Më shumë se gjysma e shqiptarëve, qysh prej fillimit të viteve 1990 e deri tani është larguar nga Shqipëria.
Njerëzit kur largohen nga vendi i tyre drejt vendeve të tjera për të filluar një jetë të re, e bëjnë këtë sepse atje ku duan të shkojnë, elitat qeverisëse – një pas një, në dhjetëra a qindra vjet – kanë arritur me politikat e tyre të zhvillojnë vendin (psh. Italinë, Gjermaninë, USA, Anglinë …..) dhe të krijojnë mundësi shkollimi, punësimi, karriere, pasurimi kujdesi shëndetësor, dinjiteti e zhvillimi njerëzor jo vetëm për qytetarët e tyre, por edhe për ata si Shqiptarët. Largimi është i mundimshëm, ka vuajtje e sakrifica të paimagjinueshme për mua që shkruaj këto rradhë, por meqë s’ndalet, duket se u vlen më shumë, sesa të rrinë këtu.
Por, më së pari çfarë është një elitë qeverisëse? Elitë qeverisëse janë ata njerëz që kanë pushtetin politik, ekonomik, e mediatik – që në fund të fundit kanë fuqinë dhe influencë ndaj vendimarrjes për ekonominë dhe shoqërinë, që bëjnë dhe mbajnë marrëveshje informale, jo-ligjore për shpërndarjen e pushtetit dhe pasurisë së vendit. Kjo është elita qeverisëse, jo ndonjë gjë tjetër. 😉
Pra, mund të thuhet se përmes emigrimit, shqiptarët zgjedhin ta vendosin jetën e tyre, të fëmijëve, të ardhmen e tyre në dorë të elitave qeverisëse të vendeve të tjera, duke ju larguar elitës qeverisëse shqiptare – të gjithë këta sot i gjen në vilat e tyre në Lalëz ose në segmentin Palasë – Dhërmi.
Kohët e fundit, ka filluar një diskutim për kthimin e emigrantëve në Shqipëri. Shumë mirë! Nëse kthehen emigrantët, mendohet se sjellin burime financiare, por mbi të gjitha aftësi dhe standarte profesionale të vendeve më të zhvilluara.
Por ata që flasin për këtë, ndoshta nuk duhet të harrojnë se elita qeverisëse në Shqipëri, njerëzit që përbëjnë atë në nivel politik, ekonomik dhe medatik janë po të njëjtët e këtyre 33 vjetëve – të pandryshuar – pra të njëjtët nga të cilët shqiptarët ikin nga sytë këmbët në rradhë të parë.
Pse duhet të kthehen shqiptarët si dele në prehrin e atyre prej të cilëve u larguan ???
Ky diskutim, më kujton një humor korçar ku mësuesi i fizikës pyeti nxënësit se si të kalonin një fije peri përmes një markuçi*. Nxënësi më i keq i klasës ngriti dorën për habinë e të gjithëve. S’kish bërë vaki ndonjëherë. Pa hë – i tha me qesëndi mësuesi.
– Po ja o presor – foli nxënësi – marrim një karanxha**, ja lidhim perin për mesi, dhe e fusim në markuç. Karanxhai do eci dhe do dali në krahun tjetër. Ja ku e kaluam perin në markuç – i dha zgjidhje nxënësi.
– Jo ore – qësëndisi mësuesi – po sikur karanxhai në mes të rrugës të kthehet mbrapsht?
– Nxënësi i hodhi një shikim ku përzihej habia dhe përçmimi dhe ju përgjigj – Po ce o presor, ment e tua ka karanxhai?
Kështu edhe puna e emigrantëve që po duan t’i joshin për t’i kthyer mbrapsht të njëjtët nga të cilët ata u larguan. Po kushedi, çfarë s’bën vaki në këtë dynja.
*markuç – zorrë uji
**karanxha – milingonë e madhe