Nëse nuk interesoheni për punët e qeverisë suaj, atëherë jeni të dënuar të jetoni nën sundimin e budallenjve.
Plato
Sikur të kishim një opozitë
Mungesa e opozitës është fatkeqësi kombëtare. Kjo fatkeqësi hyn në portën e çdo shtëpie shqiptare, dhe u qelb ajrin që thithin edhe atyre që u duket se janë në anën e fitimtarit. Mungesa e opozitës prodhon korrupsion, arbitraritet, autoritarizëm, diktaturë. Vendi pa opozitë në vend të zhvillohet në planin social dhe ekonomik, ligështohet, mpaket, kalbet. Thjesht arrin të mbijetojë. Për të dalë nga kurthi shekullor i mbijetesës “së shkëlqyer“ ku ndodhemi, dhe që Shqipëria të fillojë të jetojë, vendi ka nevojë për opozitë. Për një opozitë organike, jo një opozitë të emëruar. Për një opozitë që e përmirëson, ose që e rrëzon mazhorancën që qeveris. Që e përmirëson duke e detyruar të punojë më mirë dhe të japë llogari. Që e rrëzon sepse merr më shumë vota.
Nga kjo pikëpamje, qysh prej vitit 2013, vendi nuk ka më aspak nevojë për PD, pasi ajo as e përmirëson, dhe as e rrëzon dot mazhorancën. Përkundrazi është parakushti i qëndrimit të rehatshëm në pushtet dhe në buxhet për mazhorancën. Është tubi i saj i oksigjenit. Ose më saktë, prej shumë kohësh PD është eliksiri i PS. Berisha dhe minionët e tij, jo vetëm në PD, të parë si metodë dhe interpretim i politikës e përfitimeve të tyre prej saj, bëjnë që edhe pas 14 vjetësh në pushtet pa ndërprerje, e grisur, e arnuar PS-ja dhe Rama – të para po si metodë dhe interpretim i politikës dhe përfitimeve të tyre prej saj, të duken akoma si gjë e re, si e papërdorur, joshëse. Bëjnë që karta e Ramës edhe pse ka 14 vjet që na ka ngel në dorë, të mos na duket ende si “Derri Maç”.
Asgjë të re në zgjedhjet e 2025’s?
Po kështu, ndërsa jemi fare pak përpara zgjedhjeve të vitit 2025, vendi nuk ka e nuk do ketë nevojë as për “PD të reja[1]”, kjo për dy arsye: 1) për aq kohë sa këto më shumë se si nevojë e shqiptarëve formohen si nevojë personale për të qëndruar në politikë e personazheve që vendosen në krye të tyre; dhe 2) për aq kohë sa këto personazhe suksesin dhe përvojën e tyre politike e kanë ndërtuar duke qenë të pëlqyeshëm si karakter dhe profesionalisht, plotësisht në përputhje me kërkesat e vigjilencës familjare të PD kur ajo ishte në pushtet. Them se ne shqiptarëve na duhen njerëz që NUK i përmbushin këto 2 kriteret e mësipërme.
Por, mendoj edhe se askujt nuk mund t’i mohohen dëshirat. Nga njëra anë, këta që kemi i kemi provuar, dhe nuk është se e kanë ndritur, mjaft të lexosh qetë rezultatet e Censusit 2023. Nga ana tjetër, nuk mund të mos pranojmë se kushdo mund të ndryshojë mendje dhe metodë, secili e ka në dorë të mos jetë rob i së shkuarës. Për momentin, as PD, as “PD-të e reja”, dhe as parti të tjera nuk e kalojnë këtë test në mendjen dhe sidomos në shpirtin e njerëzve. Ato nuk ngjisin edhe kur ndonjëherë arrijnë të flasin siç duhet, sepse në vlerësimin popullor nuk u përputhet zëri me figurën.
Po tani o i shkretë?
Është e qartë që në fillim se vendit i duhet një alternativë. Por nuk mund të mos e them se energjia njerëzore që do i duhej çfarëdo alternative për të rrëzuar një parti në pushtet sot në Shqipëri është e paimagjinueshme, do duhet të buronte nga zotat e Olimpit, sidomos tani që Shqipëria është katandisur 2.4 milionë banorë. Ndaj mendoj se është më e udhës që fillimisht apo paralelisht të rrëzojmë llogoret, barrikadat dhe bunkerët e krijuar në vite – nga 2008 e këtej, nga elita jonë qeverisëse, ku i janë thyer kockat çdo ideje të re, të ndryshme që u prish atyre punë; ku kjo elitë qeverisëse 30 vjeçare strehon veten dhe familjen për të sunduar shqiptarët sa me gjatë dhe sa më lehtë – siç e dinë edhe gurët edhe drurët e këtij vendi.
Këto barrikada e bunkerë janë Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë. Sot, siguria, pushteti absolutist i kryetarëve përbrenda formacioneve politike ku gjenden, përforcohet pakufishëm nga Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë. Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor – me gjithë ndryshimet nga 2008 deri në 2024, sot i shërbejnë kryetarëve dhe jo shqiptarëve. Sot, Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor kanë ribërë Partinë Politike më të rëndësishme, më të favorizuar sesa Individi. Sot Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor janë hanxhari dhe gërshërët me të cilat Kryetarët u presin gishtat dhe gjuhën gjithë shqiptarëve nga 18 vjeç e lart. Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor do duhet të rrëzonte absolutizmin e kryetarëve dhe të partive politike në Shqipëri, dhe jo ta përforconte atë. Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor do duhej të ishin penelat me të cilat qytetarët të mund të përcillnin vullnetin e tyre në telajon e demokracisë. Që shqiptarët të kenë opozitë të tyren, dhe jo të emëruar nga mazhoranca, na duhet një Kushtetutë dhe Kod Zgjedhor që e kthen sigurinë absolutiste të Kryetarëve në pasiguri absolute për ta në momentin kur qytetarët hedhin votën. Kur këto të ndryshojnë në favor të shqiptarëve, kur kryetarët që bëjnë ç’të duan brenda partive te tyre, të jenë sa më të pasigurtë për votën e qytetarëve, atëhere do kemi demokraci dhe Shqipëria do fillojë të dalë nga ligështia, e të bëhet më e shëndetshme, e një vend ku shqiptarët që ikin do duan të kthehen.
SOS! SOS! SOS!
Në këtë pikë, shoqet dhe shokët e Bashkimit Europian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të OSBE-së, kshu kot, thjesht se ja do qejfi, mund të vendosin të bëhen aleatë dhe t’u dalin në mbrojtje qytetarëve shqiptarë të gjunjëzuar nga elita e tyre qeverisëse. Shqiptarët kanë nevojë për ndihmë që t’ja shkulin elitës qeverisëse Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor nga xhepat e thellë ku i kanë futur dhe i mjelin papushim, dhe t’i rivendosin këto dy kontrata sociale në shërbim të tyre. Gjer më atëhere, ne shqiptarët e mbetur në Shqipëri do jemi si mëditës të shtrënguar të shtyjmë Anijen e Budallenjve të Platonit, e cila është në dorën e një ekuipazhi që në këto 30 vjet ka treguar se njeh e punon zanate të tjera, por jo atë të lundrimit drejt Europës.
Edhe 2025 iku. Më vonë të shohim …
[1] Siç i ka përkufizuar Ben Andoni në editorialin e tij tek Java News https://javanews.al/pd-te-e-reja-sfida-mbetet-tek-privilegjet/