Sa për kujtesë, edhe ora e prishur e tregon kohën e saktë 2 herë në ditë. Ama, pordhamanët profesionistë në studiot televizive, skuthat politikë në krye të partive dhe ata që i ndjekin pas me flegrat e eksituara nga pordhat e kryetarëve, komentatorët e gjithëdijshëm, por edhe institucionet e drejtësisë që vetëm arrestojnë dhe nuk gjykojnë, apo që arrestojnë sipas pëlqyeshmërisë së publikut apo nevojave politike e pastaj “hajt se folim” e të tjera, JO! Këta as sa ora e prishur nuk janë, se ora e prishur nuk ka hile.
Prandaj, edhe pse bëni dëm, nuk ka asnjë rëndësi çfarë thoni ju. Edhe pordha që bën njeriu më i rëndomtë duke rregulluar kështu sadopak peristatikën e zorrëve të veta, është më e rëndësishme para drejtësisë dhe historisë, sesa ofshamat tuaja. Pse e them këtë? Sepse ndërsa kërkoni burgun për këdo që s’ju pëlqen, qoftë ky Berisha, Meta, Rama, Veliaj, Ahmetaj … me vetëdije i shmangeni një koncepti themelor: në hijen e drejtësisë qëndron një peshore, e palëkundur në kërkesën e saj për prova.
Gjithnjë do ekzistojë një tension midis perceptimit publik/normave morale dhe provës ligjore/procesit të rregullt, por unë besoj se e dyta duhet të mbizotërojë. Ky tension pasqyron konfliktin klasik midis utilitarizmit (e mira më e madhe për shoqërinë) dhe etikës deontologjike (respekti për të drejtat individuale). Një utilitarist mund të argumentojë se burgosja e një zyrtari të korruptuar mbron burimet e shoqërisë dhe dekurajon korrupsionin. Megjithatë, etika kantiane thekson se përdorimi i një individi thjesht si mjet për një qëllim shkel dinjitetin njerëzor, edhe nëse i shërben një qëllimi më të madh. Kontrata sociale që kemi, presupozon se ne qytetarët heqim dorë nga disa të drejta ndaj shtetit për mbrojtje, por kjo supozon se edhe shteti do të ushtrojë pushtetin mbi ne përmes rregullave të vendosura, jo gjykimeve arbitrare.
Njerëzit flasin lirshëm me fraza si: ai duhet të ishte në burg, ka vjedhur, ku i gjeti lekët, m’u bë qejfi që rrasën mren etj. etj. Bile të shohin edhe me sy të dyshimtë, dhe jo rrallë të zgurdulluar kur ti u thua: nuk mund të futet në burg askush pa prova, dhe se askush nuk është fajtor pa e shpallur fajtor gjykata. Çfarëdo mjegulle të krijohet prej opinionit personal apo publik një gjë duhet duhet të jetë e qartë për çdokënd. Drejtësia nuk është ajo që ti beson, por ajo që mund të provosh! Kur faktet janë të pamjaftueshme, kur provat mbeten të paarritshme, peshorja nuk mund të anojë drejt fajësisë; pavarësisht sa të forta mund të jenë bindjet tona, apo sa bukur i paketojmë ne ato, duke ndezur emocionet, dhe rritur dopaminën e ushtrive politike apo moraliste.
Ajo që “besohet se”, qoftë nga një apo shumë persona, mbetet thjesht opinion. Si gjethet në erë, opinionet mund të mblidhen në grumbuj të mëdhenj, por vetëmëvete nuk mund të ndërtojnë themelin e fortë që kërkon drejtësia. Opinioni publik, pavarësisht sa i gjerë apo vokal është, është thjesht një koleksion më i madh i këtyre “besimeve”; një stuhi që nuk mund, dhe as nuk duhet të tundë e lëkundë shtyllat e drejtësisë.
Kjo situatë sidoqoftë mbetet folklorike, dhe nuk i duhet më shumë rëndësi sesa një bejteje ordinere. Është e qartë për çdo idiot se hakmarrja nuk është drejtësi. Ndërsa dyshimi publik dhe provat rrethanore (si pasuria e pashpjegueshme) mund të sugjerojnë fuqimisht korrupsionin, parimi ligjor “i pafajshëm derisa të provohet fajësia” është themelor për shumicën e sistemeve moderne të drejtësisë. Parimet kyçe të drejtësisë si habeas corpus, prezumimi i pafajësisë dhe barra e provës në ngarkim të prokurorisë shërbejnë si mbrojtje kundër ndalimit arbitrar. Megjithatë, sistemet ligjore gjithashtu njohin të drejtën e shoqërisë për të mbrojtur veten përmes mekanizmave si ndalimi parandalues, kur rregullohet siç duhet. (a është bërë siç duhet?) Këto parime parim ekzistojnë për të mbrojtur të gjithë qytetarët nga burgosja arbitrare bazuar vetëm në akuza. Thjesht burgosja e dikujt sepse “të gjithë e dinë” se janë fajtorë, pa prova të duhura dhe proces të rregullt, rrezikon krijimin e një sistemi ku kushdo mund të burgoset bazuar në opinionin publik dhe jo në prova. Pushteti për të arrestuar nuk duhet të përdoret si mjet hetimor ose taktikë presioni. Ai duhet të përdoret vetëm kur ka tashmë prova thelbësore të keqbërjes. Përndryshe nuk është drejtësi, por keqbërje. Përdorimi politik i këtij vrulli të prokurorisë në mos i pashmangshëm, mund të qëllojë të jetë i nxitur nga palët, për benefite personale të njerëzve në majë shpk-ve dhe sha-ve politike shqiptare.
Ndërsa burgosja e zyrtarëve të dyshuar për korrupsion pa prova mund të duket e përshtatshme, kjo krijon precedentë të rrezikshëm. Nëse, si dikur nën diktaturë me “gjyqet” popullore nëpër lagje, opinioni publik bëhet i mjaftueshëm për burgim, ai mund të përdoret si armë kundër njerëzve të pafajshëm, veçanërisht nga interesat e fuqishme që mund të formësojnë perceptimin publik. Për më tepër, anashkalimi i procesit të rregullt mund ta bëjë luftën kundër korrupsionit më të vështirë në planin afatgjatë duke minuar besimin në institucionet ligjore dhe duke krijuar simpati për zyrtarët e akuzuar. Nuk po diskutoj fare për dëmet personale që i shkaktohen individit që është viktimë e zbatimit të këtyre skemave të “drejtësisë” – reputacion, trauma, karrierë, stigma etj, të cilat do duhej dhe ato të mbahen parasysh në proçedurë. Drejtësia e vërtetë kërkon balancimin e dy nevojave që shpesh përplasen dhe konkurrojnë me njëra tjetrën: mbrojtjen e shoqërisë nga korrupsioni dhe mbrojtjen e të drejtave individuale nga pushteti arbitrar i shtetit.
Sistemet moderne ligjore përgjithësisht i japin përparësi të drejtave individuale dhe procesit të rregullt mbi drejtësinë e shpejtë. Kjo buron nga mësimet historike për rreziqet e pushtetit të pakontrolluar shtetëror. Kemi parë se çfarë u bëri shqiptarë një pushtet i pakontrolluar nga qytetarët për 50 vjet me rradhë; pse duhet ta rijetojmë? Sepse nuk duam të zhvillohemi, se kështu na vjen për mbarë?
Them se mbrojtja e të drejtave individuale duhet të mbizotërojë sepse:
- Sapo pranojmë burgosjen pa prova si legjitime, nuk ka parim të qartë kufizues për të parandaluar abuzimin;
- Institucionet dhe proceset e forta mbrojnë si shoqërinë ashtu edhe individët në planin afatgjatë
- Dëmi psikologjik dhe social nga pushteti arbitrar i shtetit shpesh tejkalon përfitimet e drejtësisë së shpejtë
- Shembujt tanë historikë tregojnë vazhdimisht se pranimi i dobësimit i mbrojtjeve të procesit të rregullt, i imponuar si vijë e partisë, apo edhe për shkaqe në dukje të mira, çon në erozion më të gjerë të të drejtave.
Siç e shkrova më lart, tensioni midis asaj që besojmë – individualisht apo si turmë, dhe asaj që mund të provojmë qëndron në zemër të çdo sistemi ligjor. Ndonjëherë, ky tension krijon rezultate paradoksale. Njësoj si atëhere kur Nexhmije Hoxha, dhe ajo vetë një figurë kyçe në një regjim 45 vjeçar që burgosi dhe vriste shumë njerëz përmes kontrolit absolut mbi “drejtësinë” duke përdorur rëndom gjyqet popullore, mund të dënohej vetëm për keqpërdorim të fondeve shtetërore për kafe. Herë të tjera, pavarësisht ekzistencës së provave materiale dhe jetësore siç është proçesi ndaj O.J. Simpson – që akuzohej se vrau gruan dhe dashnorin e gruas – ja arrin të shpallesh i pafajshëm nga gjykata. Ose luftimeve 11 vjeçare gjyqësore, politike, mediatike përmes magjistratëve italianë ndaj Giulio Andreotti të cilat përfunduan me shpalljen të pafajshëm të Senatorit të Përjetshëm … Ne në Shqipëri kemi patur përvoja kur mblidhej turma e “Frontit të lagjes” dhe të shpallte kulak, armik dhe shkoje për lesh me fis e me farë. Kemi edhe sot, kur të “rrasin mren” – dhe kënaqen gjithë hajvanët – të lënë në burg për muaj të tërë dhe kur shkon në gjykatë shpallesh i pafajshëm. Më vjen ndërmend rasti i Fullanit, i cili jo vetëm u shpall i pafajshëm, por edhe u dëmshpërblye nga lekët e ne hajvanëve. Këto variantet e fundit përngjajnë me njeri-tjetrin. Në të dy rastet nuk kemi të bëjmë me drejtësi, por me abuzim politik me drejtësinë.
Marrëdhënia midis provës dhe drejtësisë qëndron e qartë si kristali – nuk mund të burgosësh një person bazuar në koncepte filozofike apo mbi “besoj se”, “nuk ka shans të jetë ndryshe”, e të tjera pallavra, pavarësisht sa thellë janë ngulitur, apo sa shumë njerëz i mendojnë ashtu. Njerëzit që e bëjnë këtë, sipas meje, janë duke kryer ata vetë një vepër penale.
Pra, lum miku, muret e një qelie burgu ndërtohen me tulla provash, jo me teori apo opinione. Kur faktet janë të pamjaftueshme, kur provat nuk mjaftojnë, ato mure nuk mund, dhe nuk duhet të ndërtohen, pavarësisht sa të forta mund të jenë dyshimet tona.
Sistemi i drejtësisë që na duhet ne si qytetarë shqiptarë dhe si ekonomi duhet të ngrihet e të jetë si një kështjellë e ndërtuar mbi themelin e provave dhe procedurës. Brenda mureve të saj, liria mund të kufizohet vetëm përmes akuzave specifike, provave të pranueshme dhe provës përtej çdo dyshimi të arsyeshëm. Këto kërkesa qëndrojnë si roje kundër pushtetit arbitrar, opinionistave dhe skuthëve politikë duke siguruar që batica emocionale e opinionit publik nuk mund të çajë muret e procesit të rregullt. Atij lloj proçesi që secili prej pordhamanëvë të ndryshëm – në studio televizive, në politikë, në komentet poshtë shkrimeve të ndryshme, apo dhe atyre që ulërasin brenda mureve të shtëpive të tyre do ta donte për vete, nëse do ja lypte nevoja.
Kështuqë, pordhamanë nga çfarëdo llogoreje pirdhni, vazhdoni të pirdhni (për këtë nuk keni nevojë për lejen e askujt boll të ndjeheni të paguar me lek, ofiqe, apo emocione). Por për shqiptarët e 2024-s jeni më pak të besueshëm edhe se një orë e prishur. Se dhe asaj i del fjala dy herë në ditë.