Mund të të duhet ta bësh disa herë të njëjtën betejë përpara se ta fitosh atë!
-Thatcher
Partia Demokratike është partia e parë politike që u krijua pas Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri. U krijua si një shpërthim i mendjes dhe i shpirtit për liri dhe dinjitet njerëzor, në kulmin e skamjes dhe urisë për gjithshka. PD ishte një forcë qytetare, libertare që hapi dyert dhe i çliroi mëndjet e të gjithë shqiptarëve për t’i udhëhequr drejt suksesit individual dhe shoqëror, ekonomisë së tregut, pronës private, inisiativës së lirë dhe barazisë së oportuniteteve. Një seri rrethanash, që nga mendësia totalitariste e shoqërisë shqiptare e deri tek skemat e pushtetit brenda saj për shkak të pasigurisë së lidershipit në konfrontimin e brendshëm e larguan PD-në nga ky bazament, duke e zhvendosur në terrene që shqiptarët i njihnin më mirë nga e shkuara. Këto procese dhe ciklet e tyre të suksesit dhe dështimit e kanë kthyer PD-në e sotme në një parti me mentalitet fshatar, klanor dhe forumet e saj me mendësi nëpunësish. Populiste! Për nga pikëpamja se si e konceptojnë dhe konsumojnë pushtetin shumica e atyre që PD i veshi me pushtet. Si një sistem timaresh të Perandorisë Osmane ku Porta e Lartë u jepte timarlinjve të administronin me fuqi të plota territore dhe popullsi, përkundrejt shërbimeve të tyre. Kjo është e vlefshme proporcionalisht si për Ministrat, deputetët ashtu dhe kryetarët e degëve të PD-së në rrethe, e kështu me rradhë. Kryetari i ardhshëm i PD-së duhet të qytetarizojë partinë dhe të ringjallë shpresën. PD i humbi zgjedhjet e 23 Qershorit 2013 se njerëzit humbën shpresën tek ajo.
PD në këto vite i mblodhi rrallë forumet e veta, krijoi një izolim të “elitës” së saj. Deputetë nga salla e parlamentit tek shihnin ministrat të rreshtoheshin krenarisht mërmërisnin me trishtim e qesëndi një fjalë shumë të njohur për shqiptarët: Byroja. Organizmi i PD u shndërrua në një organizëm që varej nga vrulli, pasioni, fuqia, energjia, shëndeti, gabimet dhe vizioni i një njeriu dhe pak të besuarve, kur një parti moderne duhet të jetë sa më horizontale, ku askush të mos ndjehet i përjashtuar apo i dorës së dytë, ku kontributet e shumë njerëzve përbëjnë forcën e saj. PD që pas vitit 1992 ishte thjesht një parti më e vogël se kryetari i saj. Ndoshta për këtë arsye modeli i saj arriti të mbijetojë në këtë tranzicion të tejzgjatur duke patur sa sukses aq dhe dështime, deri në humbjen padiskutueshme të 23 Qershorit nga dora e LSI-së. Kryetarit të ri do t’i duhet të rikthejë një PD e cila është pa ekuivok më e madhe se kryetari i saj; vetëm kështu do të jetë e mundur të mbizotërohet kombinacioni parapolitik PS-LSI, i cili tashmë përgatitet të dominojë politikën dhe qeverisjen në Shqipëri.
Evolucioni politik brënda PD-së që prej 1992-shit zhvillohej mbi një thepisje vertikale të lëmuar ku pakkush ishte i pajisur me mjetet e duhura t’i afrohej majës. Kjo ishte e mundur vetëm po të të hidhnin ndonjë litar nga lart. Në fakt, permanenca në majë nuk shihej si një proçes politik, por në vetëpërmbushje perceptohej si një proçes biologjik. Jetëgjatësia politike nuk mund dhe nuk duhet të përputhet kurrë me jetëgjatësinë e njeriut. Demokracitë e zhvilluara i kanë dhënë zgjidhje të prerë këtyre situatave psiko-patologjike që bashkëjetojnë brënda individit në çdo shoqëri. Rotacioni. Vetëm 2 mandate. Falemnderit për lidershipin! Tash e mbrapa mirëpresim kontributin mes rradhëve të anëtarësisë. Sado të kesh bindjen se forca jote është më e madhe, më e mirë se ajo e gjithë partisë. Siç ishte e shkruar në statutin e parë të PD-së.
Shumë syresh mund ta kenë përfolur nëpër dhëmbë, në rrethe të ngushta që lidershipi duhet ndërruar, të gatshëm ta mohojnë atypari këtë lajthitje të vogël që mund t’u kushtonte shumë në karrierën politike dhe posedimet personale. Mund edhe ta kenë shprehur si shqetësim të madh të shpirtucit të tyre të pakuptuar, liberal, reformist, demokrat në intimitetin e ndonjë ambasade, por vetëm kaq. Pastaj janë bërë thjesht lëpirës dhe përftues. Sa më afër majës, aq më efikas në këto dy arte që më shumë lidhen me karakterin personal, se sa me aftësinë politike. Berisha, pati forcën dhe ndriçimin ta këpusë vetë këtë nyje gordiane 21 vjeçare, askush tjetër në PD nuk do të kishte as karakterin dhe as forcën politike apo njerëzore, në paplotësinë e vet, që ta bënte këtë gjë. Kryetari i ri e ka rrugën të hapur ta fuqizoje PD sikundër nuk ka qënë kurrë më parë qysh prej dy dekadash. Duke marrë forcë nga të gjithë.
PD sot është një parti e lodhur, e hutuar, pa limfë, me një inventar xhaketash të vjetra – ironike sa shpejt u krijuan ato edhe brënda PD – që vazhdojne të bëjnë intriga të vockla duke u premtuar ndoshta mbështetjen e timareve të tyre njerit apo tjetrit kandidat për kryetar. Grupi parlamentar i sotëm është produkt i vendimmarrjes vertikale dhe vështirë se do të jetë në gjëndje të udhëheqë rigjenerimin dhe shërimin e PD-së për ta bërë atë kompetitive. Shumica e “elitës” së sotme të PD-së është ngjizur dhe formuar gjatë viteve ku formula politike e PD-së ishte bazuar tek primitiviteti unitar i populizmit dhe nuk ia ka idenë se PD-ja u ngrit mbi pluralizmin, ku kontributi i të gjithëve ishte i mirëpritur, dhe askush nuk kishte frikë nga ai. Mbështetësit e PD-së sot kanë pakënaqësi në proporcion të drejtë me afërsinë apo largësine që kanë nga timarliu i qytetit apo fshatit ku jetojnë. Ata që janë më larg janë më të pakënaqurit, se nuk kanë përfituar gjë. Jo pak prej tyre, për këte arsye, tani marrin frymë në LSI. Shumë të tjerë në Shtator do humbin punën. Ato më pak se 15 bashki që i kanë mbetur në administrim PD-së nuk u sigurojnë dot punë këtyre. Kjo do e shtojë edhe më tensionin brënda rradhëve të PD-së. Këto duhet të llogarisë kryetari i ardhshëm i PD-së në përpjekjen për ta rimëkëmbur partinë.
Më shumë se bërja opozitë Kryetarit të ardhshëm të PD-së si fillim i duhet të bëjë një riorganizim të thellë të partisë. Që të ketë sukses, atij do t’i duhet të ç’timarizojë PD-në. Me shpejtësi. Pa e kthyer kokën pas. Dobia e të qënit anëtar i PD-së duhet të jetë pronë e të gjithëve dhe jo vetëm e disave. Anëtarët e PD-së nuk duhet të ndjehen të rrethuar me mure të larta, apo dyer të mbyllura që nuk japin frymëmarrje për të ardhmen. Sigurimi i kohezionit brënda rradhëve të PD-së do marrë kohë dhe do ndodhë vetëm si një proçes meritokracie dhe jo afërsie krahinore dhe fisnore. I takon kryetarit të ri të saj, kushdo qoftë, të ketë vullnetin ta udhëheqë pa nxitim këtë proçes.
Le ta fillojnë duke ndryshuar statutin e PD-së për kohëzgjatjen e shërbimit në postin e Kryetarit të saj. Të shërbimit, jo sundimit! Ndërtimi i alternativës së re politike dhe qeverisëse nuk mund të bëhet mbi modelin e mbyllur politik të deritanishëm; ai tashmë është i pajetë. Ajo duhet të jetë proaktive, e bazuar mbi forcën e ideve dhe kontributeve në PD, dhe jo pasive, dembele, thjesht në kundërpërgjigje të aksionit politik të PS-LSI-së. Kryetari i ri, kushdo qoftë ai, nuk duhet të ketë frikë apo pasiguri nga hapja dhe idetë e ndryshme, përkundrazi ai duhet të “trimërohet” dhe ta nxisë këtë propulsion brenda PD-së, sepse nolens volens ai është pika ku kulmojnë dhe prej nga vokalizohen këto kontribute. PD e ardhshme duhet të ndërtohet mbi modelin e parë politik të PD-së që synonte dialogun dhe bashkëjetesën politike dhe jo sundimin; model i cili, edhe pse u braktis gjatë, mbetet më i suksesshmi dhe që garanton qëndrueshmëri dhe i kthen shkëlqimin e vërtetë kësaj force politike që u nëpërkëmb në zgjedhjet e fundit.
Mapo.
13 Korrik 2013
(gara midis Bashës dhe Olldashit u zhvillua në datën 22 Korrik 2013)