Koha e “asaj” erdhi! 1 Gushti, sapo mbyllet Parlamenti shënon pikërisht këtë moment. Jo se kur ky Parlamenti është hapur ka ndonjë pengesë, përkundrazi. “Ato” gjithmonë i vjedhin disa weekend-e të Korrikut, por duhet thënë se “ato” e përballuan me një dinjitet në kufijtë e stoicizmit faktin shumica e njerëzve nuk e kishin mendjen tek “ato” por tek kjo retorika e reformës në drejtësi. Por, tani që erdhi Gushti… Ky është momenti, kur ekspozimi drejtpëdrejt në lëkurë i “asaj”, i justifikuar me rritjen e temperaturave dhe kredhjen në det, është identik me shpalosjen e argumentave të suksesit përmes “saj”. Si matet? Një “ajo” sa njëmijë fjalë – dhe mijëra shikime dhe klikime mbi “atë”. Që nga plazhet dhe shtetet ku ato shfaqen – se nuk është njësoj si ta nxjerrësh në Golem me Maldivet, nga unaza e ndershme e dashurisë apo ajo mëkatare, makinë trendy, mundësisht Maserrati apo Ferrari, karriere të suskseshme televizive apo politike. “Ajo” është Mbretëresha. Dhe që të kuptohemi drejt që jam për barazinë, nuk po flas vetëm për “atë” të femrave por edhe të burave.
Në mungesë të aftësisë për të ndërtuar dy fjali të rrjedhshme rresht njëra pas tjetrës, me më shumë se katër pesë fjalë, përqark një koncepti që dëgjuesi të mund ta mbajë mend, dhe të arrijë, në të ardhmen ta lidhë fjalinë, konceptin e saj me personin që e artikuloi, shumëkush gjatë gjithë vitit i drejtohet aftësisë komunikuese të “asaj” dhe forcës ndihmëse që “ajo” ka për të krijuar komfort apo karrierë. Por Gushti është i veçantë, sepse, siç thashë, vendi ku janë “ato” më të famshmet, që dalin të Enjteve para Opinionit gjithë ditën në televizor, mbyllet për pushime. Kështuqë të gjitha “të tjerat” marrin zemër dhe përfitojnë nga kjo kohë institucionale. Të gjitha “ato” adulte lëshohen drejt arritjes së suksesit, apo konfirmimit të atij të arritur më parë.
“Ajo” na shfaqet e ndershme, e turpshme, hileqare, e buzëqeshur, me të gjitha format. Të trasha, të holla, të thata, të mëdha, të vogla, si pikë loti, si shkronja V, rrumbullake, me majë, si dardhë apo si zemër, anoreksike, apo dhe e sheshtë si pllakë majolike. Me silikon dhe me palester, por dhe me photoshop. Në muajin Gusht ato na shfaqen kudo. Rrugëve, por sidomos nëpër plazhe. Kanë gjithnjë nga një ose më shumë shoqërues me vete edhe pse në fotografi del thuajse gjithnjë e vetme. Paparacët rrinë me aparat në dorë. Jo rrallë paparaci është ndonjë shok/shoqe apo familjar. Fotot e “asaj” futen në hapësirën dixhitale dhe shfaqen nëpër gazeta, suplemente, revista, edicione lajmesh, facebook, portale, instagram, snapchat….. ne formate: b.jpg, b.png, b.gif, b.psd, b.tiff, etj…. Miliona e miliona poza “belfie” tregojnë për gjëndjen psikologjike të mbajtësit, por edhe për rëndësine shoqërore dhe tregtare të “asaj”.
“Ajo” është e ndërgjegjshme për rëndësinë që ka. Për mundësitë që mund të krijojë, jo vetëm në Gusht. Nuk ka rëndësi çfarë shkolle ke mbaruar, çfarë di të bësh. E rëndësishme është të kesh një si “ajo”, që e duan ta kenë të gjithë, qoftë dhe njëherë. Manaxhimi i “asaj” është në fakt zotësia e vetme që duhet të kesh. Kjo i sjell komfort dhe mirëqënie jo vetëm mbajtësit të “asaj” por dhe familjarëve. Të tjerat nuk kanë asnjë rëndësi. Sepse në fakt, mes nesh “ajo” është sinonim i dijes dhe guximit, karrierës dhe admirimit. Keni ndonjë dyshim për këtë? Populli na vjen në ndihme me shprehjet e veta të thella: Asaj/atij i di “ajo”, ose “ai/ajo është “ashtu” e zgjut; Ai/ajo ka “ashtu” – nuk pjerdh për njeri; I lumtë “ajo”; Ta hëngsha apo t’rrufsha “atë” ……
“Ajo” përdoret në ligjëratë të drejtë edhe për vlerat e saj tregtare, kur shitet, apo karakteriale kur i referohen përdredhjes dhe lëvizjes, dhe tipologjisë së përdorimit erogjen të saj, por sado ta zgjasim, është e qartë se koha ka qenë gjithnjë e “asaj”. Thjesht mendoj se muaji Gusht, i çdo viti, është momenti i “saj” i sinqeritetit.