300 ditët e Armatës Brancaleone
Që prej shtatorit 2013 kur Kryeministri filloi të prezantonte publikisht ekipet e veta të besuara qeverisëse, më vërtitej në kokë ngjashmëria e tyre me Armatën Brancaleone, bëmat e së cilës gjënden në një film të vitit 1966, nga regjisori italian Mario Monicelli. Kjo Armatë e përbërë nga një konglomerat individësh lëtyrë, me kalorësin e lodhur Brancaleone në krye, kalon një vorbull ngjarjesh ku ngjizet si një grup dallkaukësh me ideal të madh – zaptimi i një feudi me letra të vjedhura – por thellësisht e paaftë në realizimin e këtij ideali. Armata Brancaleone ka hyrë në leksikun e përditshëm social-politik si përkufizim i grupeve me ide konfuze që nuk janë në gjëndje të çojnë një punë deri në fund, por që me fjalë shiten si të fortë e të fuqishëm.
Por e ndalja veten ta thosha me zë të lartë këtë mendim sepse është gabim të flasësh e të vlerësosh vetëm nga pamja dhe e shkuara e pakët, duhen edhe provat e së tashmes. Mbi të gjitha një pjesë të qeverisë e njoh personalisht. I respektoj profesionalisht, por më të fortë kam ndjenjën time njerëzore për ta, një nga një. Ndoshta më vonë, si ata që njoh, por sidomos ata që nuk njoh, e përmirësojnë performancën, por provat e deritanishme në grup-qeverisje lënë për të dëshiruar. Ekonomia dhe financat publike të Shqipërisë sot çalojnë fort. Dukshëm nuk japin shenja gjallërimi dhe as garanci.
Për t’i gjallëruar duhet punë! Jo llafe. Por Qeverisë nuk i rri menderja, ajo nuk e njeh përunjësinë dhe nevojen për të punuar. Përkundrazi, e tepron me shfaqje zëçjerra, si kokoshi majë plehut. Siç ishte ky Pleniumi fundit i sukseseve të mëdha. Të 300 ditëve. Prandaj, nuk kam ndrojë të them se Qeveria e sotme e Republikës së Shqipërisë, pavarësisht sa të suksesshme e thërret ajo veten në
performancën e saj 300 ditore, është si Armata Brancaleone.
Që të vinte në pushtet Armata jonë Brancaleone u shit si e fortë dhe e fuqishme dhe fabrikoi disa mite të mëdha, që u besuan ndër shqiptarë, përderisa ajo qeveris Shqipërinë që prej 12 shtatorit 2013. Këto mite për të cilat Qeveria e sotme u çorr në të katër anët e horizontit, u betua në flamur dhe u vetë-votëbesua në parlament janë: i) mjekësia falas; ii) vendosja e drejtësinë sociale përmes taksës progresive mbi të ardhurat; dhe iii) krijimi brenda mandatit të parë i 300.000 vëndeve të reja pune. Ku jemi sot?
Miti i parë, ai i mjekësisë falas tashmë është tretur krejt. Si të hollët e pulës. A marrin shërbim mjekësor falas shqiptarët? Kurrësesi! Kjo pyetje duhet bërë me taktin e duhur, dhe në fakt nuk duhet përsëritur shpesh. Sepse ka të ngjarë që të sëmurët shqiptarë, dhe familjarët e tyre të mashtruar fort nga qeveria të ta nxjerrin “inatin” ty që pyet. Marrja e shërbimit shëndetësor është bërë edhe më e shtrenjtë, sepse me heqjen e tavanit për pagesën e sigurimeve shëndetësore është rritur ngarkesa për ata që i paguajnë këtosigurime. Si për inat të qeverise, dhe Banka Boterore pak ditë më parë
vlerësoi se Shqipëria vazhdon të ketë barnat më të shtrenjta në të gjithërajonin e Ballkanit.
Pra, sot shqiptarët jo vetëm nuk kanë mjekësi falas, por vijojnë të paguajnë edhe më shtrenjtë se të gjithë fqinjët për t’u kuruar. Jam i bindur që, pas studimit kozmik të kostove spitalore, premtimi i mjekësisë falas do shfaqet përsëri. Do shfaqet andej nga fundi i mandatit të kësaj qeverisje. Armata do ta përdore atë si karrem për t’i gënjyer paturpësisht shqiptarët. Pa iu skuqur faqja, thjesht për t’u marrë atyre votën përsëri.
Miti i dytë i vendosjes së drejtësisë sociale përmes taksimit progresiv të të ardhurave është sot thjesht një tullumbac nga ata që të ikin nga dora, fluturojnë tej me zigzag dhe shfryhen me një zhurmë karakteristike të pakëndshme. I propaganduar më fort se çdo gjë tjetër nga qeveria si vendosje e drejtësisë sociale, taksimi progresiv iu hodh si ushqim shpirtëror masave. Iu hodh ziliqareve shpirt-varfër si një mish që ata ta shqyenin me dorë. Atyre masave, të cilat e kanë ende të njomë trashëgiminë e luftës së klasave kundër borgjezëve dhe mikroborgjezëve. I paketuar me mjeshtëri ideologjike leniniste. Taksimi progresiv u mendua të zëvendësonte diktaturën e proletariatit. Në luftë kundër suksesit dhe individualizmit, në favor të kolektivizmit që nuk po shkulet nga trutë e shqiptarëve.
Në Pleniumin e 300 ditëve u tha që 97 përqind e shqiptarëve sot janë më të pasur. Kur e dëgjon të duket se shqiptarët, 97 përqind e tyre, janë duke u zhgërryer në Lekë që kur Armata filloi qeverisjen. A është vërtet kështu? “Vendosja e drejtësisë sociale” prek në teori jo më shumë se 12.000 vetë në Shqipëri. Këta, natyrisht, janë sot më të varfër se dje. Kjo është e sigurtë. Ç’ndodh me të tjerët? Të gjithë shqiptarët e tjerë me një hesap të trashë me rregull treshi, nuk do fusnin në xhep më shumë se 0.32 Euro në muaj secili,nga taksimi progresiv i aplikuar ndaj 12.000 “kulakëve” të vitit 2014. Kjo, gjithnjë duke iu referuar dokumentit te buxhetit 2014 ku thuhet se nga kjo masë çlirohen rreth 1.5 miliardë Lek.
A e ka vendosur ky taksim progresiv barazinë, drejtësinë sociale? A janë shqiptarët e varfër me të pasuruar sot me 0.32 Euro në muaj më tepër? Ata le të përgjigjen vetë si ndjehen. Më të pasur apo më të tallur? Po të doni një mendim tjeter alternativ pyesni edhe shitësit me pakicë të mallrave anë e mbanë Shqipërisë. Nga ana tjetër, ata që paguajnë akoma dhe më shumë, a marrin shërbime më të mira në përputhje me konceptin e drejtësisë sociale?
Apo janë thjesht më të varfër? Po kujt i plasi për ta. Ata janë kulake! T’ua marrim, të mbushim buxhetin e shtetit. Si në 1945-ën. Në fakt ata janë shqiptarë dhe njëherësh edhe shtresa më e vlefshme e shoqërisë shqiptare. Janë manaxherët. Ata që drejtojnë dhe riskjojne me bizneset e tyre. Ata që projektojnë Shqipërinë drejt të ardhmes. Janë elita e vëndit. Tashmë më të varfër.
Qeveria me taksimin e saj progresiv është krejt e pazonja të vendosë drejtësinë sociale. As që ka dashur ndonjëherë. Në tentativën për të rishpërndarë të ardhurat, thjesht ka varfëruar dhe demoralizuar 12.000 shqiptarë, duke ngopur me lugë të zbrazur gjithë shqiptarët e tjerë. Qeverisë i mjaftoi vetëm zhurma dhe ato vota që erdhën pas saj.
Miti i tretë i krijimit të 300.000 vëndeve të reja të punës brënda mandatit të parë, i skalitur në kontratën e qeverisjes së sotme me shqiptarët, ku me gjasë duhet të kulmojnë të gjitha politikat e saja ekonomike, fiskale e sektoriale, është rrëzuar që tani. Qeveria thotë se gjatë këtyre 300 ditëve ka krijuar 43.000 vënde pune. Me këto ritme, pra duke besuar se çdo 300 ditë në Shqipëri do krijohen 43.000 vënde pune, qeveria e arrin objektivin e saj andej nga viti 2019.
Është për të dyshuar që këto vënde pune janë krijuar me të vërtetë, pavarësisht shpresës dhe vullnetit të mirë, dy gjëra që kurrsesi nuk i paragjykoj. Qeveria përmes politikave të saj mund të nxisë krijimin e vëndeve të reja të punës. Me politika që nxisin rritjen ekonomike, që nxisin investimet. Me një gëzim kolektivist qeverisja thotë se ka ndërmarrë të këtilla politika.
Por kjo është thjesht një utopi, një përralle që askush nuk e beson. Hapja e vëndeve të reja të punës nuk është punë qejfi, qoftë ky edhe qejfi qeverisjes. Thjesht, qartë dhe drejtpërdrejt: vëndet e reja të punës, i krijon vetëm Kapitali. Nuk ka asnjë alternativë tjetër. Por qeverisja e ka rritur me 50 përqind taksën mbi kapitalin në Shqipëri, kështuqë në vend që të nxitej akumulimi i tij, sipërmarrësit e kanë tkurrur së paku deklarimin e fitimit të tyre, siç tregon rregullisht edhe arkëtimi nga tatimi mbi fitimin në buxhetin e shtetit për këto gjashtë muajt e parë të vitit 2014.
Kapitali nuk ndjehet pjesëmarrës në Shqipëri, nuk ndjehet i respektuar. Përkundrazi është i nëpërkëmbur. I grabitur me ligj. Ergo, hapësira për të investuar dhe për të krijuar vënde pune është tkurrur në mënyrë të vazhdueshme gjatë këtyre 300 ditëve. Kush të dojë mund të shohë një tregues tjetër. Sa fort është tkurrur kredia bankare për bizneset në këtë vitin e fundit, duke e bërë krejt të
pasuksesshme edhe politikën lehtësuese të Bankës së Shqipërisë.
Nga ana tjeter, atje ku qeveria mund të shpresonte t’ia bënte fora me lekët e shqiptarëve dhe me borxhet gjithnjë në rritje galopante, që do shlyhen po me lekët e shqiptarëve, pra tek investimet publike të parashikuara në buxhetin e vitit 2014, ajo nuk arrin të bëjë asgjë. Investimet publike 2014 nuk përmbajnë asnjë projekt të ri porse vetëm janë vazhdim i atyre të filluara më parë. Ato
janë parashikuar të jenë 5 përqind e PBB-së në 2014, ndërsa në vitet e tjera të mandatit, deri në 2017, ato janë parashikuar të tkurren edhe më, në 4.7 përqind të PBB-së.
Ka shumë të ngjarë që paketa e dytë e taksave të parashikuara (me shkronja të vogla) në marrëveshjen e Qeverisë me FMN-në të fillojë të adoptohet para kohe. Ç’them, tentativat për ta bërë këtë kanë filluar që në Korrik 2014 me taksën e makinave dhe atë të celularëve. Përmes të cilave Qeveria u kërkon shqiptarëve që ta financojnë atë edhe me 6 milionë dollare të tjerë, drejtpërdrejt nga xhepi i tyre.
Përveç kësaj parashikohet të rikthehet taksa e udhëtimeve jashtë shtetit. E mbani mend kur na merrnin një 1000 lekësh para kontrollit të pashaportave? Ja ajo. Do shtohet edhe taksa e qarkullimit nëpër rrugë, pasi këto do jepen me konçesion. Do rritet me 50 përqind edhe taksa mbi makinat e përdorura. Do futet TVSH edhe për telefonatat e familjarëve nga jashtë. Atyre telefonatave që kërkojnë të dijnë si janë prindërit e mbetur në Shqipëri, në shëndet e në halle. Do taksohen edhe kursimet që shqiptarët kanë nëpër banka.
Se mos harroj, do të rikthehet pagesa e TVSH-së tek makineritë dhe pajisjet. A thua të gjitha këto bëhen për të nxitur prodhimin dhe hapjen e vëndeve të reja të punës? A thua bizneset janë lumturuar nga gjithë këto taksa që janë prapa derës? Që Armata i fsheh pas mburojës së FMN-së? Është shumë e qartë, e pakontestueshme, që shumica e këtyre taksave të reja nuk përbëjnë
dhe nuk nxisin asnjë reformë strukturore. Ato nuk sjellin asnjë përmirësim të jetës së qytetarëve dhe aq më pak të përmirësojnë klimën e biznesit.
Këto taksa të reja thjesht do rrisin barrën fiskale në kurriz të familjeve shqiptare dhe koston e të bërit biznes. Me synimin e vetëm që të garantojnë aftësinë paguese të shtetit shqiptar për kredinë e panevojshme të marrë tek FMN-ja. Kjo e fundit, fare hapur nuk ka besim tek qeveria shqiptare, tek vullneti i saj për reforma, dhe tek kapaciteti i saj për të kryer reforma. Duke ia njohur
ideologjinë, psikologjinë dhe pa-aftësinë e mungesen e vizionit, ka futur këto taksa të reja në marrëveshjen e saj me Qeverinë, thjesht për të garantuar arithmetikisht, dhe me shumë të drejtë, që do i marrë paratë e veta mbrapsht.
Mund të kemi edhe taksa të tjera. Që sjellin një situatë ku praktikisht taksohet çdo gjë që ecën, që fluturon, që lëviz. Këto lajme për 2015-ën do fillojmë t’i marrim vesh andej nga Shtatori. Të gjitha këto observime e rrëzojnë përtokë mitin e 300.000 vëndeve të punës. I japin atij pamjen e vërtetë të një Tallje të madhe me gjithë shqiptarët. Çdo këmbëngulje mediatike spontane, apo e organizuar nga ana e Qeverisë që i bie fyellit në këtë vrimë është një Tallje me ndërgjegje ndaj qytetarëve. Ndaj atyre burrave, grave, të rinjve që duan të punojnë dhe të jetojnë jetën e tyre. Atyre u thuhet që kemi krijuar 43.000 vënde pune, kemi dhe 257.000 të tjera bosh. Por ju jeni dembela dhe nuk doni të punoni. Unë po Tallem me ty dhe t’i s’ke ç’më bën! Biles bën mirë të besosh këto që them!
Mitet e mëdha të Qeverisë tashmë janë shkrumbosur. Për 300 ditë. Nuk dua as të jem absolutist, e as i paduruar. Përkundrazi dua dhe uroj që qeveria më shumë të punojë sesa të flasë. Por më duket se kënga e këtyre miteve, që vazhdon të këndohet sot nga Armata jonë Brancaleone, është për shqiptarët si melodia e sirenave të Odiseut. Dëgjuar pa tapa në vesh. Situata, ekonomike dhe financiare duket se do vështirësohet më tej, e rripi i çdo shqiptari do shtrëngohet edhe më. Qeveria do ia fusë dorën edhe më thellë në xhep secilit. Apo ndoshta jo?
Besimi i shqiptarëve, veçanërisht ai i biznesit tek qeveria në vend që të ngrihet po tkurret edhe më. Pasiguria dhe paparashikueshmëria vetëm sa shtohet. A thua ajo: “Prisni se nuk keni parë asgjë akoma!” me të cilën u inaugurua qeveria nuk ka mbaruar së shpalosuri?
Nuk dihet se si Armata jonë Brancaleone do zgjedhë t’i kalojë këto vështirësi. Në filmin që folëm në fillim, ka një sekuencë ku Armata është në alarm, dhe secili nuk di nga t’ia mbajë vrapit i tmerruar, në sfond dy-tri hingëllima nervoze. Një moment Kavalieri Brancaleone, ndalon dhe me zë udhëheqës thotë: Le të ndjekim Akuilanten, ai i njeh rrugët e shpëtimit! Akuilante ishte në fakt kali i verdhë i Brancaleones.
Po Armata jonë, a e ka Akuilanten e vet që t’i tregojë rrugën e shpëtimit për të gjithë ne? Kush të jetë ai vallë? S’ka rëndësi. Shpresojmë që të jetë. Ndryshe, mjerë ne, për 300 ditët që vijnë!
Korrik 2014