbledhja do të zhvillohet në Sallën e Mbledhjeve, Kati i II, Selia e PD.

 

Mirë që 400 veta në atë sallë nuk i nxe, por cilët kandidojnë për secilin nga pozicionet? Si çdo herë, njësoj si me listat për deputet, për drejtues qarqesh, për …. Basha zgjedh të mos ketë besim tek demokratët, të mos i respektojë ata duke i sjellë të “votojnë” si derr në thes, këdo që ka zgjedhur ai nën yjet dhe freskun e Lalzit. Ky është një sinjal i përsëritur se institucionet statutore për Bashën janë formalitete, të cilat pasi i plotësojnë qejfet e tij, zëre se nuk ekzistojnë.

Basha po e grumbullon të Hënën, në Tiranë, gjithë Këshillin Kombëtar si një tekë e tij personale thjesht për të detyruar këta njerëz të ngrenë dorën për të konfirmuar cilindo që i ka thënë mendja Bashës. Si derra në thes. Si figurina, që do votojnë për ca figurina të tjera. Njoh një numër të madh njerëzish në Këshill Kombëtar, të cilët nuk e mbajnë veten as si derra në thes dhe as si figurina që Basha i nxjerr nga kutia, të luajë për pak orë që të “zgjedhë” disa figurina të tjera. Ata nuk po nxjerrin ende zë, ca për oportunizëm, ca pse nuk duan të besojnë atë çfarë i ndodh para syve, siç ka edhe njerëz që mendojnë se kështu duhet të jetë dhe jo ndryshe.

Mendoj se këto dy muaj, qysh me “garën” për Kryetar, Kuvendin Kombëtar të jashtëzakonshëm kanë qenë për Bashën një kohë në të cilën nuk bëri asgjë më shumë por siguroi që në PD ai është “dielli që shndrin” duke imituar Ramën që është “dielli që shndrin” në krahun tjetër. Mendoj edhe se mbledhja e të Hënës do prodhojë se kush, sipas mendjes së Bashës, do jenë Taulanti, Eliza, Belinda, apo Ben Ahmetaj i PD-së. Mesazhi që kemi marrë nga njerëzit është që ata nuk duan një PD simetrike, imituese të PS, por një forcë politike ndryshe. Por kjo nuk ka më rëndësi tashmë. Për Bashën, se për mua po.

Ai që mendon se duhet të jetë ndryshe, është një “tradhëtar” që me siguri i është prishur qejfi dhe prandaj flet keq. Gjithnjë mendimeve individuale tentohet t’i mbivendoset mendimi i Partisë. I Bashës domethënë. I cili 5 herë rresht nuk arriti të zgjidhë të njëjtin problem. Sa herë ka zgjedhje, atij ja vjedh zgjedhjet Rama. Por a i ishim konkurrues, a kishim njerëzit e duhur, a thamë fjalët e duhura, këto pyetje nuk i bën njeri. Në publik, të paktën. Mungesa totale e dëshirës, biles bezdia e madhe që shpërfaqet sa herë diskutohet nevoja për të reflektuar mbi si bëhet Partia Demokratike e besueshme dhe konkurruese, më bën të besoj se figurinat e zgjedhura nga Basha do e mendojnë botën njësoj si ai. Kështu, në lojën përkundruall Ramës, Basha do të shkojë i qetë dhe i “fuqizuar” dhe me Partinë në rresht.

Një ëndërr! Shumëkush ka dalë tashmë nga rreshti imagjinar i Bashës. Dje doli edhe Marku. Në vend të Markut hyri një person i listave fantastike të 2017. Pas këtyre dy muajve të mbushur me proçese blitz për të ruajtur vulën e PD të paprekur në duart e tij, mendoj se shumë njerëz nuk e njohin më monopolin e PD-së së Bashës për të bërë opozitë. Ky “monopol”, nuk ka prodhuar asnjë të mirë politike për shqiptarët, ndërsa ka prodhuar komfort për Bashën dhe një numër të kufizuar njerëzish pranë tij. Kjo gjë nuk i afron njerëzit tek PD, përkundrazi.

Ndërsa Basha po kryen të vetmin aktivitet që i intereson, po i “kopsit” të gjitha çështjet që lidhen me sigurimin e vulës së PD brenda stinës së verës, vjeshta politike që fillon pas të Hënës do ri-sjellë edhe një herë diskutimin mbi non-grata të Berishës. Basha heshti gjatë gjithë kësaj kohe. Nuk prodhoi as lidership për anëtarët e PD dhe as partneritet për SHBA. Berisha nga ana tjetër nuk ka heshtur përkundrazi ka imponuar qëndrime. Gjithçka në PD sot sillet vërdallë rreth këtyre të dyve, të cilët si modele politike në gjykimin tim janë e shkuara dhe jo e ardhmja e PD. Oh, po ky është vetëm mendimi im për nevojën që PD ka patur dhe ka që të ndahet nga e shkuara, sado e lavdishme të ketë qenë ajo.  Shumëkush, edhe pse nuk e pranon me fjalë, e di fare mirë se kjo lojë e verës mes dy kryetarëve, Bashës dhe Berishës, të dy banorë të Lalzit, po i kushton PD, e dobëson atë, e sëmur atë. PD, sot, është e sëmura e Lalzit.

Koston e kësaj sëmundje e paguajnë dhe do e paguajnë vetëm demokratet. Edhe ata që nuk i durojnë dot dhe bezdisen nga njerëz që mendojnë si unë. Dhe që nga ana tjetër shtrëngojnë dhëmbët. Por ndryshe nga shumëkush unë nuk e shoh mbajtjen e kostos së pushtetit të Bashës mbi demokratët si ndonjë dekoratë. Duhet që Basha të mbajë kostot e demokratëve dhe jo e kundërta. Siç kemi parë këto 8 vjet, edhe pse i ka udhëhequr demokratët nëpër humbje, Bashës vetë nuk i hyn gjemb në këmbë. Nuk kam ndonjë zgjidhje magjike për këtë, përveç rrugës së mundimshme të Manifestit Politik që më shumë se konkurronte me asgjënë e Bashës ishte një dialog me demokratët për të ardhmen e një force politike të vërtetë, europeiste, që u hyn në punë shqiptarëve jo kryetarëve. PD duhet me patjetër të jetë një parti më e madhe se Kryetari që të jetë konkurruese dhe kontribuese, pra e vlefshme për shqiptarët.

Boll më me figurina.

Prralla n’lesh, shnetja prej nesh!

Ju lutemi shperndajeni