… natyrisht, dhe fatmirësisht Kisha nuk funksionon sipas Duhet Të…!, të pjesëmarrësve dashamirës. Ajo qeveriset dhe funksionon në bazë të Kanoneve të saj, Statutit të Saj, Kushtetutës së Shqipërisë dhe marrëveshjes ligjore me shtetin shqiptar
E shtuna pas së premtes kur Jezui vdiq në kryq për të larë mëkatet tona, është për mua si i krishterë ortodoks një udhëtim nga vdekja drejt jetës. Është një udhëtim, ende në errësirë, drejt dritës që nuk shihet, që bëhet në besim. Sa më i fortë ky besim aq më e plotë drita që do hyjë përmes syve të tu në çdo cep të shpirtit tënd. Këtë besim e ndjen tek vajzat dhe djemtë, gratë dhe burrat që këtë Javë të Madhe e kanë mbushur Kishën cep më cep.
Përveç kësaj pjesëmarrjeje që përqesh pa dashje censusin e shqiptarëve ortodokse të ca kohëve më parë, kemi dhe atë pjesëmarrjen e përhershme nga dashamirës të sinqertë dhe të pasinqertë, nga ateistë të bindur, nga vëllezër kombëtarë të feve të tjera si dhe nga ortodoksë kryesisht për nga trashëgimia, por që me Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë (KOASH) dhe besimin në Krishtin nuk kanë asnjë lidhje.
Shumë syresh nga këta, qyshse besimi fetar u lejua në Shqipëri – se ishte i ndaluar më parë – kanë nga një gjë t’i tregojnë KOASH sesi duhet ta bëjë. Kisha duhet të bëjë këtë! Kisha duhet të bëjë atë! Këtë tjetrën nuk duhet ta bënte! E të tjera, e të tjera. Të gjitha këto Duhet të! në drejtim të Kishës, janë për çështje, apo ndjeshmëri të natyrës laike (të paketuara me retorikën patriotike siç e do zakoni në Shqipëri dhe Ballkan), dhe aspak për çështje që lidhen me jetën pastorale.
Zakonisht ngatërrohet roli që duhet të luajë shteti me atë që duhet të luajë Kisha. Nga gjithë kjo zhurmë pjesëmarrje duket sikur Kisha është shndërruar në ndonjë parti politike që takohet dhe dëgjon elektoratin, apo ndonjë ekip futbolli që kur humb duhet të ndërrojë trajnerin, dhe aq më keq akoma ndoshta këta pjesëmarrës me zhurmë e ngatërrojnë Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë me ndonjë agjenci shtetërore one stop shop. Agjenci e cila do t’u zgjidhë atyre gjithë historinë osmano-komuniste dhe do t’u ruajë kufijtë tokësore dhe detarë, dhe gjithçka tjetër që duhet ta përmbushë qeveria, por që ajo nuk ua përmbush dot.
Natyrisht, dhe fatmirësisht Kisha nuk funksionon sipas Duhet Të…!, të pjesëmarrësve dashamirës. Ajo qeveriset dhe funksionon në bazë të Kanoneve të saj, Statutit të Saj, Kushtetutës së Shqipërisë dhe marrëveshjes ligjore me shtetin shqiptar. Ajo në përputhje me këto zbaton të gjitha DUHET TË….!, që përmbahen në këto dokumente, dhe merr vendime të tjera në mënyrë të pavarur për DUHET TË….! të tjera, si dhe kur e sheh të nevojshme dhe jo në shkelje të asnjë prej akteve themelore mbi të cilat ajo administron besimin në territorin e Shqipërisë.
Por, shqiptarët me ç’duket në injorancë të sinqertë për shkak të mospasjes së një tradite fetare të freskët, apo edhe të qëllimtë, nuk i njohin këto procedura dhe me natyrën e tyre hokatare ushtrojnë presion mbi Kishën e cila DUHET TË…!, sipas imagjinatës së tyre dhe jo sipas realitetit dhe rolit pastoral që ka Kisha.
Çfarë është Kisha? Kisha nuk është thjesht një ndërtesë, Kisha është trupi i Krishtit, siç ka qenë për mijëra vjet e pandryshuar për të gjithë besimtaret e krishterë, sidomos për ata ortodoksë. Kisha është themeluar nga Jezu Krishti, dhe qëllimi i saj është të lëvdojë Zotin Jezu Krisht dhe të përhapë njohjen e veprës çliruese të Krishtit. Pavarësisht sa njerëzit në dobësinë e tyre dhe tendencën drejt mëkatit apo dhe zëvendësimit të Zotit, me një zot tjetër më eficient, janë përpjekur ta modifikojnë këtë gjë, thelbi i Kishës ka mbetur i paprekur. Në mijëra vjet, Kisha Ortodokse ka udhëtuar duke i ruajtur të paprekura themelet e besimit të saj, të organizimit të saj dhe të mënyrës se si administrohet feja e krishterë tek besimtarët ortodoksë. Rregullat se çfarë mësohet në Kishë, kanë mbetur të pandryshuara që prej 1200 vjetësh kur është mbajtur Sinodi i fundit Ekumenik.
Në Kishë mësohet të duash Perëndinë, dhe të duash njerëzit, të mos vrasësh, të mos vjedhësh, të mos gënjesh, si të udhëtosh drejt shpëtimit të shpirtit, etj. Pra, si të përmirësohesh në ekzistencën tënde tokësore. Kjo është njësoj e vlefshme për të gjithë popujt dhe njerëzit që besojnë në Zot dhe e jetojnë jetën e tyre sipas mësimeve të Jezu Krishtit, përfshi dhe shqiptarët e djeshëm e të sotëm. Kjo është e pandryshueshme, e pa-negociueshme. Çdokush është i lirë të krijojë fenë e vet dhe ta modelojë atë sipas egos së vet, dhe t’i vendosë emrin që do, por kjo nuk do të thotë se besimi i krishterë do funksionojë ndonjëherë sipas kësaj imagjinate. Por a do duan ndonjëherë shqiptarët e sotëm të përmirësohen? Të përmirësohen duke pranuar rregulla që qëndrojnë mbi ta, dhe jo duke u përpjekur t’i përthyejnë ato me dhunë fizike dhe verbale, me kurthe të vockla të pasinqerta, që duket sikur janë ushqimi i vetëm i shpirtit të tyre po aq të vockël dhe të shkrumbuar nga mëkati. A do duan?
Me ç’duket, pavarësisht shembujve të mirë nga mbarë bota, në çështje të fesë dhe të jetës laike, shqiptaret nuk do duan kurrë të përmirësohen, për arsyen e thjeshtë se secili prej tyre mendon se ka të drejtë, secili prej tyre mendon se është perfekt në atë çfarë thotë dhe atë çka bën, dhe kështu tenton t’i imponohet tjetrit pa pyetur realisht se ç’mendon ai tjetri, cilat janë rregullat e tij. Njohja e realitetit të tjetrit, nevoja e respektimit të tjetrit, të traditës së tij, nuk ekzistojnë dhe nuk ndjehen të nevojshme.
Çdo gjë që ndërhyn në këtë gjendje psiko-shoqërore, duke tentuar t’i shkëpusë prej saj për t’i njohur me rregullat e botës më të madhe se lagjja apo katundi i vet, shkakton probleme të mëdha me vetëpëlqimin e tyre, dhe të asaj që mendojnë e veprojnë për ta ruajtur këtë vetëpëlqim të paprekur nga arsyeja, zbatimi i rregullit në respekt të tjetrit. Çdo sfidë në këtë drejtim e detyron Shqiptarin të fshihet aty ku është më ngrohtë, tek besimi popullor, tek “kështu bëjnë të gjithë” te pathosi patriotik, kudo ku rigoroziteti mjegullohet në kufijtë e tij perimetrik, kudo ku zgjerohet hapësira për interpretim individual sipas oreksit dhe modës së momentit të atij rregulli që duhet të ishte në fakt i paprekshëm. Si vlerë morale e shoqërisë.
Nga kjo pikëpamje, në përgjithësi e shkuara e Shqipërisë, sikurse dhe e tashmja e saj nuk ka ndonjë hapësirë të lavdishme, nga ku popujt e tjerë të marrin ndonjë shembull, si nga besimi fetar ashtu dhe nga civilizimi që rrezatojmë, që të mund të na japin të drejtën ne shqiptarëve të shpikim, të sajojmë mënyra të reja, të ndryshme se si zbatohet ligji apo administrohet besimi fetar. Por shqiptarët, në vetëpëlqimin e tyre, në bindjen e tyre se ata janë perfektë dhe kanë secili më vete të drejtë, mjaft që të kënaqin ekzistencën e tyre të përkohshme në këtë botë bëjnë pikërisht këtë gjë – japin zgjidhjet e tyre për çdo gjë e mbi çdo gjë, pa e vrarë mendjen se si janë realisht këto gjëra, dhe se si ato – koncepti i zbatimit të ligjit dhe besimi në Zot – duke iu shmangur pikërisht interpretimeve, fantazirave, qejfeve, dëshirave që në kohëra të ndryshme mund të dukeshin se kishin forcë dhe arsye, kanë arritur të përcillen të paprekura brez pas brezi mes njerëzve të civilizuar.
Sa për zbatimin e ligjit me këtë “mënyrë krijuese”, e cila refuzon me këmbëngulje t’i bindet rregullave të civilizimit, të gjithë ne e kemi parë se ç’situatë është krijuar në Shqipëri së sotmi me pronën, me rendin dhe raportin e individit me shtetin. Shqiptari i sotëm, dhe ai i përhershëm për shkak se e ndjen veten perfekt, të panjollë, të pamëkat në çdo veprim që bën e në çdo budallallëk që nxjerr nga goja, edhe pse vazhdon t’i rreshtojë të pëgërat tek cepat e pallateve, apo të trafikojë motrën e kushërirat si prostituta për të nxjerrë fitim prej tyre, i urren institucionet, progresivisht sa më të lashta janë ato, dhe i kap ato me shkelma, secili sipas mënyrës së vet, edhe pse ndoshta sinqerisht kujton se duke bërë këtë është duke të nderuar. E vetmja gjë që ka frikë shqiptari është pushteti, jo institucioni. Çfarëdo lloj pushteti. Pushtetin e qeverisë, të parasë apo të forcës fizike.
Kisha sot nuk ka asnjë nga këto pushtete, dhe as pretendon t’i ketë. Brenda në Kishë flitet për “frikë Perëndie”, por ata jashtë saj nuk e njohin këtë. Kështu që, duke qenë se Kisha nuk ka ndonjë pushtet nga ato që shqiptari ka frikë, është krejt normale që secili në vetëpëlqimin e tij, apo në çfarëdo gjendje psikike që ndodhet, të ushtrojë presion dhe ta sulmojë atë për çdo gjë që i shkon në mendje dhe që i duket se Kisha duhet të bënte në atë moment.
Për fatin tim të mirë dhe të brezave që vijnë Kisha dhe korpusi kryesor i besimtarëve i ka qëndruar fort presioneve të këtij tipi: kështu e duam ne!, kështu duhet!, duke e ruajtur të paprekur formën dhe përmbajtjen e saj. Ndryshe Kisha nuk do ishte Kishë por do ishte si një sallon i vjetër, me ngjyra patriotike, ku brezat, të fortët dhe të pushtetshmit e radhës, me forcë apo me kurthe, do kishin kënaqur ndjenjat e veta duke e modeluar e mbushur me ide dhe objekte nga më të ndryshmet sipas kohës që kanë jetuar. Pa asnjë garanci që ai që vjen pas nuk do t’i hiqte dhe zhbënte veprat e tyre.
Kjo më kujton atë tregimin e At Zef Pllumit, kur Mehmet Shehu thërriti në zyrë krerët e atëhershëm të klerit katolik dhe u tha që të shkëputeshin nga Vatikani dhe të shpalleshin të pavarur. Dhe ai, shqiptari potent dhe ateist i asokohe, në vetëpëlqimin e vet tentoi të imponohej, duke përdorur pikërisht retorikën patriotike. Në këtë rast, konteksti midis të qenit patriot sipas besimit popullor, apo zbatues i rregullave për qenien vetëpëlqyese dhe perfekte që folëm në fillim është inekzistent. As që bëhet fjalë për zbatimin e rregullave. Secili mban edhe përgjegjësitë e veta. Edhe për mënyrën se si i zbaton rregullat. Këtu nuk përjashtohen edhe njerëzit e Kishës, të cilët nën këtë presion vetëpëlqyes, me hezitimin e tyre mund ta shtojnë apo largojnë mundësinë për të kuptuar sa të sinqerta janë këto vepra e veprime drejt KOASH.
Edhe ringritja dhe shërimi i trupit të sjellë në jetë nga vdekja e Kishës Ortodokse Autoqefale në Shqipëri do marrë gjithë kohën e duhur, pavarësisht nervozizmit që ndjehet mes vetëpëlqyesve dhe perfektëve të gjithëdijshëm. Këta tipa e kanë bërë të qartë se do vazhdojnë të na thonë se si Duhet Të…! Vazhdimi do jetë pse klerikë tanët kanë përqafuar besimin në Zotin Jezu Krisht. E kujt duhet t’i merrnin leje përveçse shpirtit të tyre? Po kjo shpeshherë, qëllimshëm nuk kuptohet.
Nevoja tokësore për t’i ikur mëkatit na ka çuar tek idealizimi i togfjalëshave tolerancë fetare, apo harmoni fetare ndër shqiptarë. Asgjë nga këto nuk kemi ne këtu. Ne jemi fresk nga shkatërrimi i kishave se nuk i pëlqejnë estetikisht Kryeministrit. Ne kemi indiferencë fetare. Kemi injorancë fetare. Padituri fetare. Dhe paturpësisht këto i shesim si tolerancë dhe harmoni. Mosnjohja e mënyrës se si funksionojnë institucionet ku administrohet besimi fetar është një boshllëk i rëndësishëm në moralin shoqëror të shqiptarëve. Ky boshllëk gjithnjë do krijojë të tilla “sherre të vockla”. Prandaj mendoj se është e udhës që njohja me historinë e besimeve fetare dhe institucionet e tyre të bëhet pjesë e programit mësimor të shkollës 9-vjeçare. Vetëm kështu mund t’i vijë Shqipërisë një brez i sinqertë që nuk i ngatërron institucionet fetare me ato laike dhe as me retorikën patriotiko-politike që me gjasë vetëm sa do përshkallëzohet në të ardhmen, për mungesë argumentesh të tjera.
Shpresoj, dhe i lutem Perëndisë që ne, shqiptarët e krishterë ortodoksë dhe Kisha jonë të jemi të fortë dhe me urtësi që nuk gjendet mes atyre që sulmojnë dhe ngrenë kurthe – mes tyre gjendet padurimi dhe injoranca; të mos përthyhemi nga këto guriçka të hedhura në rrugën tonë, por të vazhdojë të mbetemi trupi i Krishtit, që u kryqëzua për ne. Të vazhdojmë ta gjejmë lehtësimin e shpirtit jo tek urrejtja por tek dashuria për tjetrin dhe të shpresojmë se Zoti ynë do t’i përgjigjet lutjes sonë të përulur: O Zot mos na lër të kryesojmë në ty.
Gëzuar Pashkën!