Sot është dita e pavarësisë së Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Si sot 239 vjet më parë një grumbull burrash e vendosën se nuk mund të kishte pavarësi pa liri dhe e vendosën Lirinë, lirinë e njeriut, të individëve në themel të bashkë-ekzistencës mes tyre. Nuk ishin të parët që e vlerësonin Lirinë. Ajo ka qenë gjithnjë e çmuar. Ajo kërkon vendosmëri, përkushtim. Shumë jetë dhe vuajtje i janë blatuar asaj. Më vjen të kujtoj martirët e Otrantos të cilët në emër të lirisë së besimit dhanë jetën me burra, gra e fëmijë. Më vjen të kujtoj burgjet e mendimit, internimet që At Zef Pllumi më ka ndihmuar pa masë t’i kuptoj, edhe pse me vonesë në jetën time. Shumë të tjerë kanë bërë zullume në emër të saj. Shumëkush, sipas larmisë dhe dëshirave të mendjes mund të sjellë shembuj të tjerë se si liria ka qenë lajtmotivi i aktit që kujtohet. Por, ngritja e Lirisë në institucionin themelor të një shteti, siç bënë Thomas Jefferson, John Adams, Benjamin Fraklin etj., në 4 Korrik 1776, mbetet për të gjithë popujt, ende sot e kësaj dite shembulli që ata duan të ndjekin, dhe përmasa e zhvillimit politik, institucional dhe shoqëror me të cilin të gjithë masin progresin e vet.
Është ende ngjethëse të lexosh: Ne i besojmë si të vetekuptueshme këto të vërteta, që të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, se Krijuesi u ka dhënë atyre të drejta të patjetërsueshme, mes të cilave janë Jeta, Liria dhe kërkimi i Lumturisë.
Askush më shumë se ne shqiptarët nuk do duhej, jo vetëm t’i lexonte, t’i kuptonte por edhe t’i bënte pjesë të konstitucionit te vet mendor, shoqëror, t‘i vendoste në themel të ekzistencës dhe bashkëjetesës së vet mes shqiptarëve këto fjalë.
Por robëria e gjatë, në vend që të na bënte ta donim lirinë me fort nga gjithë të tjerët, duket se na e ka vrarë atë. Na e ka bërë krejt të panjohur. Duket sikur ne kemi frikë prej saj. Duket sikur nuk dimë ç’të bëjmë me të.
Ende sot, sistemi i vlerave që ne njohim, që ka përmasën më të madhe dhe forcën tërheqëse gravitacionale më të madhe për çdo individ në Shqipëri është ai sistem që ne kemi lënë formalisht pas në vitin 1990. Duket sikur rrotullohemi rreth vetes të hutuar për të kapur në ajër çdo na thotë sulltani, pashai, valiu, beu, mbreti, dhe Enveri. Këta ishin ata që kanë krijuar sistemin e vlerave të shqiptarëve të sotëm. Gjatë periudhës osmano-komuniste. Përmes tyre kalonte rruga drejt suksesit, ngjitjes, prosperitetit. Këta vendosnin se çfarë ishte e mira dhe e keqja.
Edhe pse këta nuk janë më vërdallë, shqiptari i sotëm tenton ta mbushë vakumin e lënë prej tyre jo me Lirinë e vet, por duke rikrijuar të ngjashmit e tyre. Kryeministri, ministri, deputeti, kryetari i bashkisë, drejtori … I pajis në mënyrë të vetëdijshme dhe të pavetëdijshme me forcën dhe pushtetin t’i tregojnë se ç’është e mira dhe e keqja për të, për familjen e tij.
Boll të dëgjosh hosanatë për lidera historikë, legjendarë, të pamposhtshëm, që nuk i bën syri tërr. Dhe njëherësh pranimin e pafuqisë së vet, robërisë së vet me të cilën duket sikur është mësuar, duket sikur ndjehet komod.
Duket sikur nuk e do Lirinë, lirinë për të zgjedhur, për të fituar, për të gabuar. Duket sikur nuk do ta marrë këtë përgjegjësi, që në fakt i takon vetëm atij. Duket sikur në këto 25 vjet shqiptarët janë zhytyr në një proçes psiko-patologjik mohimi, fshehje nga përgjegjësia.
Gjatë këtyre viteve shoqëria jonë, elitat politike dhe shoqërore shqiptare, të formuara sipas skemës vertikale paternaliste, nuk kanë arritur, nuk kanë dashur dhe nuk kanë ditur të krijojnë një tjetër sistem vlerash ku shqiptari të vendosë vetë ç’është e mira dhe e keqja, dhe ku drejt të cilit graviton Jeta dhe bashkëjetesa e çdo shqiptari të sotëm. Kjo duket sesi bashkëjetojmë në një pallat, në nje rrugicë, se si i ngrahim makinës përkrah të tjerëve, sesi vritemi, sesi degjenerohemi, sesi vjedhim pronën, sesi mbjellim hashash, sesi qeverisemi, sesi dhe për kë votojmë.
Nëse do kisha mundësi ta uroja Ambasadorin Lu sot për festën e pavarësisë te SHBA-ve, duke e falenderuar për ç’kanë bërë që nga Presidenti Wilson e deri tek ai vetë për t’i hapur sytë shqiptarëve, njëherësh do t’i kërkoja ndihmë.
Ne kemi nevojë për ndihmë urgjente. Populli Shqiptar ka nevojë për këtë ndihmë! Jo politikanët apo qeveritarët me të cilët autoritetet amerikane janë të shtrënguar të ulen në tavolinë – shumë prej të cilëve i ka trajnuar NDI dhe IRI.
Ne, plako, nuk e nxjerrim dot vetë gomarin nga balta. Ne jemi ende të pazot të ecim vetë. Ne jemi ende të pazot, shpeshherë me qëllim, të kryejmë demokracinë dhe ekonominë e tregut. Maksimumi që kemi arritur deri tani është një demokraci rentiere. Politikanet tanë kanë ri-mësuar me shpejtësi se si ta bëjnë popullin shqiptar të vuajë, por që vuajtjet të dozuara, të jenë te përballueshme. Dhe Shqiptarët mbeten më shumë të “predispozuar të vuajnë, këto vuajte të përballueshme”, sepse kjo është mënyra se si ata janë mësuar të jetojnë në sistemin e vlerave të referencës.
Në fakt, Shqiptaret kanë filluar të mos besojnë më se në këtë vend do të ketë “një qeveri që kujdeset për sigurinë dhe lumturinë e tyre”. Shqiptarët me ç’duket nuk duan më as të presin përsëri “rradhën e gjatë të abuzimeve dhe uzurpimeve” që po i ri-rrëmben Jetën, Lirinë dhe Lumturine e tyre “si një projekt për t’i zhytur përsëri nën despotizmin absolut”. Ata e dinë që kjo gjë duhet përmbysur. E kanë bërë njëherë. E dinë që “është e drejta e tyre që ta bëjnë këtë” përsëri. “Për të zgjedhur gardianë të tjerë të sigurisë së të ardhmes së tyre”. Por duket se ata nuk kanë më forcë ta bëjnë këtë gjë. Si një ushtar i demoralizuar që flak armën tutje në fushën e betejës, edhe shqiptari i sotëm e ka më të lehtë ta shesë votë-armën e tij dhe të iki nga sytë këmbët, pa menduar për më tej. Frika dhe varfëria materiale dhe shpirtërore e kanë ri-dominuar shqiptarin në 2015.
Ne kemi nevoje për ndihmë që ta shpërthejmë përsëri këtë kurth të rigjeneruar me shpejtësi, për shkak të mosdashjes, pazotësisë dhe padijes për të krijuar një model alternativ. Ndihmë masive, të drejtpërdrejtë. Ndoshta njësoj në përmasë, seriozitet dhe gravitet sa ndihma amerikane në 1948-ën italiane.
Ndihmë, pa ekuivoke, dhe jo alegorike. Name the names! Me forcë. Dhe vazhdimisht. Ndryshe mendja e shqiptarit do të rrijë gjithnjë tek e vjetra, si një sistem që e njeh më mirë, dhe alternativa asnjëherë nuk do arrijë të forcohet aq sa ta përmbysë atë.
Boll të shohësh ç’kemi gatuar në këto 25 vjet. Sot nuk kemi vetëm një padishah apo një diktator por kemi grupe pak më të mëdha me 4-5 veta që mbajnë mbërthyer gjithë shqiptarët e tjerë. Njësoj të pandëshkueshëm sa dhe vetë padishahu e diktatori. Modeli i suksesit sot është të kapesh duke vjedhur e vrarë, dhe jo vetëm të shpallesh i pafajshëm me vendim gjykate, por edhe të jesh në majë të shtetit, duke përligjur me legjislacion autoritarizmin, arbitraritetin. Duke rikthyer brenda 2 dekadash në Jetën dhe Lirinë formale të Shqiptarëve në vend të Lumturisë një realitet dystopik orëellian, bashkë me retorikën e kështjellës së pamposhtur buzë Adriatikut, nga i cili ne 2015 shqiptarët po ikin nga sytë këmbet, njesoj si në 1990 – 91 shin. Na duhet ndihme ta ribëjmë Shqipërinë! Kjo nuk do të thotë që ne të rrimë deri sa të na vijë ndihma. Ne duhet t’i dorëzohemi njëmend misionit për të mbrojtur Lirinë e fituar.
Se mos harroj, Gëzuar Festën e Pavarësisë të gjithë amerikanëve, dhe atyre shqiptarë!
Tiranë, 2015