Mendoj se Shqipëria është një shtet kartel. Kartel në ekonomi dhe kartel në politike. Të qenurit një shtet kartel i bën të gjitha reformat për sundimin e ligjit, ato të sistemit zgjedhor etj., krejtësisht qesharake dhe false. Karteli shqiptar ka eliminuar konkurrencën dhe meritokracinë në çdo qelizë të jetës së shqiptarit, duke e bërë Shqipërinë një vend pa të ardhme, një vend që nuk i takon shqiptarëve, por që i takon ….. kartelit!
Në ekonomi, Karteli është bashkimi në një ujdi i bizneseve të pavarura për të rritur fitimet e tyre dhe dominuar tregun. Kartelet zakonisht janë bashkime në të njëjtën sferë të biznesit, pra nje alenancë rivalësh. Këta kërkojnë të eliminojnë konkurrencën duke kontrolluar çmimin në marrëveshje me njëri -tjetrin. Taktikat e përdorura nga kartelet përfshijnë kufizimin e sasisë së produkteve, fiksimin e çmimeve, tenderat e falsifikuar, dhe ndarjen e tregut mes njeri tjetrit.
Në të gjithë botën, kartelet janë organizime të paligjshme, veprimtaria e tyre eliminon konkurrencën në treg. Veprimet e tyre dëmtojnë konsumatorët kryesisht përmes rritjes së çmimeve dhe mungesës së transparencës. “Kartelet janë imorale dhe të paligjshme sepse ato jo vetëm që mashtrojnë konsumatorët dhe bizneset e tjera, por gjithashtu kufizojnë rritjen e shëndetshme ekonomike duke: … shkatërruar bizneset e tjera duke kontrolluar tregjet dhe duke kufizuar mallrat dhe shërbimet, deri në pikën ku kompanitë e ndershme dhe të drejtuara mirë nuk mund të mbijetojnë.”
Mund të thuhet se ekonomia, tregu i sotëm shqiptar është i dominuar nga kartelet – ne kemi tregje ku çmimet nuk ndryshojnë, ku ato rriten njësoj, dhe fort madje, nga të gjithë konkurrentët, siç është tregu i karburanteve, i telefonise celulare, i sigurimeve, apo edhe i miellit siç ishte rasti më i fundit – ku kompanite “kanë marrëveshje” në dëm të konsumatorit; dhe ku autoritetet mbikqyrëse janë rreshtuar edhe ato në krahun e kompanive.
Për analogji me tregjet ekonomike, tregu politik për partitë është shndërruar në një kartel, në të cilin palët ndajnë me marrëveshje burimet e pasurimit nga sektori publik dhe jo vetëm, në vend që të linin të lirë konkurrencën për to. Palët tona politike “po ashtu komplotojnë në mënyrë efektive për të mbrojtur interesat dhe pozicionin e tyre mbi qytetarin” – kjo bëhet me ndryshimin e e shpeshtë, korruptiv, të ligjeve, të kodit zgjedhor, dhe të kushtetutës, të buxhetit të shtetit, apo edhe ligjeve fiskale. Këto janë ato vendime, ku aksesi tek burimet dhe pasuritë publike shitet për para, mbështetje mediatike dhe elektorale; vendime të cilat përcaktojnë, mes të tjerave, edhe renditjen e Shqipërisë në indekset ndërkombëtare si ai i Transparency International sa për të marrë një shembull – në 2020 renditet e 104, njësoj me Vietnamin, 10 vende pas Etiopisë …
Në librin e tyre “Demokracia dhe Kartelizimi i Partive Politike” autorët Richard Katz dhe Peter Mair argumentojnë se “partitë në Evropën Perëndimore janë përshtatur me nivelet në rënie të pjesëmarrjes dhe përfshirjes në aktivitetet e partisë, jo vetëm duke iu drejtuar burimeve të siguruara nga shteti, por duke e bërë këtë në bashkëpunim me njëra tjetrën”. Proporcionalisht me qenien në mazhorancë ose opozitë. Gjithnjë e më pak njerëz kanë dyshime se sot për sot, dy partitë tona politike kanë formuar efektivisht një kartel të tillë. Ato duket sikur konkurrojnë me njëra tjetrën, madje heraherës “luftimet” mes tyre duket sikur po intensifikohen, por thelbi i këtij lloj aksioni politik është gjithnjë e më shumë i zbrazët.
Në këtë situatë karteli, Plaçka e Pushtetit, gjithnjë e më shumë-gjithnjë e më shpesh-gjithnjë e më hapur, po ndahet mes kundërshtarëve politikë, përmes ujdive “të fshehta” ndërpartiake; kjo plaçkë nuk është më trofeu ekskluziv i fituesit të mandatit të rradhës– nëse, në rastin tonë, mund të quhet i rradhës një mandat i 3-të, me perspektivë për një të 4-t. Ajo – plaçka – duhet ndarë, duke garantuar kështu detantën, stabilititetin politik në këtë vend, ku Rama mban pushtetin dhe Basha mban opozitën. Rival-Ortakët ekstrapolitik e këtyre të dyve janë të njëjtët persona, të njëjtët interesa. Këta u ofrojnë kryetarëve një mbështetje thuajse proporcionale me atë të rezultatit elektoral që kryetarët kanë korrur.
Një konkurrim i shëndoshë mes patronëve të politikës patjetër që do sillte destabilizimin e këtij stabiliteti të stërgjatë politik; por druaj se kjo do ishte një gjë krejt e papëlqyeshme nga vetë kryetarët, nga ortakët e tyre të kartelit ekonomiko-politik dhe po ashtu nga ambasadat dhe institucionet e huaja partnere – dhe pikërisht për këtë arsye nuk ndodh. Për të njëjtat arsye forcat politike apo fraksionet që janë kundra këtij karteli nuk arrijnë të marrin fuqi mjaftueshëm për t’i prishur seriozisht gjumin kryetarëve.
Prandaj edhe çështjet e politikave thelbësore për të cilat do duhej të të diskutohet në dobi të qytetarit – siç e.g. mund të jenë vendosja e reformimit të sistemit të Edukimit si prioritet absolut për 20 vjetët që vijnë – mbahen jashtë axhendës politike dhe konkurrenca apo debati politik është krejtësisisht i griseldizuar – ky zhvillohet për çështje flash të ditës dhe aspak për çështje me interes afat-mesëm dhe afat-gjatë publik.
Me thënë të drejtën, nuk është se shqiptarët në të djathtë e në të mëngjër po e vrasin shumë mendjen për identitetin politik, ekonomik dhe social të partive sot. Nga kjo pikëpamje, lidhja e tyre me siglën e partisë është më e dobët se kurrë. Kjo është shkaktuar jo vetëm nga përdorimi i mass-medias nga partitë, por sidomos nga fakti se propozimet e PS-së dhe të PD-së në dy fushatat e fundit ngjajnë fort me njëra tjetrën; këto propozime social….iste, janë të dyja të ngulura tek shteti si burim i sigurisë ekonomike përmes transfertave nga më të ndryshmet dhe përthyerjes sociale të sistemit të taksave.
Por vota e tyre nuk mungon, çka tregon se ka arsye të tjera pse ata votojnë. Me gjasë, këto arsye lidhen me fuqinë e partive për angazhuar burimet dhe pasuritë publike për të shpërblyer mbështetësit. Ndërprerja e reformave derregulluese që në mandatin e dytë të PD 2009-2013 dhe rikthimi tek mbi-rregullimi nga ana e PS 2013 -, i ka dhënë partive politike – mazhorancës së sotme, por edhe opozitës të njëjtin motivim për nesër – fuqi dhe mundësi të pafundme t’u japë favore publike ortakëve të saj, përfitime materiale nga buxheti për shtresa të caktuara dhe rroga buxhetore – administratë + borde – mbështetësve të saj që mobilizojnë vota apo janë vokal në media. Po kush, realisht, i ka këto fuqi e mundësi në partitë politike shqiptare? Kryetarët, kush tjetër!
Në lidhje me këtë, Katz-Maier vërejnë se: “Në këtë sistem karteli politik, kapaciteti i secilit prej udhëheqësve të partive për të ruajtur dhe mbajtur funksional këtë kartel partish varet nga aftësia e tyre për të kontrolluar partinë e tyre, duke krijuar kështu një formë të re të organizimit partiak, partinë kartel. Një tjetër autor i cili analizon “Sjellen e Partive Konkurruese Politike”, Kaare Strøm, vëren se: “Kryetarët e partive, më shumë se politikanë, tashmë janë sipërmarrës – ideja fikse e të cilëve është përfitimi personal nga posedimi i [vulës së] partisë, përmbi çdo gjë tjetër, nëse nuk kufizohen në çfarëdo forme.”
Sesa e vërtetë është kjo në Shqipëri, secili mund të nxjerrë konkluzionet e veta. Kryetarët e partive politike në Shqipëri synojnë ekskluzivisht sa më sipër. Secili prej tyre e ruan egërsisht pozicionin e vet, dhe pushtetin që të jep vula e partisë, për këtë kanë eliminuar nga statutet çdo kufizim që lidhet me mandatin e tyre si Kryetarë. Partia Socialiste e quan prej kohësh të pa-arsyeshme të zhvillojë proçese politike të brendshme – këto kufizohen vetëm me lëvizje personash në postet e rëndësishme në përputhje me preferencën dhe humorin estetik e Kryetarit të PS. Formalisht e ndyshme, Partia Demokratike, veçanërisht qysh prej vitit 2013, dukshëm organizon vetëm proçese fasadë, të cilat rikonformojnë në majën e saj të njëjtin person pavarësisht nga rekordet humbëse.
Kryetarët e përhershëm, këta janë garancia e kartelit politik dhe ekonomik Shqiptar. Rama i mban të vetët rreth tij me u ndarë llokmat e tepsisë së shtetit, ndërsa Basha duke i projektuar enturazhit të vet të njëjtën skemë në të ardhmen; ndërsa në të tashmen – në ujdi edhe me Ramën – Basha u këndon atyre këngën “në mos do rrjedhi, do pikojë” duke patur parasysh këtu kandidimin në zgjedhjet e ardhshme – ndoshta të parakohshme – për bashkitë, dhe anëtarësinë nëpër borde të ndryshme institucionesh të pavarura, të cilat do mund të fillojnë të materializohen së shpejti – edhe këto ndoshta pa mbaruar viti 2021.
Nëse do duam ndonjëherë ta çmontojmë këtë kartel që na ka zënë frymën dhe është shkaku kryesor, i vetëm, i braktisjes galopante së Shqipërisë nga shqiptarët, duhet ta fillojmë nga kufizimi i mandatit të kryetarëve të partive politike – kështu do mund të fillojmë ta shkatërrojmë hap pas hapi këtë model të kartelit ekonomiko-politik të konsoliduar fort tashmë që funksiononin vetëm mbi ujditë e brendshme ndërpartiake dhe aspak mbi konkurrencën mes partive.
Përndryshe, …. suksese në jetë!