Menu Close

Çfarë zgjedhin shqiptarët? Korrupsionin e qeverisë apo të Opozitës?

Në sa mënyra dhe sa herë në ditë duhet thënë që qeverisja e Ramës është e keqe, dhe pse mendohet se shqiptarët janë idiotë dhe nuk e dinë vetë këtë gjë, sepse janë të parët që e heqin në kurriz këtë

Si fitohet besimi i humbur, si fitohen zemrat e shqiptarëve? Cila është zgjidhja për këtë?
  • Përzgjedhja me këmbëngulje në vazhdimësi e të njëjtëve njerëz vulnerabël – me CV konfuze – nga pikëpamja e korrupsionit administrativ, penal dhe seksual në përfaqësim politik, apo e njerëzve të pacënuar nga asnjë prej këtyre llojeve të korrupsionit dhe me imazh publik individual dhe profesional të pastër ?
  • Hartimi i programeve partiake asistencialiste që tregojnë sesi do harxhohet pasuria që u merret shqiptarëve me taksa, apo programe që tregojnë sesi do mbështetet krijimi dhe shtimi i pasurisë së shqiptarëve duke kthyer në jetën e tyre dinjitetin në formën e konkurrencës dhe mundësive të barabarta për të gjithë ?
  • Përdorimi i një gjuhe tribale mesjetare, përçarëse, ndarëse në banda, territore e bajraqe, apo përqafimi i një mendësie pajtimi dhe bashkëpunimi kombëtar për çështje që u interesojnë dhe nga ku përfitojnë gjithë shqiptarët si integrimi europian, drejtësia, dhe zhvillimi ekonomik?

Gjetja e përfaqësimit të duhur, vizionit të duhur dhe gjuhës së duhur janë çelësat që të çojnë tek zemra e shqiptarit. Për opozitën kjo rrugë është më e përpjetë, më e vështirë sesa për qeverinë.

Ndërsa për të fituar zemrat dhe mendjen e shqiptarëver qeveria ka si armë në dispozicion mediat dhe buxhetin, opozita ka si armë vetëm pastërtinë dhe sinqeritetin!

Në mungesë të pastërtisë dhe sinqeritetit opozita jo vetëm nuk mund ta fitojë besimin e e shqiptarëve, por do të konsiderohet e korruptuar – sidomos kur lidhjet ekonomike të sajat me qeverinë dalin në sipërfaqe, dhe eksponentë të saj nuk justifikojnë dot stilin e jetesës që kanë arritur në rradhët e përfaqësimit politik.

Opozita në teori konsiderohet shpresa për të ardhmen. Konsiderohet një investim për të ardhmen. Ndërsa qeveria është ajo që njerëzit tashmë kanë. Të gjithë kalkulojnë riskun për investimin në të ardhmen, askush nuk kalkulon riskun e asaj që ka në xhep, qoftë kjo edhe një vrimë.

Njerëzit, korrupsionin e qeverisë e shohin si korruptim të së tashmes, ndërsa korrupsionin e opozitës e shohin si korruptim të së ardhmes së tyre.

Prandaj, kostot e korrupsionit të opozitës perceptohen si dyfish përkundrejt korrupsionit të qeverisë. Këtë nuk janë të gatshëm ta pranojnë njerëzit.

Për ta do ishte njësoj sikur të ishin të detyruar të ndërronin një makinë të përdorur me një tjetër makinë të përdorur, më të njëjtat kilometra, me të njëjten fuqi motorrike, por qe i ndryshon vetëm tapiceria, dhe të paguanin edhe lekë nga xhepi sikur kjo të ishte e re.

E kanë më të thjeshtë të pranojnë të tashmen si fatalitet sesa të zgjedhin me dorën e tyre një të ardhme njësoj të korruptuar me kosto kaq shumë të lartë.

Mendoj se është kjo arsyeja që opozitës i duhet të bëjë dyfishin e përpjekjeve për të fituar zemrat e qytetarëve. Të adresojë cilësinë e përfaqësimit, vizionit dhe komunikimit me pastërti dhe me sinqeritet, të cilat në gjykimin e shqiptarëve, deri tani kanë munguar; është kjo arsye pse ata mbetën mbërthyer tek e tashmja. Përndryshe, është mision i pamundur.

.
.
.
Ju lutemi shperndajeni