Dhjetorin 1990 dhe themelimin e Partisë Demokratike e kujtoj gjithnjë me shumë gëzim. Në mendjen time ato 4 ditë janë sinonimi i Lirisë. Sepse aty çdo shqiptar u njoh me Lirinë për të zgjedhur. Të paktën këtë fitova unë. Në fakt këtë liri fituan të gjithë pavarësisht se çfarë emër i vënë, si e përdorin, deri në ç’masë arrijnë ta kuptojnë dhe deri ku duan të marrin përgjegjësi për zgjedhjet që kryejnë. Shumëkush përgjegjësive që vijnë nga liria në zgjedhjet personale ende i përvidhet, i shket, i fshihet. Nuk do t’i mbajë mbi supe. Si me thënë se do të shkojë në parajsë, por nuk do që të vdesë.
Ndërsa kur kujtoj grevën e urisë në Shkurt të 91 kam ndjenja të përziera. Kam gëzim, por sa më shumë kalojnë vitet aq më shumë më shtohet edhe shija e helmët në gojë dhe në shpirt. Pavarësisht se ku dhe si ishte diskutuar organizimi i kësaj greve, ne hymë në grevë, së pari, sepse kishim një ndjesi se pluralizmi politik i konkretizuar në Dhjetor 1990 ishte i paplotë, dhe se ende nuk e kishte fituar qytetarinë në mendjet e shqiptarëve. Mendje në të cilat ende mbretëronte morali i PPSH. Siç u pa dhe në zgjedhjet e përgjithshme në Mars ‘91.
Enver Hoxha në shkurt të vitit 1991 ishte kudo. Për shumë njerëz ai kishte filluar çdo gjë në këtë vend. Fjala e tij ishte e pagabueshme. Ai kishte prekur me dorë gjithshka. Burra, gra, djem dhe vajza. Ishte në çdo inaugurim. Në çdo festë. Në çdo përkujtim. Në çdo fotografi. Ai ishte burimi i gjithë të mirave. Bonifikim. Higjienë. Arsim. Elektrifikim. Hyrje në Traktatin e Varshavës. Hidroçentrale. Rrugë. Dalje nga Traktati i Varshavës. Bunkerë. Kush i dilte kundra ishte armik i popullit dhe partisë. Ai, Enveri, ishte lideri historik, i përjetshëm i Shqiptarëve.
Ne hymë në grevën e urisë edhe sepse askush nga ne nuk donte të kishte emrin e Enver Hoxhës në diplomën e universitetit. Greva jonë ishte sepse asnjë nga ne nuk donte që e ardhmja jonë të fillonte e njollosur me stërkalat e pështymës së diktatorit. Kishim fituar lirinë për të zgjedhur. Dhe në fakt po zgjidhnim. Po kërkonim të plotësonim lirinë. Donim të ndanim të mirën nga e keqja. Të ndanim shapin nga sheqeri. Donim t’i jepnim një moral tjetër ëndrrave tona. Kujtoj që këto mendime i ngjyenja në muzikën e Alannah Myles dhe BB King që e kishte sjellë me vete grevisti Andi Havari.
Formalisht morrëm më shumë sesa kërkuam. U dekretua heqja e emrit Enver Hoxha nga Universiteti. Njerëzit e sollën zvarrë, si blatim për aktin tonë, kokën e statujës së Enver Hoxhes që kishin rrëzuar në sheshin Skënderbej. Këtë nuk e kishim kërkuar. Pamjet e rrëzimit të statujës së Enver Hoxhës janë të pashlyeshme. Mbetet për mua akti i fundit i pastër i shqiptarëve në kërkim të një moraliteti të ri. Të humbur më parë? Apo që nuk e kishim patur kurrë? Nuk e di.
Është fakt se që pas zgjedhjeve të Marsit 1991, ku fitoi përsëri trashëgimia paternaliste e Enver Hoxhës ngjarjet, zhvillimet u futën në kurthin pragmatist/paternalist duke iu larguar gjithnjë e më shumë idealizmit dhe moralit. Kjo ndodhi shumë shpejt. As trupi, as mendja dhe as shpirti ynë i ndrydhur nuk ishte njomur sa duhet në ujin e bekuar të lirisë dhe të demokracisë. Të idealeve dhe moralit të ri që ato përmbanin.
Ne dolëm shpejt nga uji i ri, e thamë po aq shpejt trupin me peshqirin e pragmatizmit. Ndryshimi ende nuk ishte bërë pjesë e konstitucionit mendor të shoqërisë shqiptare. Ky ishte mallkimi më i madh mbi ngjarjet e këtyre 25 vjetëve që kanë pasuar. Ato janë zhvilluar kryesisht në ambiguitet shoqëror, në dredhi, hile, në kompromise me të shkuarën se sa ndonjë ndarje e qartë me të. Ligji 7501! Loja e përhershme hapa dollapa me dosjet e bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit. Përfoljet. Komisionet për pastërtinë e figurave. E të tjera, e të tjera.
Të thuash që nuk kemi bërë progres që atëhere do ishte gabim. Por mund të ketë shumë rrugë përmes të cilave shoqëria shkon përpara. Duke u zvarritur, në gjunjë. Me dredhira. Nën diktaturë. Në demokraci. Por ka vetëm një mënyrë që ajo të qëndrojë në këmbë. Kur është e lirë. Kur ka ideale. Natyrisht që idealizmi pa pragmatizem nuk do jepte shumë rezultat. Por pragmatizmi pa ideale të qarta është i zhytyr në batakun e imoralitetit. Ku, qëllimisht, asnjeri nuk e di çfarë është e mira dhe çfarë është e keqja.
Rezultati i lirisë tonë në këto 25 vjet që nga shkurti 1991? Tension i përhershëm social. Paqartësi morale. Deri në pikën kur sot kemi si normalitet deputete të inkriminuar dhe Enver Hoxha bredh në bulevard dhe në TV, gjithnjë e më shumë si inspirim politik sesa armik i shqiptarëve. Deri në absurdin e situatës hemafrodite kur qeveritë e shqiptarëve dekorojnë njësoj si viktimën ashtu dhe xhelatin.
Pyes veten: a e rrëzuam Enver Hoxhën realisht, apo thjesht kryem një formalitet, përjetuam një iluzion. Një iluzion të lirisë. Liria pa moral është një liri pa rrënjë. Ne sot nuk biem dakord se çfarë është e mira dhe e keqja. Nuk kemi moral. Sot mendoj se do mbetet një iluzion derisa të çlirohemi nga kurthi dhe mallkimi i pragmatizmit që më shumë se në të tashmen, gjendet në të shkuarën, vjen nga e shkuara, dhe kërkon vetëm pushtetin por jo moralin në veprimet që kryen. Deri sa të gjejmë forcën të çlirohemi nga kjo, dhe jo t’i bashkohemi kësaj, do mbetemi një shoqëri pa liri, pa rrënjë.
20 shkurt 2016