Në zemër të “Bllokut” Europian në Bruksel, burokratët me siguri do jenë duke vazhduar debatin për përkufizimin e saktë të investimeve “të gjelbra” ndërkohë që fuqia e inteligjencës artificiale amerikane dhe kineze vetëm rritet. Mirë se vini në teatrin e absurdit të Bashkimit Evropian, ku tregu më i madh i vetëm në botë ka arritur të ndërtojë një labirint të koklavitur për të penguar suksesin e vet.
Analiza e fundit e ish-Kryeministrit Italian dhe ish-Presidentit të BQE-së Mario Draghi në Financial Times për sfidat ekonomike të BE-së, kapërceu mbi mirësjelljen e zakonshme diplomatike të një europeisti, duke ekspozuar një të vërtetë të pakëndshme: BE-ja është bërë armiku më i madh i vetvetes. Kontinenti që shpiku burokracinë moderne e ka përsosur atë deri në pikën e vetë-sabotimit.
Analiza e Draghit prek thelbin e mosfunksionimit të BE-së me një shembull të goditur: Një kompani franceze e softuerit përballet me më shumë pengesa burokratike për të shitur në Gjermani sesa një startup i Kalifornisë për t’i shërbyer klientëve në Teksas. Cila është kostoja e këtij labirinti rregullator? Një normë takse efektive marramendëse prej 110% mbi shërbimet ndërkufitare brenda tregut gjoja “të vetëm” të BE-së. Është sikur BE-ja ta ketë projektuar tregun e saj të vetëm të brendshëm të jetë i vetëm veç në emër.
Kritika e tij ndaj rregullores së BE-së është veçanërisht e fortë kur shqyrton atë çka Draghi e quan “mentaliteti i kështjellës”. Shih GDPR-në, rregulloren e BE-së për mbrojtjen e të dhënave. Ndërsa BE ka vendosur standarde globale të privatësisë, ajo gjithashtu ka dëmtuar fitimet e kompanive evropiane të teknologjisë deri në masën 12%. Duke u përpjekur të mbrojë qytetarët e saj, BE-ja efektivisht ka ndërtuar një hendek të mbushur me ujë rreth ekonomisë së saj digjitale — dhe pastaj ka hedhur aty brenda piranja rregullatore.
Ndoshta më domethënës është krahasimi i Draghit në lidhje me përgjigjet që u dhanë ndaj krizës së 2008-s: Që nga viti 2009, ndërsa SHBA-ja lëshoi një cunami monetar prej 14 trilion eurosh në ekonominë e saj, BE-ja mezi arriti të lëshojë 2.5 trilion euro — sikur të përpiqesh të bësh të lundrojë përsëri një transoqeanik të përmbytur duke ja hequr ujin me kova.
Kur, jo vetëm së fundmi, zyrtarët amerikanë i përmendin këto dobësi, udhëheqësit evropianë shpesh reagojnë me zemërim ndaj tonit, duke e hedhur poshtë si paturpësi tipike amerikane. Por ky indinjim vetëm sa tenton të maskojë problemin: substanca e kritikës amerikane është kryesisht e saktë. Qoftë për varësinë e tepruar nga energjia ruse, qasjet naive ndaj investimeve kineze, apo nëninvestimin kronik për mbrojtje, paralajmërimet amerikane janë treguar parashikuese. Problemi nuk është stili i mesazhdhënësit — është refuzimi kokëfortë i BE-së për t’i pranuar dhe adresuar këto dobësi themelore. Sot, udhëheqësit evropianë nuk ja hedhin dot askujt përveç vetes, kur i bishtnojnë këtyre shqetësimeve legjitime duke u ankuar me indinjatë për estetikën diplomatike amerikane.
Rezultati i kësaj qasjeje prej struci? BE-ja e ka vënë veten me shpatulla pas murit të varësisë ekstreme tregtare, me 55% të PBB-së së saj të lidhur me tregtinë ndërkombëtare, krahasuar me 25% për SHBA-në dhe 37% për Kinën. Kjo mund të ketë qenë një strategji e zgjuar gjatë epokës së artë të globalizimit, por në botën e sotme të konkurrencës së fuqive të mëdha dhe nacionalizmit ekonomik, duket më shumë si një dobësi strategjike në kërkim të një shfrytëzuesi.
Kjo do të thotë pazotësi për të përballuar një presion ekonomik nga fuqi më të mëdha; aftësi të kufizuara për të vendosur dhe zbatuar sanksione e kufizime tregtare, varësi nga fuqi të tjera më efiçente si Kina e Rusia, dhe pozitë negociuese të dobët në arenën ndërkombëtare. Kjo të çon të pyesësh veten a ekziston në të vërtetë autonomia strategjike e BE?
Katandisja e sotme e BE-së shkon përtej thjesht ekonomisë – ajo është ekzistenciale. Kontinenti është kapur në tre paradokse vetë-shkatërruese:
Së pari, paradoksi i sovranitetit: Këmbëngulja e shteteve anëtare për sovranitetin kombëtar i ka lënë ato kolektivisht më të dobëta kundër fuqive globale. Kriza e sigurisë energjetike ofron një ilustrim të përkryer — ndërsa vendet individuale ruanin xhelozisht politikat e tyre kombëtare të energjisë, Rusia ndërtoi metodikisht ndikimin e saj mbi të gjithë kontinentin, duke i lënë të gjithë shumë më të cënueshëm sesa po të kishin vepruar në unitet të me njeri-tjetrin.
Së dyti, paradoksi i menaxhimit të rrezikut: Duke u përpjekur të rregullojë kundër çdo rreziku të mundshëm, BE-ja ka krijuar rrezikun e saj më të madh – daljen nga gara e konkurrencës. Ndërsa Brukseli merrej me përsosjen e formularëve të pëlqimit të cookie-ve, Kina dhe SHBA-ja kanë avancuar shumë përpara në inteligjencën artificiale dhe përllogaritjet kuantike. Nga ana tjetër, BE duhet të bëjë kujdes, ndërsa me rregullimet e saj pengon Amerikën njësoj me Kinën. Cila prej të dyjave përbën rrezik, dhe cila është aleati i saj?
Së treti, kurthi i konservatizmit fiskal: Fetishizimi i buxheteve të balancuara, veçanërisht në Gjermani, ka çuar në nëninvestim kronik në infrastrukturën kritike dhe inovacion. Rezultati? Rrjetet 5G të Evropës mbështeten kryesisht në teknologjinë kineze, dhe kapaciteti i saj i cloud computing është i vogël krahasuar me ofruesit amerikanë.
Në fakt, tregu i fragmentuar i BE ku çdo shtet anëtar mendon si t’ja fusi shteteve të tjera anëtare nuk është thjesht nje telenovelë ekonomik, është një dobësi strategjike. Kjo e bën Be-në të mos jetë tërheqëse si partner global; i pret këmbët, i kufizon firmat europiane që mund të ishin në gjendje të konkurronin me ato Amerikane apo Kineze, dhe zvogëlon deri në parëndësi aftësinë e BE-së që të vendosë rregulla e standarte ndërkombëtare. Kostoja gjeopolitike e kësaj fragmentimi bëhet çdo ditë e më e qartë. Kur Rusia pushtoi Ukrainën, përgjigja e BE-së, megjithëse përfundimisht ajo që duhej, fillimisht u pengua nga proceset e ndërlikuara të vendimmarrjes dhe vetot kombëtare. Çdo ditë vonesë mbartte një çmim që matej jo vetëm në euro, por në jetë ukrainase.
Çfarë e bën këtë situatë veçanërisht acaruese tashmë është se BE-ja i ka të gjithë komponentët për të qenë udhëheqëse globale: ka universitete të klasit botëror, infrastrukturë të avancuar, tregje të shëndetshme kapitali dhe ekspertizë teknologjike. Ajo që i mungon është diçka shumë më themelore — aftësia për t’i hapur rrugën vetes.
Siç shpjegonte Draghi, zgjidhjet nuk janë as të vështira dhe as teknikisht komplekse. Ato përfshijnë thjeshtësimin e rregulloreve të tregut të brendshëm, rritjen e investimeve produktive dhe zhvillimin e aftësive të nivelit me të vërtetë evropian në sektorët kritikë të së ardhmes. Sfida e vërtetë është psikologjike dhe politike – bindja e 27 vendeve që në botën e sotme, uniteti nuk është thjesht një ideal, është një strategji mbijetese.
Sot që konkurrenca globale po intensifikohet dhe revolucionet teknologjike rimodelojnë peizazhin gjeopolitik, BE-ja përballet me një zgjedhje të qartë: të përqafojë integrimin e vërtetë në shkallë kontinentale ose të dorëzohet e të mbetet thjesht një muze i madhështisë së së kaluarës. BE-ja ka kaluar dekada duke përsosur artin e kompromisit dhe progresit gradual. Por, sot BE-ja po demonstron se është e pazonja t’i përgjigjet sfidave globale, ajo sot po tregon se jo vetëm nuk arrin të eksportojë standartet e veta në rend global, por rrezikon të jetë një entitet i shtrënguar të zbatojë rregulla të lojës të imponuara nga të tjerë, në një kohë që projekti i EU parashikon që ajo të jetë një entitet që krijon rregulla të zbatueshme nga të tjerët. Të jemi fare të qartë, në një botë ku Kina mund të ndërtojë një qytet në kohën që i duhet Brukselit për të rënë dakord për një direktivë, kjo qasje e liderëve të BE-së është gjithnjë e më e paqëndrueshme.
Tragjedia është se dobësia e vetë-imponuar e BE-së vjen pikërisht në momentin kur bota ka nevojë më shumë se kurrë për një Evropë të fortë. Në këtë epokë të ringjalljes së autoritarizmit të dhe përmbysjeve teknologjike, një Bashkim Evropian i unifikuar, dinamik do mund të ishte një forcë e fuqishme e demokracisë, inovacionit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
Pse na shqetëson kjo gjë? Kjo është e rëndësishme për ne, sepse, ne – shqiptarë apo ballkanas – si konsumatorë, jo vetëm të mallrave të BE-së, por sidomos të vendimarrjes politike të saj nuk na intereson një Europë e dobët, ose që arrin të bëjë të fortin vetëm me ne.
Vakumin që BE po le me pavendosmërinë e vet në arenën ndërkombëtare, dikush do ta mbushë. Jo vetëm kaq, por shtete si Shqipëria do detyrohen të gjejnë strehe në marrëdhënie bilaterale, duke e nxjerrë ne plan të dytë BE, ose injoruar krejtësisht atë. Në vend të kësaj, BE-ja vazhdon të mbetet e mbyllur në kafazin e saj të praruar të rregulloreve, kufizimeve fiskale dhe vetove kombëtare. Askund nuk është më e dukshme — ose më e rrezikshme — kjo paralizë sesa në Ballkanin Perëndimor, ku më shumë se dy dekada vonesa proceduriale të BE-së kanë lënë një vakum strategjik që Kina dhe Turqia janë të etura ta mbushin. Tashmë 3 vjet pas pushtimit rus të Ukrainës, dikush mund të pyesë me çfarë lloj konflikti duhet të përballet BE-ja në oborrin e saj përpara se të veprojë në mënyrë vendimtare. Këto janë situata gjeopolitike, të cilat kanë vite që ja kanë ngulur sytë mu në surrat BE-së dhe nuk ja shqisin. BE lodron me fjalë dhe me samite, por zgjedh të shohë në anën tjetër me veprime dhe rezultate.
Pyetja nuk është nëse BE-ja mund të konkurrojë globalisht — është nëse do të zgjedhë ta bëjë këtë përpara se të jetë tepër vonë. Ndërsa ky Bruksel narcizist përsos kriteret e të zgjerimit, historia nuk ka ndërmend të qëndrojë pa lëvizur; konkurrentët e BE-së sigurisht nuk po presin që burokratët e saj të përfundojnë deliberimet e tyre. Për një kontinent që pretendon se ka mësuar nga e kaluara e tij, Evropa tregon një talent të jashtëzakonshëm për të gjetur mënyra të reja për të përsëritur gabimet e vjetra.