Argumentat që do diskutoj në rreshtat e mëposhtme kam vite që i them; jo vetëm unë por të paktën edhe 3-4 ekonomistë të tjerë të vendit. Këto janë: besueshmëria, transparenca dhe efiçienca e munguar e financave publike, rritja galopante e borxhit shterpë publik, mbikqyrja e dobët e sistemit bankar dhe mos-konsiderimi i Edukimit si prioriteti më i madh i zhvillimit ekonomik të Shqipërisë.
Por sipas traditës së shtetformimit tonë çdo argument është më i besueshëm kur këtë e thotë një Fuqi e Huaj. Midis të tjerave, si OSBE, Komisioni i Venecias, edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar është një fuqi e huaj, dhe prandaj po i referohem këtu më poshtë në një përpjekje për të biseduar, duke përkthyer shqip-shqip Komunikatën më të fundit të Fondit, bërë para pak ditëve më datë 12 Tetor 2021 :
Pse duhet të shqetesohemi për financat publike
Fondi shprehet pa ekuivok se Shqipëria ka nevojë të mbledhë më shumë të ardhura nga taksat. Sipas Fondit, shpenzimet tona publike nuk janë as cilësore dhe as transparente. Qeveria vazhdon të shpenzojë më shumë se ç’duhet, dhe në fusha që nuk kanë lidhje me përballimin e situatës së tërmetit – edhe shpenzimet e kryera për këtë qëllim duhet t’i nënshtrohen transparencës dhe kontrollit të munguar deri tani. Fondi insiston, tashmë prej kohësh, se Qeveria shqiptare nuk ka një buxhet të besueshëm – praktika e akteve normative të ndryshimit të buxhetit duhet të ndërpritet një orë e më parë. Po ashtu, Fondi shprehet se qeveria shqiptare nuk ka as një strategji fiskale afat-mesme të besueshme, për shkak edhe se nuk ka nje lidership politik të fortë – të investuar në këtë drejtim – që të mund të adresojë rreziqet fiskale gjithnjë e më shumë në rritje; rreziqe që, sipas Fondit, as po monitorohen dhe as manaxhohen siç duhet. Fondi paralajmëron se mungesa kronike e besueshmërisë tek buxheti dhe korrniza fiskale e qeverisë do rezultojë në rritje të kostove të borxhit në periudhat e ardhshme.
Fondi shprehet se shpenzimet publike me ritme të larta, duke i tharë krejtësisht burimet e brendshme nuk duhen vazhduar më tej nga qeveria, përkundrejt kapaciteteve të dobëta dhe efiçencës së ulët të saj. Nga ana tjetër shpenzimet nga buxheti për PPP janë tashmë në nivelin 50% e të PBB, ose rreth 8 miliardë EUR dhe gjatë viteve të përballjes me pasojat e tërmetit dhe të pandemisë janë rritur në mënyrë marramendëse, kur ishin rreth 33% të PBB në vitin 2018 – kur nuk kishim as tërmet, as përleshje qeveritare me një virus të familjes së koronaviruseve. Sipas Fondit, shpenzimet për PPP nuk kanë asnjë transparence për kostot e tyre, me rregullat për përzgjedhjen dhe aprovimin e tyre; PPP janë një hile e përdorur nga qeveria për t’ju shmangur rregullave dhe Programit Buxhetor Afatmesëm, të miratuara nga po vetë qeveria – mendoj thjesht për t’i hedhur hi syve Fondit dhe partnerëve të tjerë – ndërsa në këto proçese anashkalohen funksionet e Ministrisë së Financave si rojtare e financave Publike, lëre më angazhimi aktiv i saj në monitorimin dhe vlerësimin e PPP-ve.
Mendoj se kjo është e qartë, kjo do të thotë defiçite buxhetore më të larta, borxh publik më i lartë, më pak para për të përballuar halle, kriza apo goditje që nuk varen nga ne, dhe aq më pak para për të zhvilluar e ndërtuar të ardhme të qëndrueshme – dhe këtu nuk kam çfarë të shpjegoj më shumë, shteti është njësoj si një familje, herët a vonë do përballet me kostot përmbaruese të kësaj sjellje të papërgjegjshme – këto kosto po dhe do i paguajnë shqiptarët, jo qeveritarët, përveçse po e mendoi SPAK-u ndryshe.
Pse duhet të shqetësohemi për borxhin publik
Fondi është i shqetësuar se borxhi publik në vitin 2021 është 80% i Prodhimit Kombëtar Bruto, nga më të lartët në rajon. Po ashtu, edhe pse Fondi pret që borxhi do ulet gradualisht, për periudhën afatmesme, sipas Fondit, ai do mbetet mbi 70% e PBB, dhe ndoshta do ishte mirë të mund të ulej në 65% të PBB në vitin 2026 – vetëm pas 1 vit pas mbarimit të mandatit të III-të të Partisë Socialiste.
Ndryshe nga Fondi, mendoj se Borxhi Publik shqiptar është mbi 100% i PBB, duke vlerësuar si pjesë të borxhit faturat e Arbitrazheve të humbura të Qeverisë – të tipit Becchetti, po ashtu vendimet Gjyqësore të Strasburgut dhe pagesat e prapambetura ndaj të tretëve. Por, jam shumë dakord me Fondin, kur thotë se borxhmarrja gjithnjë e më e shpeshtë ndërkombëtare – qeveria po merr borxh si e çartur 2020 – 2021 – sjell me vete rreziqe të mëdha të mbivendosjes së borxhit, dhe kursit të këmbimit – rreziqe të pa-adresuara dhe që nevojisin, sipas Fondit, një strategji robuste për manaxhimin e borxhit publik – strategji e cila edhe pse mund të ekzistojë në letër, nuk zbatohet në praktikë.
Pse duhet të shqetësohemi për Bankën e Shqipërisë.
Fondi mendon se Banka e Shqipërisë nuk do e shtrëngojë dorën me politikën monetare. Që Banka e Shqipërisë ta bëjë këtë do i duhet të pranojë që ka inflacion, pra që njerëzit po përballen me çmime më të larta. Mendoj se Banka e Shqipërisë nuk do e bëjë këtë, duke u justifikuar se nuk ka të dhëna të mjaftueshme që jetesa e shqiptarëve është bërë më e shtrenjtë se janë rritur çmimet. Kështuqë, shtrëngoni rripin.
Sipas Fondit, është koha që Banka e Shqipërisë të bëjë Rishikimin e Cilësisë së Aseteve të bankave të nivelit të dytë – cilësi e cila mendohet të jetë përkeqësuar kohët e fundit. Po ashtu pritet që të rriten Kreditë e Këqija për shkak të mungesës së vazhdueshme të vullnetit për t’i ekzekutuar këto lloj kredish që i përkasin borxhlinjve të mëdhenj e të rëndësishëm. Oligarkëve dhe zëvendës-oligarkëve domethënë.
Fondi, në të gjitha komunikatate e veta të viteve të fundit tund një flamur të kuq në lidhje me ndryshimet në pronësinë e bankave të nivelit të dytë, çka përbën një risk të madh për sistemin bankar shqiptar – kjo për arsye se, sipas Fondit, aksionerët, mbikqyrësit, pronarët përfitues dhe menaxherët e këtyre bankave janë jo vetëm të papërshtatshëm, por edhe kanë rritur rriskun-ekspozimin për depozituesit në këto banka. Për Fondin, Banka e Shqipërisë nuk po operon në përputhje me standartet ndërkombëtare të mbikqyrjes – pra ka mbyllur njërin sy, në mos të dy. E njëjtë është situata në lidhje me mungesën e shtimit të mbikqyrjes për efektet financiare në sistemin bankar të zhvillimeve në tregun e pasurive të paluajtshme – pra, në ndërtim, atje ku prej mjaft kohësh nuk pushon lavatriçja e pastrimit të parave.
Pse duhet të shqetësohemi për modelin e zhvillimit të Shqipërisë
Fondi shprehet se konkurrueshmëria e Shqipërisë në rajon vijon të mbetet e ulët. Korrupsioni i lartë, hendeku infrastrukturor, dhe mbi të gjitha hendeku i aftësive janë problemet që njihen, por nuk adresohen për të rritur produktivitetin dhe përmirësuar klimën e biznesit në Shqipëri. Fondi nënvizon që në fillim të komunikatës së vet, se modeli i zhvillimit të deritanishëm të Shqipërisë nuk është ai i duhuri, sepse duhet që të investohet fort tek njerëzit në mënyrë që garantohet zhvillimi i vendit. Natyrisht – sipas Fondit – rritja e pagës minimale nuk është receta e duhur për këtë, dhe kjo duhet të vijë vetëm si rezultat i luftës ndaj informalitetit dhe rritjes së produktivitetit. E tha Fondi e tha, po kujt ja tha … Mendoj se investimi në parashkollor është rruga e duhur; kodimi dhe programimi, si edhe rishikimi i të gjithë kurrikulave të cikleve të ulëta janë hapa prioritarë së bashku me trajnimin dhe kalimin në sitë të mësuesve janë reformat që na duhen – pa harruar dixhitalizimin e edukimit dhe ekonomisë. Po e mbajtëm syrin vetëm tek Universiteti nuk kemi gjë në vijë. E para edhe kur e shohim universitetin e shohim me sy çakërr; e dyta po fute në furrë brumë misri, nuk nxjerr dot që andej bukë gruri.